EKSKLUZIVE/ Faruk Sejdini analizon “Final 4”: As FSHF-ja nuk e priti kështu! Dinamo me pengje, Egnatias i takon titulli (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2026 | 15:55

EKSKLUZIVE/ Faruk Sejdini analizon “Final 4”: As FSHF-ja nuk e priti kështu! Dinamo me pengje, Egnatias i takon titulli (E PLOTË)

Sot do të luhen ndeshjet e fundit për këtë sezon në Superiore dhe Faruk Sejdini sheh Egnatian si skuadrën favorite për të fituar titullin. Në një intervistë për “Panorama Sport”, “Xhaxhi” shprehet se dëshira e tij është Elbasani, por në analizën që bën, shprehet se Egnatia është shumë pranë.

-1200-630-sejdini

Sejdini u ndal edhe te Dinamo, duke analizuar problemet që kanë pasur këtë sezon si edhe Europën.

Profesor, janë dy ndeshjet e fundit që përcaktojnë kampionatin. E kishe menduar se do të shkonte kështu, duke ndryshuar edhe axhenda?

Për të thënë të drejtën, e para e punës nuk e kisha menduar që Dinamo do dilte jashtë gare kaq shpejt. Domethënë, që në fillim ky ishte mendimi im. Pastaj që do ndodhte kështu, asnjë s’e kishte parashikuar. Mirë ne që jemi spektatorë, patjetër që e kishin parashikuar edhe ekspertët e federatës (qesh), se këto nuk bëhen me laps e letër dy ditë para se të përfundojë, domethënë para ndeshjes, dy–tre apo katër ditë. Programi jepet që në fillim, po ndodhi kjo, po ndodhi ajo, e kështu me radhë. Kështu që sot janë dëshirat e shqiptarëve dhe duhet t’i nënshtrohemi realitetit.

Duke parë fitoren e Dinamos kundër Vllaznisë dhe atë shkëndijën që mund të kishte bërë diçka më tepër, cilat ndeshje mendon se janë pengu i Dinamos këtë sezon?

Unë do të thosha gjithë kjo fazë, domethënë nga janari e mbrapa, Dinamo ishte mbushur me pengje, me përjashtim të Kupës që mori, që mendoj se ishte tamam ashtu. Por pengjet më të mëdha ishin dy ndeshjet e fundit, sepse fundi mbahet mend më shumë sesa ngjarjet e mëparshme. Kështu që dy ndeshjet e fundit ishin ndeshja me Partizanin, që nuk kishte asnjë interes në kuptimin e mobilizimit… Partizani nuk kishte ndonjë interes, e bënte më shumë për statistikë. Dhe ndeshja me Vorën, ku ishin 2–0 dhe shkoi 2–2. Domethënë, sikur të kishte marrë këto tre pikë, Dinamo do ishte shumë seriozisht në garë për titull. Pastaj, duke mos u futur për titull, u fut në “Final Four” me shumë pak shanse, më shumë si rastësi. Përqindjet që Dinamo të konkurronte ishin shumë të pakta, sepse duhej t’i fitonte të gjitha ndeshjet vetë dhe kishte një probabilitet shumë të vogël. Pastaj ishte edhe shansi. Futbolli është i paparashikueshëm, por kam përshtypjen që më pas u dorëzua, në kuptimin që filloi të bënte lëvizje me katër–pesë lojtarë që nuk po luanin dhe kështu shkoi aty ku mendohej, në vendin e katërt.

Ndërkohë, sot janë dy finalet e fundit. Kush është më i favorizuar?

Unë do të thosha që është tjetër dëshira, tjetër realiteti. Dëshira është kjo, pasi unë jam me origjinë nga Elbasani dhe, pse jo, kam edhe miq, gjithandej kam miq, po domethënë do të dëshiroja që ta merrte Elbasani. Por dëshira është tjetër. Por, po ta marrësh me të drejtë sportive apo me realitetin sportiv, unë do të thosha që i takon Rrogozhinës për futbollin që luajnë, për mënyrën se si interpretojnë. Edhe ekipi i Rrogozhinës ka një lojë të vetën që edhe po t’ia ndërrosh fanellën, ti e kupton që ky është ekipi i Egnatias. Ka një mentalitet të vetin, ka një logjikë loje. Kështu që në këto momente kam përshtypjen që Rrogozhina është më afër kësaj. Për momentin Elbasani edhe Vllaznia janë më kaotike. Kuptohet, do varet edhe nga ndeshja si do dalë Vllaznia me Elbasanin, po mendoj që Rrogozhina është më afër, mendoj. Duke përfshirë edhe këtë, se duhet të jemi realistë që Dinamo, nuk ka fare motivim për këtë ndeshje. Edhe duke qenë pa motiv, unë nuk e mendoj që do ia falë siç thonë njerëzit. S’ka arsye t’ia lejë për faktin se bëhet e mirë me Rrogozhinën dhe, edhe po i them të thonë këto, edhe prishjet me dy ekipe shumë të mëdha, domethënë të forta siç është Elbasani dhe Vllaznia. Është të “rregullosh kishë e të prishësh xhami”, ose siç themi ndryshe, “shit qen e ble klysh” (qesh). Por, si do që të jetë puna, në futboll kjo është e ndjeshme kur një ekip nuk ka motivin, nuk ka, si të thuash, objektiv, dhe një tjetër pastaj që që ka motivin, domethënë ai ekip që ka objektiv është e natyrshme që do të japë 100%, dhe pse jo edhe pak më shumë. Kurse këto që s’kanë motiv, pse? Sepse e them nga eksperienca, qoftë në basket, qoftë edhe kur kam luajtur vetë. Se lojtarët kur përballesh direkt, dhe ne jemi vend i vogël dhe njihemi me njëri-tjetrin shumë mirë, nuk janë si vendet e mëdha që nuk njihen. Andaj gjatë gjithë 90 minutave, sigurisht lojtarët me lojtarët dëgjojnë vetëm fjalët e njëri-tjetrit. “Pse luan kot?”, “Pse bëhesh beden për ekipe të tjera?”, “Pse s’i lënë?” Sikur vetëm këtë të dëgjonte lojtari i Dinamos nga lojtari kundërshtar, të gjitha këto hipotetike… Sikur vetëm kjo të ishte si fenomen, e zhvesh lojtarin në fjalë. Se ai thotë: “Për çfarë bëhem këtu?”, “Ça të luaj, që të fi toje Vllaznia e Elbasani”. Ky është aty, domethënë sensibilizohet më shumë lojtari, është ndjeshëm, si do të jenë çunat. Mendoj unë, këto janë fenomene, inshallah nuk ndodhin, luhen të gjitha ndeshjet normalisht, po kam përshtypjen se na kanë ndodhur edhe nuk mund t’i shmangim këto fenomene këtu te ne, në vendin tonë, këtu ku jemi. Kështu që mendoj do të ndodhë kjo dhe them që më afër kësaj historie është Rrogozhina. Mbase Rrogozhina tregoi edhe vlerat e veta, që luajti edhe me Elbasanin, luajti edhe me Shkodrën.

Sa të ngroh kjo Dinamo për në Europë?

Dinamo ka nevojë për një sulmues goli. Sepse golat janë të shpërndarë dhe shënuesi më i mirë është Bregu, i cili nuk është sulmues tipik. I duhet një sulmues si Zabërgja apo të tjerë të këtij profili, siç ishte Itodo. Në Europë duhen lojtarë që luajnë në kundërsulm, me shpejtësi dhe thellësi gjë të cilën Zabërgja e kishte. Guindo nuk e ka atë tipar. Ka nevojë për përforcime. Megjithatë, mendoj se turin e parë duhet ta kalojnë, sepse ekipet që u bien në fillim janë më të dobëta. Pastaj niveli rritet. Ky objektiv duhet të jetë për të gjitha skuadrat jo vetëm për Dinamon

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL