Zgjohet Elbasani, Apolonia në “koma”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2014 | 22:30

Zgjohet Elbasani, Apolonia në “koma”

Elbasani-Apolonia 2-0, verdheblute i gezohen golitElbasani merr tri pikët e para këtë sezon dhe futet sërish në garën për mbijetesë, duke i bërë kështu një “nder” edhe kampionatit, pasi një humbje e mundshme do të bënte që verdheblutë të dilnin shumë shpejt jashtë gare. U desh java e shtatë e kampionatit dhe një fushë si ajo e Pogradecit që Elbasani të “respektonte” edhe tifozët që e kanë ndjekur deri më tani. Nga ana tjetër, Apolonia bëri shumë pak për të dalë me një pikë nga kjo sfidë mbijetese, teksa golat e Çotës dhe Mustës hodhën në “tapet” skuadrën e Demirajt.

ELBASANI-APOLONIA  2-0
GOLAT: Çota 45′, Musta 83′
ELBASANI: Kotorri, Shazivari, Vogli, Pisha, Kaçuli, Hila, Gava, Toçi (Dosti 76′), Malindi (Musta 61′), Tahirllari, Çota (Lamçja 73′). (në dispozicion: Ruci, Jaupi, Agboyi, Dalipi). Trajner: Muharrem Dosti
APOLONIA: Cakoviç, Xhafa (Canka 67′), Prifti, Kaja, Nako, Karakaçi, Dordeviç, Dosti (Gërxho 65′), Mitraj, Erkoçeviç (Fili 78′), Rajkoviç. (në dispozicion: Mico, Thombson, Naçi, Andoni). Trajner: Elidon Demiraj
KARTONË TË VERDHË: Pisha 32′, Musta 83′ / Dosti 48′
DELEGAT: Bujar Pregja (Tiranë)
VËZHGUES: Mëhill Shkëmbi (Shkodër)
GJYQTARET” L.Jemini, N.Bregasi, D.Myftari (Tiranë)

MINUTAT
11′ Toçi merr përsipër goditjen e dënimit nga rreth 30 metra, godet fort, por grushton Cakoviç.
14′ Toçi nga e majta pason për Tahirllarin në krahun tjetër, godet me një parabël ky i fundit dhe topi ndalet në traversë.
25′ Erkoçeviç ecën bukur drejt zonës elbasanase, godet dhe topi për pak përfundon në portë.
31′ Malindi godet në kufijtë e zonës së rreptësisë, grushton i sigurt Cakoviç.
33′ Skemë e bukur e skuadrës fierake nga goditja e dënimit, Mitraj del i lirë në zonë, por goditja e tij përfundon jashtë.
45′ Malindi hyn bukur në zonë nga e majta, pason për Gavën i lirë në zonë, i cili godet dhe topi përfundon në këmbët e Çotës. Ky i fundit me portën bosh shtyn topin në rrjetë, 1-0.
52′ Dosti nga goditja e dënimit fut një top në zonë, por që nuk përfiton askush nga lojtarët fierakë.
83′ Tahirllari ikën bukur nga e majta, fut një top në zonë për Mustën, të cilit i duhet vetëm sa të shtyjë topin në rrjetë dhe 2-0.

Pjesa e parë Takimi midis dy skuadrave që mbyllnin klasifikimin e Superiores do të niste i qetë në minutat e para, me dy trajnerët, Dosti dhe Demiraj që studiojnë lojën e kundërshtarit. Mirëpo, me kalimin e minutave, Elbasani shtyn shumë përpara dhe fillon të shfaqet rrezikshëm në portën e Cakoviç. Toçi jep shkëndijën e parë në minutën e 11-të, teksa nga goditja e dënimit vë në provë Cakoviç, i cili grushton me vështirësi. Tri minuta më pas, Tahirllari godet traversën me një parabël të bukur me të majtën. Elbasani kërkon me ngulm golin, por nga ana tjetër edhe fierakët nuk qëndrojnë pas. Fillimisht me Erkoçeviç nga jashtë zone dhe më pas me Mitrajn, pas një skeme nga goditja e dënimit, për pak shënojnë. Në të dyja rastet sfera përfundon jashtë katërkëndëshit të mbrojtur nga Elvis Kotorri. Loja është e bukur dhe me ritëm, me një nivel mbi mesataren, ndonëse përballë janë dy skuadrat që mbyllin klasifikimin. Skuadra e Dostit e kishte rezervuar golin për në fund të pjesës së parë, pasi Çota shënon pak sekonda përpara se skuadrat të shkojnë në dhomat e zhveshjes. Malindi bën ç’të dojë në krahun e majtë të sulmit dhe fut një top në zonë për Gavën, që del i lirë me portierin, por që nuk godet si duhet. Për fat topi shkon në këmbët e Çotës, i cili, me portën e boshatisur, nuk gabon. 1 me 0 dhe verdheblutë gëzohen me të drejtë, sepse për herë të parë këtë sezon kalojnë në avantazh.
Pjesa e dytë Fraksioni i dytë i lojës nis me një tjetër ritëm, teksa janë të besuarit e Demirajt që shtyjnë më shumë përpara dhe kërkojnë me ngulm golin e barazimit. Nga ana tjetër, djemtë e Dostit mbrohen mirë, ku pothuajse në asnjë moment nuk do të lejojnë raste të rrezikshme në portën e mbrojtur nga Kotorri. Dosti mundohet me një goditje dënimi nga larg, teksa fut një top të bukur në zonën elbasanase, por topi i tij nuk shfrytëzohet nga askush dhe shkon në rivënie fundore. Demiraj kupton se diçka nuk shkon në sulm dhe brenda dy minutave hedh në fushë Gërxhon me Cankën, sepse shpreson ende te një barazim i të tijve. Nga ana tjetër, Dosti kundërpërgjigjet duke përforcuar prapavijën dhe hedh në fushë Mustën me Dostin, si dhe Lamçen që zë vendin e Çotës. Goli nuk do të vonojë dhe aktivizimi i Mustës i jep të drejtë teknikut elbasanas, i cili shpërblehet me gol. Minuta e 83-të dhe Tahirllari jep një asist në zonë për ishmesfushorin e Partizanit, që duhet vetëm sa të shtrihet pak për ta shtyrë topin në rrjetë. 2 me 0 dhe Elbasani është shumë pranë fitores. Deri në përfundim të sfidës nuk do të ketë më raste të pastra për shënim dhe verdheblutë janë në delir, sepse hoqën nga vetja etiketimin e skuadrës pa pikë dhe më në fund hyjnë në garë për qëndrimin, ndonëse për t’iu larguar vendit të fundit duhet të fitojnë pas dy javësh me Laçin në “Elbasan Arena”. Nga ana tjetër, Apolonia duhet t’i bëjë mirë llogaritë për qëndrimin në Superiore.

MË I MIRI
Tek Elbasani pothuajse i gjithë ekipi zhvilloi një ndeshje të mirë, por inkursionet e Tahirllarit në krahun e djathtë bënë diferencën në lojë, ashtu si ato të Malindit në të majtën. Paraqitje pozitive edhe sulmuesi Çota, i cili u dha qetësinë elbasanasve në përfundim të pjesës së parë me golin e realizuar.

MË PAK AKTIVI
Përgjithësisht ekipi fierak çaloi në tërësi, si në sulm, ku nuk u tregua efikas, ashtu dhe në mbrojtje, që shpeshherë dilte “blof” pas sulmeve verdheblu. Dy golat e skuadrës së Elbasanit u shënuan në qendër të mbrojtjes, ndaj Prifti me Kajën mund të konsiderohen si më pak aktivët në këtë takim.

“Jam i kënaqur, na duhet stabilitet”
Në përfundim të takimit, trajneri elbasanas Muharrem Dosti u shpreh shumë i kënaqur për fitoren, teksa më në fund Elbasani u largua nga kuota e zero pikëve. “Për ne ishte një ndeshje për jetë a vdekje, sepse, po të mos fitonim as sot (dje), atëherë do të rrezikonim shumë për qëndrimin. Më vjen mirë që morëm edhe tri pikët e para në kampionat dhe tani detyra jonë është që të vijojmë me rezultatet pozitive. Për sa i përket lojës, mendoj se bëmë një paraqitje të mirë dhe e merituam fitoren. Ishte një ide e imja që ndeshja të luhej në Pogradec dhe kjo fushë na ka sjellë edhe fat, gjë që nuk e kemi pasur në takimet e kaluara”, përfundon prononcimin tekniku elbasanas.

“Kam përgjegjësi për humbjen”
Trajneri fierak, në prononcimin pas ndeshjes, pohoi se skuadra që drejton u ndëshkua nga dy episode. Sipas tij, skuadra pati qarkullim topi, por nuk u treguan të saktë në finalizim. Gjithashtu ai pohon se pas kësaj humbjeje nuk e ka më vendin të sigurt. “Më vjen keq për humbjen, sepse u ndëshkuam nga dy episode, të cilat mund të evitoheshin. Një vendosje në mënyrë të gabuar solli edhe dy golat e kundërshtarit, i cili më pas fitoi dhe takimin. Qarkulluam më shumë topin, por kjo gjë nuk mjaftoi për të shënuar dhe marrë një rezultat pozitiv. Për sa i përket pankinës, nuk ka asgjë të sigurt, sepse edhe unë kam përgjegjësitë e mia. Rreziku është gjithnjë evident në punën tonë, por do të ulemi të bisedojmë me drejtuesit për përgjegjësitë e humbjes”, u shpreh pas ndeshjes tekniku fierak.

Musta: Ky është vetëm fillimi
Autori i golit të dytë të Elbasanit, ish-lojtari i Partizanit, Emiljano Musta, ka një dedikim për këtë gol dhe beson se tani do të shohin Elbasanin e vërtetë. “Jam shumë i lumtur për këtë gol, sepse i dha qetësinë skuadrës në një moment kur na duheshin pikët me patjetër. Ky është vetëm fillimi dhe ky është Elbasani i vërtetë. Ky gol i dedikohet idhullit tim, i cili më ka qëndruar gjithnjë pranë, babait tim”, përfundon mesfushori elbasanas.
Nga Pogradeci, VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"