Afrimet e Vllaznisë, shkodranët presin shumë nga dyshja Kallaku-Kastrati

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 28, 2025 | 18:39

Afrimet e Vllaznisë, shkodranët presin shumë nga dyshja Kallaku-Kastrati

Ishin dy afrimet më me bujë, ndoshta jo vetëm te Vllaznia, por në mbarë kampionatin. Me shkodranët që përforcuan radhët e tyre me elementë që mund të bëjnë diferencën në çdo çast dhe që mund të zgjidhin ndeshjet. Fjala është për dyshen Sherif Kallaku dhe Lirim Kastrati, që më pak se para dy javësh iu bashkuan 9 herë kampionëve të vendit. Me dyshen që ka një “CV” për t’u pasur zili dhe te të cilët kuqeblutë shpresojnë shumë.

kallaku

Momentalisht të dy futbollistët nuk gëzojnë formën optimale fizike, kjo për shkak të mungesës së stërvitjes dhe nisjes së përgatitjeve verore me vonesë, si nga ana e sulmuesit, po ashtu edhe e fantazistit nga Fushë-Kruja. Të dy lojtarët erdhën nga stoli në fitoren e javës së parë të kampionatit me shifrat 2-0 ndaj Egnatias, ku Kastrati u hodh në fushë në minutën e 58-të në vendin e Muratajt. E teksa Kallaku zbriti në fushë në minutën e 70-të të duelit, me Gjinin që la lojën për 27-vjeçarin.

Të dy lojtarët, pavarësisht se u munduan të shfaqin disa nga vlerat e tyre, nuk arritën të bënin diferencën ndaj rrogozhinasve me klasin e tyre. Por, në ndeshjet e radhës, minutat që do t’u rezervohen dyshes patjetër do të jenë më të shumta, pasi te shkodranët presin shumë nga kjo dyshe, për të cilën është investuar dhe sakrifikuar shumë nga ana e drejtuesve të klubit. Dhe patjetër, Edi Martini kërkon t’i ketë në maksimumin e formës sa më shpejt të dy lojtarët që konsiderohen pjesë e padiskutueshme e formacionit shkodran.

PANORAMASPORT.AL