“Kupa nuk kthehet, katërshja është objektivi ynë”, Fagu: Tirana ka vetëm një rrugë, të mundë Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 26, 2024 | 10:47

“Kupa nuk kthehet, katërshja është objektivi ynë”, Fagu: Tirana ka vetëm një rrugë, të mundë Partizanin

Për Ergim Fagun, rruga e vetme për Tiranën në derbi është fitorja. Në një prononcim për “Panorama Sport” pas ndeshjes me Kukësin, trajneri i bardhebluve ishte i qartë se çfarë kërkon ekipi bardheblu.

fagu erbim

“Na vjen keq për këtë eliminim. Donim të përmbysnim takimin. Shënuam shpejt patëm takimin nën kontroll, por Kukësi u mbrojt mirë. Për më tepër, nuk ishim të qetë para portës. Kishim probleme në vendimmarrje. Duhet të shohim përpara”, tha në fillim trajneri i Tiranës. Fagu foli se cili është objektivi i bardhebluve në derbi. Sipas trajnerit, kampionati nuk mbyllet në sfidën me të kuqtë, pasi ka edhe tre takime të tjera.

“Për ‘Final 4’, kemi edhe katër takime. Kemi sfidën me Partizanin dhe tri takime të tjera. Kampionati nuk mbaron në ndeshjen me Partizanin. Ne do ta përgatisim këtë sfidë në mënyrën më të mundshme dhe maksimalisht. Qëllimi ynë është të marrin tri pikët, pasi dihet që objektivi ynë i mbetur është ‘Final 4′”, deklaroi Fagu. Në fund, Fagu foli edhe për atë që pret nga ndeshja. Sipas tij, rruga e vetme për Tiranën është vetëm fitorja. Tri pikët janë qëllimi i bardhebluve në derbi. “Eliminimin e Kupës nuk e kthejmë dot pas. Fokusi ynë do të jetë ndeshja me Partizanin, ku do të synohet me patjetër fitorja, pasi nuk kemi zgjidhje tjetër veç tri pikëve. Ne do ta përgatisim në perfeksion, pasi ‘Final 4’ është objektivi ynë”, mbylli prononcimin e tij, Erbim Fagu.

FITORJA E PARË – Erbim Fagu dhe Orges Shehi janë dy trajnerët, të cilët do të përballen me njëri-tjetrin. Më parë, Fagu ka qenë ndihmës i Orges Shehit kur ky i fundit ishte te Tirana. Fagu e ka drejtuar Tiranën në 11 ndeshje dhe nuk ka luajtur asnjë derbi. Fagu e mori Tiranën, pas derbit të humbur nga Julian Ahmataj. Mes kampionatit dhe Kupës ka 11 ndeshje, katër fitore, po kaq barazime dhe 3 humbje.

Në kampionat, Fagu ka 8 takime dhe 12 pikë. Nga ana tjetër, trajneri i Partizanit, që deri në javën e gjashtë drejtonte Tiranën, ka drejtuar bardheblutë në 10 derbe gjatë 120 takimeve me nënkampionët. Katër ndeshje i ka fituar, tri i ka barazuar dhe tri të tjera i ka humbur, plus derbin e fituar me Partizanin në shkurt. Dukshëm, Shehi ka më shumë ndeshje dhe më shumë fitore, ndërsa Fagu ende nuk e ka shijuar triumfin e parë në derbin mes dy skuadrave gjatë aventurës së tij me bardheblutë.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"