EKSKLUZIVE/ Ish-kampioni Bashi: Vllaznia, një nga ekipet më të mira të Superiores. Fati përcaktohet ndaj Dinamos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 10, 2025 | 20:23

EKSKLUZIVE/ Ish-kampioni Bashi: Vllaznia, një nga ekipet më të mira të Superiores. Fati përcaktohet ndaj Dinamos

Çlirim Bashi, ish-kampioni i vendit me Vllazninë në sezonin 1991-92, ka folur së fundmi ekskluzivisht për “Panorama Sport”.BASHIIsh-mbrojtësi, nga Gjermania ku jeton aktualisht, ka komentuar për situatën që po kalojnë kuqeblutë. Sipas shkodranit, “ngërçi” i ekipit është më tepër në aspektin psikologjik dhe atë të mentalitetit sesa nga ana sportive. Bashi këshillon futbollistët të gjejnë dëshirën dhe egon e munguar në këto javë, teksa ka besim se me cilësitë e skuadrës, titulli kampion është një objektiv i arritshëm.

Si e komenton këtë disfatë të fundit të Vllaznisë ndaj Bylisit?
Jo çdo herë një ndeshje do të shkojë siç e planifikon apo e mendon para fillimit të saj. Ka faktorë të ndryshëm që gjatë zhvillimit të 90 minutave bëjnë që fitorja të mos shkojë tek ai ekip që duket favorit në letër. E tillë ishte edhe humbja e fundit e Vllaznisë në Ballsh, që, në mendimin tim, u vendos nga disa episode, të cilat po penalizojnë ekipin e Vllaznisë në javë.

Po vuan Vllaznia gjatë kësaj periudhe?
Nuk e shoh aq problematike situatën sa thuhet në opinionin e përgjithshëm. Kjo, sepse edhe Vllazninë është e vështirë ta mposhtësh dhe, ta shikosh, humbjet i ka të ngushta apo nga pakujdesi të cilat i janë kthyer në “bumerang”, siç ishte ndoshta ndeshja e humbur me Skënderbeun. Skuadra ka defekte, por, në mendimin tim, shumë shpejt të korrigjueshme.

U mungon diçka kuqebluve në krahasim me kundërshtarët e tjerë?
Unë them se kuqeblutë kanë mangësi, por të vogla. Nuk i shoh aspak inferiorë ndaj kundërshtarëve të tjerë. Thjesht ekipi duhet të tregojë më shumë entuziazëm, grintë dhe forcë sepse për nga cilësitë e theksoj se Vllaznia ka një ndër ekipet më të mira të kampionatit.

Sa ndikon kjo humbje në llogaritë përfundimtare?
Jo, nuk e mendoj aspak të tillë. Sepse kampionati do të vendoset në dy ndeshjet e “Final 4”. Vllaznia tashmë e ka siguruar katërshen e parë dhe do të jetë pjesë e “Final 4”. Aty të tregojë sa vlen dhe këto javë duhet të shërbejnë për kolaudimin e plotë të skuadrës. Në mënyrë që të shkojë sa më e përgatitur në finalet e kampionatit. Si nga ana fizike e sportive e po ashtu edhe nga ajo psikologjike, që ka shumë rëndësi në këto momente ku presioni i rezultatit dhe trysnia për sukses është më e madhe.

Çfarë duhet të ndryshojë ekipi në këto javë?
Të gjejë forcat, të gjejë dëshirën dhe të gjejë grintën që ka munguar në këto javët e fundit. Futbollistët duhet të jenë të gatshëm për maksimumin e tyre deri në vërshëllimën e fundit të kampionatit. Kjo është diçka që do iu këshilloja të gjithë lojtarëve që janë sot pjesë e ekipit. Sepse po të shikojmë, Vllaznia ka golashënuesin dhe asistuesin më të mirë të kampionatit. Pra, ka futbollistë që bëjnë diferencën e thjesht duhet gjetur ritmi i duhur në këtë fund kampionati.

Skuadra po vuan në sulm, që ishte pika më e fortë apo jo?
Balaj është ai që ka udhëhequr në këtë kampionat me golat e tij ekipin. Kur ai nuk është në formë dhe nuk gjen golin edhe skuadra vuan disi. Por pavarësisht se nuk ka shënuar së fundmi, ai mbetet sulmuesi më i mirë i kampionatit dhe një vlerë e tij. Shpresoj të zhbllokohet që nga ndeshja e radhës dhe, pse jo, të jetë fati i tij që, si kapiten i kësaj skuadre, të ngrejë në fund trofeun e titullit kampion të Superiores.

Mundet kjo Vllazni të fitojë titullin në fund?
Patjetër që besoj, sepse edhe sezonin e shkuar Vllaznia i shkoi afër. Ku vetëm nga një barazim me Egnatian që ishte më pas kampione u eliminua për të shkuar në finale. Uroj që ekipi në këto 3 ndeshje të marrë 9 pikët sepse do e ndihmonin shumë për kapjen e vendit të dytë. Pozicion që të jep një avantazh të konsiderueshëm në ndeshjen e parë të “Final 4”, sepse luan për barazim dhe mund të jesh disi komod në atë duel, pavarësisht se edhe renditja në vendin e dytë nuk të jep asnjë lloj garancie në “Final 4”.

Sa përcaktuese për sezonin janë duelet me Dinamon në kampionat dhe Kupë, duke nisur nga ndeshja e kësaj fundjave?
Absolutisht që shumë gjëra do të vendosen nga këto duele. Sepse dy suksese të mundshme të Vllaznisë e dërgojnë skuadrën në vendin e dytë në kampionat dhe në finalen e Kupës. Ku për këtë të fundit kam një besim personal që Vllaznia do e arrijë. Vllazninë e shoh për titull deri në fund, sepse është në të njëjtin nivel me kundërshtarët e tjerë, përjashto ndoshta disi Egnatian, por edhe me ta, në një duel direkt, nuk ka favoritë, besoj. Nuk do të isha aspak i çuditur nëse Vllaznia do të fitonte të dyja trofetë, si kampionatin, ashtu edhe Kupën, ashtu siç ka ndodhur në sezonin 1971-72, ku ekipi realizoi dopietë trofesh.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL