Elbasani pa yje, do të jetë supriza e sezonit
Elbasani zhvillon sezonin e dytë radhazi në elitën e futbollit shqiptar me një qasje që bie menjëherë në sy: mungesën e emrave të mëdhenj. Në një merkato ku shumë skuadra përpiqen të tërheqin vëmendjen me afrime të bujshme, klubi verdheblu ka zgjedhur një rrugë krejt tjetër, të ndërtojë një grup të ekuilibruar, të thjeshtë, por me profil të qartë pune.

Filozofia që duket se ka ndjekur klubi është e qartë: një skuadër pa “yje”, por me futbollistë që janë gati të japin gjithçka për fanellën. Një projekt që i qëndron larg fushatës tradicionale të merkatos, ku shpesh prioritet janë emrat dhe jo puna konkrete në fushë. Kjo zgjedhje, më shumë se një kusht i imponuar nga buxheti, duket si një strategji e vetëdijshme e drejtuesve për të ndërtuar një identitet të ri dhe të fortë për klubin.
OLBERKIS, MË I SHTRENJTI – Kur sheh listën e lojtarëve që kanë firmosur apo janë pjesë e Elbasanit këtë sezon, e kupton shpejt drejtimin që ka marrë projekti. Lojtari më i shtrenjtë i skuadrës është mbrojtësi qendror lituanez, Sigitas Olberkis, me një vlerë tregu që shkon rreth 300 mijë euro. Një shumë modeste në krahasim me atë çka ndodh në klube të tjera të Superiores, ku disa lojtarë vlerësohen mbi 500 mijë apo edhe 1 milion euro.
Vetë fakti që Olberkis është “ylli” financiar i ekipit, tregon se kjo është një skuadër e ndërtuar ndryshe, me logjikën e një grupi punëtorësh dhe jo me figurat që kërkojnë protagonizëm personal. Pas tij, janë tre lojtarë që vlejnë 250 mijë euro, si Kristi Qose, Kristian Dros dhe Bledar Lila, ndërsa të tjerët janë më poshtë në vlerat që paraqet “Transfermarkt”.
GRUPI PARA INDIVIDIT – Duke lënë mënjanë lëvizjet e merkatos, Elbasani ka zgjedhur të ndjekë një model që është parë shpesh edhe në futbollin europian: grupi mbi gjithçka. Klube të këtij profili janë shembuj të suksesshëm të skuadrave që kanë ndërtuar identitetin e tyre mbi punën dhe jo mbi emrin e individit. Edhe verdheblutë janë përpjekur të ndërtojnë një skuadër të tillë, ku çdo lojtar ka një rol të qartë, një detyrë specifike dhe mbi të gjitha një qëllim të përbashkët. Kjo frymë pune dhe disiplina taktike janë për momentin “aseti” më i madh që ka Elbasani në këtë garë të vështirë në Superiore. Sigurisht, kjo strategji ka edhe riskun e saj.
Mungesa e eksperiencës në nivele të larta, mungesa e një lideri me peshë apo një lojtari që bën diferencën në ndeshje të caktuara, janë aspekte që mund të penalizojnë skuadrën në momente kritike. Por, nga ana tjetër, është një mundësi për të ndërtuar diçka të qëndrueshme dhe për të ofruar një futboll me baza të shëndosha. Në një kampionat ku shpesh dominon kaosi dhe vendimet e ngutshme, Elbasani po përpiqet të sjellë një model që ngjason më shumë me atë që ndodh në klube europiane me vizion afatgjatë.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













