EKSKLUZIVE/ “Largimet kanë peshë”, ish-kapiteni Belica: Partizani u dobësua, titulli mision më i vështirë
Partizani, i përfshirë nga një revolucion në këtë merkato të janarit, luan të dielën një ndeshje vendimtare kundër Dinamos.

Egzon Belica kur luante me Partizanin
Në këtë sfidë do të tregohet edhe më shumë mbi forcën dhe gjendjen e të kuqve. Për këtë derbi, por edhe për atë çka po bën në Maqedoni me Rabotniçkin, në një prononcim për “Panorama Sport” ka folur Egzon Belica. Ish-kapiteni i kuq shprehet se largimet e kanë dobësuar ekipin dhe misioni për titullin është vështirësuar, por nuk është bërë i pamundur.
Egzon, po bëni një sezon fantastik me Rabotniçkin. Duket sikur titulli po kthehet në një objektiv real tashmë, apo jo?
Gjysma e këtij kampionati kaloi shumë mirë. Deri më tani kemi bërë një sezon fantastik, duke dalë jashtë çdo parashikimi, sepse ne jemi një ekip me lojtarë të rinj në përbërje. Në fillim të sezonit titulli nuk ishte objektivi, por meqë tani jemi në vend të parë, nuk kemi arsye përse të mos e pretendojmë.
Jeni 34 vjeç tashmë, por duket sikur në futboll keni akoma shumë për të dhënë. Si po ndiheni këtë sezon?
Epo, 34 vite nuk janë shumë. Kam ende shumë për të dhënë, pavarësisht moshës. I kam 34 vite, por luaj me dëshirën e një 24-vjeçari. Po mundohem të shijoj çdo moment në fushë dhe kujdesem shumë për veten jashtë saj. Nuk kam ndërmend të ndalem.
Keni luajtur në të dyja ligat. Si ju duket niveli i ligës së Shqipërisë dhe asaj të Maqedonisë së Veriut?
Ekipet e kreut këtu në Superiore kanë shumë cilësi dhe kualitet brenda tyre. Ndoshta ekipet që janë më poshtë kanë janë më pak cilësore, por edhe aty ka diçka të mirë, sepse po shoh të tregojnë veten plot djem të rinj. Me kohë dhe ndeshje mbi supe do të rriten edhe ata. Kurse niveli në Maqedoni po vjen çdo vit e më shumë në rritje. Gjysma e ekipeve kanë pronarë të huaj dhe kanë afruar lojtarë mjaft cilësorë. Sikur edhe infrastruktura të ishte si në Shqipëri, besoj se nuk do të kishte aspak diferenca.
Te Partizani kanë mbetur shumë pak nga ish shokët tuaj të ekipit. Si mendoni se do të ndikojnë katër largimet e rëndësishme të janarit?
Me largimet e tyre besoj se Partizan padyshim është dobësuar dukshëm. Ishin lojtarë që mbanin ekipin mbi shpinë, por edhe tani mendoj se Partizani mbetet një skuadër e denjë për titullin kampion. Sa për ish-shokët e ekipit, kanë kaluar 2 vite e gjysmë tashmë dhe kanë ndryshuar shumë gjëra, por ne mbajmë kontakte dhe shpesh komunikojmë.
Partizani së fundmi po përqendrohet në marrjen e lojtarëve të rinj dhe afirmimin e tyre. Mendoni se mund ta fitojnë titullin edhe me këtë strategji?
Pa lojtarë që dinë sesi fitohet, titulli është mision i vështirë, por jo i pamundur. Është një strategji, të cilën mendoj se klubi e di më mirë sesi do ta vazhdojë. Sido që të jetë, me të rinj apo të vjetër, për ta thënë thjesht, Partizani duhet të jetë për titull.
Të dielën Partizani përballet me Dinamon e Dajës. Si e prisni këtë ndeshje dhe kush mendoni se është favoriti?
Është një ndeshje që edhe unë personalisht mezi po pres ta shoh. Me profesor Dajën kam kujtime shumë të mira dhe respekt të madh. Pres një ndeshje të bukur, sepse janë ekipe që për mendimin tim do të përballen së bashku edhe në ndeshjet e fazës “Final 4”.
Si ju duket merkatoja e Partizanit deri më tani?
Merkatoja do edhe pak kohë që të përfundojë. Besoj se klubi do të përforcohet të paktën për të mbushur hapësirat e lëna nga Hadroj, Rrapaj dhe Cara. Partizanin dua me gjithë shpirt ta shoh sa më lart dhe shpresoj të marrin lojtarë sa më të denjë dhe të dinë çfarë peshe ka ajo fanellë.
D.LALA-PANORAMASPORT.AL













