Aleat? Gurishta qesh te Vllaznia: Nuk do i themi faleminderit asnjë ekipi! Marrim 3 pikë me Bylisin
Erdenis Gurishta foli para ndeshjes Vllaznia-Bylis, që është programuar për nesër prej orës 16:00 në stadiumin “Loro Boriçi”.

“Normalisht ndoshta nuk është momenti më i mirë sepse në një hark kohor të një jave, erdhën dy humbje. Si eliminimi me Dinamon dhe humbja me Elbasanin. Mund të ndikojnë te pjesa psikologjike, por gjithsesi jemi munduar t’i lëmë pas këto humbje. Dhe të fokusohemi te ndeshjet e radhës. E dimë se asgjë nuk ka mbaruar, jemi në lojë fuqishëm dhe duhet që medoemos të marrim 3 pikët nesër, që të rikthejmë moralin dhe entuziasmin tek ekipi.
Çfarë ndodhi? Këto janë ndeshje që detajet bëjnë diferencën. Ndeshja me Dinamon ndoshta ishte për barazim, drejt shtesës. Ekipi që do gabonte më pak do fitonte, ndodhi një gabim i joni. Një mungesë vendosje, erdhi goli i Dinamos dhe u eliminuam. Ndeshjen me Elbasanin e kishim përgatitur në mënyrën e duhur, e filluam në mënyrën e duhur. Vetëm goli na mungoi në momentet e para. Të vetmin rast që pati Elbasani, erdhi goli i tyre. Pastaj normalisht që ndeshja merr rrjedhë tjetër. Po të shkonte 1 me 0 për ne, do kishte krejt rrjedhë tjetër. Ajo ndeshje iku, duhet ta harrojmë sa më shpejt. Po të shikosh statistikat, kemi luajtur shumë më mirë, kemi bërë 23 gjuajtje në portë. Kundërshtari ka bërë 4 gjuajtje dhe ka shënuar 3 gola. Ndërsa ne vetëm 1 gol. Nuk ka vend për zhgënjim dhe mërzitje. Kemi tri ndeshje në hark kohor të një jave, pastaj kemi dhe Final Four.
Nëse ne shikojmë Ballshin në tabelë klasifikimi, kemi bërë gabimin më të madh. Përvoja ime në gjithë këto vite, ka treguar se ato ekipe që janë poshtë tabelës së renditjes dhe që shikohen si të lehta në letër, nëse nuk ke vlerësimin, përqëndrimin dhe seriozitetin e duhur gjatë ndeshjes, ato bëhen shumë të vështira. Ballshi meriton vlerësim maksimal sepse ka lojtarë cilësorë brenda ekipit të saj që mund të bëjnë dëm në çdo moment. Për ne nesër është i vlefshëm 3 pikëshi dhe duhet ta marrim me çdo kusht.
Aleat? Që nga fillimi i kampionatit dhe deri tani kemi luajtur vetëm, do vazhdojmë të luajmë vetëm. Nëse do e meritojmë titullin kampion, do e marrim, pa i thënë faleminderit asnjë ekipi. Ne jemi vetëm në fushën e lojës. Për gjatë gjithë sezonit, mendoj se e kemi merituar që të jemi në krye të tabelës sepse kemi qenë shumicën e kohës në krye. Ndoshta herë pas here për gabime tona, ose mungesë përqëndrimi, e kemi humbur vendin e parë. Gjithsesi jemi në lojë për vendin e parë, nuk na interesojnë ekipet e tjera, nëse ato bëjnë llogari. Ne jemi në lojë për 9 pikë, dhe nëse i marrim jam i sigurt që do të jemi në vend parë dhe shkojmë në Final Four me motivim dhe moral krejt tjetër.
Tifozeria është zemra e ekipit. Mbështetja e tyre për Vllazninë është dashuri pa kushte. Dua të gjej rastin dhe t’i falenderoj. Që nga fillimi i sezonit dhe deri tani kanë qenë pranë ekipit. Si në vështirësi, kohë të mira dhe të këqija. Ndoshta ato herë pas here mund të kenë lënë punët e tyre dhe familjet për të qenë afër ekipit. Gjej rastin dhe i falenderoj. Besoj se gjithsecili nga çunat duhet të japin maksimumin që në këto ndeshje, të gëzojmë së pari veten tonë, familjet dhe këto tifozë që e meritojnë të gëzojnë pas kaq shumë vitesh.
Vendi i parë? Kam besim, nëse ne i marrim 9 pikë jam i sigurt që jemi në vend të parë. Nuk duhet të mendojmë për 9 pikë, të mendojmë për nesër që të marrim 3 pikëshin e radhës. Pastaj kemi kohë deri të mërkurën, që të mendojmë për Tiranën”, u shpreh Gurishta.
PANORAMASPORT.AL













