“Zgjodha Teutën kur ishte 11 pikë më pak se Vllaznia”, mbrojtësi brazilian: Jemi ekip super, fitoj titullin në Durrës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 13, 2021 | 20:58

“Zgjodha Teutën kur ishte 11 pikë më pak se Vllaznia”, mbrojtësi brazilian: Jemi ekip super, fitoj titullin në Durrës

Xhekson Ferreira u afrua te Teuta në merkaton e janarit si një përforcim i rëndësishëm për krahun e majtë të mbrojtjes. Braziliani u bë i njohur në futbollin shqiptar në vitet 2018-2019 te Luftëtari, ndërsa përpara se të vinte në Durrës, luajti në Kosovë për klubin e Gjilanit. Tashmë ai është një titullar fiks në krahun e majtë te durrsakët dhe në një intervistë për “Panorama Sport” ka treguar për ambientimin e shpejtë, si dhe synimet e klubit.Xhekson beson se ky është sezoni i duhur që Teuta ta mbyllë duke fituar gjithçka.

xHEKSON TEUTA

Xhekson, prej disa ndeshjesh po luani titullar te Teuta. A mund të themi se jeni ambientuar plotësisht me ekipin?

Mendoj se po. Teuta më priti shumë mirë. Ne kemi një ekip, trajner dhe staf të mirë. E njihja kampionatin shqiptar dhe e gjitha kjo e lehtësoi përshtatjen time të shpejtë te skuadra durrsake.

Aktivizimi juaj ka përkuar me ngjitjen e ekipit në krye…

Kur erdha këtu, ishim 11 pikë pas Vllaznisë dhe njerëzit më pyetën se pse zgjodha të shkoj te Teuta dhe jo në Shkodër. Unë zgjodha Teutën, sepse në vitet e fundit kjo skuadër gjithmonë ka luftuar për kreun e tabelës. Është një ekip që nuk ndryshon trajner dhe shumë lojtarë në fund të sezonit. E dija se mund të luftonim për titullin deri në fund.

Duke parë rivalët për titull, sipas jush, çfarë ka më tepër Teuta?

Diferenca jonë është se ne jemi një skuadër e organizuar mirë taktikisht, nuk pësojmë shumë gola dhe jemi fizikisht shumë të fortë.

Çfarë mendoni se do ta bëjë diferencën në garën për kreun?

Ajo që do të përcaktojë kampionin është se cili ekip do të bëjë më pak gabime në 9 ndeshjet e mbetura, si dhe ai që është më i mirë fizikisht dhe nga ana psikologjike.

Keni dy ndeshje radhazi ndaj Skënderbeut, fillimisht Kupë dhe më pas në kampionat. Si i parashikoni?

Skënderbeu është një ekip që ka marrë shumë pikë me skuadrat që janë në krye të tabelës. Kanë një skuadër shumë të mirë dhe duhet të jemi të kujdesshëm ndaj tyre. Duhet të luajmë në nivel të lartë për të fituar kundër tyre, fillimisht në Kupë dhe më pas në kampionat.

Cili është rivali më i fortë për Teutën në kampionat?

Tani të gjithë janë rivalë të fortë, por lufta mendoj se do të bëhet mes tri ekipeve. Ndërsa me skuadrat që janë poshtë në renditje është gjithmonë e vështirë për të luajtur kundër tyre.

Fillimisht keni ardhur ne Shqipëri te Luftëtari dhe tani te Teuta, ku keni gjetur disa nga shokët që keni pasur në Gjirokastër. Besoni se do ta fitoni titullin në Durrës?

Një nga gjërat që më bëri të vija te Teuta ishte fakti që unë njoh disa lojtarë, kam luajtur me ta dhe kjo ma lehtësoi shumë. Te Luftëtari kemi bërë historinë, duke shkuar në Ligën e Europës dhe tani te Teuta mund të bëjmë gjithashtu histori. Ne jemi në garë dhe do të luftojmë deri në fund për të arritur objektivat e klubit.

Si e kaloni kohën e lirë në Durrës?

Kohën e lirë e kaloj duke bërë ndonjë shëtitje buzë detit. Durrësi është një qytet shumë i qetë dhe ka një klimë të mirë.

ZAMIR QYPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"