Formacioni i Martinit, “Made in Shkodra” për Europën. Kuqeblutë i kthehen traditës (E PLOTË)
Vllaznia duket se do jetë një ekip i ba zuar te “vendalinjtë” në sezonin që po vjen dalëngadalë. Pavarësisht se emra të shumtë kanë qarkulluar se mund të afrohen në drejtim të kuqebluve, deri më tani i vetmi i zyrtarizuar është Arsid Kruja, një “djalë i shtëpisë”. Afrimi ose më saktë rikthimi i 31-vjeçarit në skuadër kompleton një ekip me 11 shkodranë te skuadra.

Një formacion i bazuar i gjithi nga futbollistë shkodranë dhe të dalë nga akademia kuqeblu. “Panorama Sport” ka hartuar një 11-she hipotetike se si do mund të rreshtoheshin kuqeblutë në rast se do hidhnin në fushë vetëm lojtarë nga Shkodra.

Kështu, në portë do të kishte një konkurrencë mes Qarrit dhe Jukajt. Mbrojtja do të formohej nga tre futbollistë, me Gurishtën, Pusin dhe Repajn. Në mesfushë nga krahët do të ndihmonin Kruja dhe Delaj e ndërsa në qendër të këtij reparti do të ishin dyshja Krymi-Sala. Sulmi do të ishte thuajse i “ngjashëm” me edicionin 2024-‘25 ku treshen e repartit të avancuar do ta përbënin Gruda, Balaj dhe Dodaj. Një formacion patjetër hipotetik, por edhe që mund të hidhet në fushë në një moment të caktuar gjatë sezonit, pavarësisht se te Vllaznia duan ta përforcojnë ekipin me futbollistë të tjerë, qoftë shkodranë apo edhe “jabanxhinj”.
OBJEKTIVAT – Drejtuesit dhe trajneri Martini janë në kërkim edhe të dy qendërmbrojtësve, që falin siguri dhe eksperiencë në prapavijë. Gjithashtu, nuk përjashtohet as afrimi i një mbrojtësi të majtë dhe emri më i përfolur ka qenë ai i Esin Hakajt.
Po ashtu, në mesfushë kërkohet një lloj lojtari me tipare organizative, element që mungon në rozën aktuale të ekipit, ndërsa në sulm kërkohet një “uinger” cilësor, që të bëjë diferencën, pasi duket se alternativa për Bekim Balajn në majën e sulmit për sezonin e ri do të vijojë të jetë Alfred Mensah.
Objektiva këto shumë të vendosura nga Vllaznia, që kërkon të përforcojë skuadrën me 4-5 elementë cilësorë e po ashtu të ruajnë bazën dhe bërthamën e skuadrës edhe nga sezoni i shkuar.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













