Zhgënjimi i sezonit të Milanit, De Ketalare: Në media, duket sikur çdo ditë unë mbërrij në ‘Milanelo’ duke qarë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2023 | 15:22

Zhgënjimi i sezonit të Milanit, De Ketalare: Në media, duket sikur çdo ditë unë mbërrij në ‘Milanelo’ duke qarë…

“Muajt e parë te Milani? Zhgënjyes, përkundrazi negativë. Sigurisht që nuk ishin pritshmëritë e mia. Pas një sezoni të shkëlqyer me Bryzhin dhe pas transferimit te Milani, për të cilin nuk pendohem, do të kisha shpresuar që të isha më i rëndësishëm se ai që kisha qenë deri tani”.

DE KETELAR

Protagonisti në fjalë është Çarls de Ketelare, i cili bën një bilanc të nisjes së karrierës së tij me fanellën kuqezi. “Ka shumë motive për këtë. Njëri është ambienti, një nivel futbolli superior, ambientimi dhe shumë gjëra, jeta jashtë fushe”, tregon talenti belg i intervistuar nga “Het Laatste Nieuws”. “Nuk do të lejoj kurrë që të më vendosin poshtë kritikat negative, ashtu siç nuk do të fluturoj nëse një ditë situata do të kthehet pozitivisht. Nëse do t’u besoja mediave, duket sikur çdo ditë unë mbërrij në ‘Milanelo’ duke qarë…”

Në datën 2 prill, kur Milani të rikthehet në fushë në Napoli kundër kryesueses së kampionatit për të rinisur sezonin, do të ketë kaluar një vit nga goli i fundit i De Ketelares. Në mes janë 7 ndeshje me fanellën e Bryzhit dhe 31 me atë të Milanit:

“Ndiej vlerësimin, afeksionin dhe mbështetjen e shokëve të mi, por nuk do të doja që të mbetej e tillë. Do të doja të tregoja që kam uri dhe që jetoj për futbollin dhe paraqitjet e mira. Kam një marrëdhënie të shkëlqyer me Maldinin, ashtu siç ai e ka me futbollistët e tjerë. Ne flasim dhe më bën të ndiej besimin e tij. Në këto muaj jam pjekur, kam gjetur edhe më shumë qetësi te vetja. Jam i ndërgjegjshëm për atë që di të bëj dhe nuk lejoj që të vendosem poshtë nga emocionet.

Sa kohë mendoj se do qëndroj te Milani? Nuk kam vendosur një afat. Përpiqem ta përfundoj sezonin duke punuar çdo ditë sa më shumë që të jetë e mundur për të pasur më pas mundësinë për të fituar një vend titullari. Për momenti nuk mendoj për gjë tjetër”.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"