Finalja e 5-të e Kupës së Shqipërisë, Kukësi kërkon historinë dhe… milionat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 26, 2024 | 11:20

Finalja e 5-të e Kupës së Shqipërisë, Kukësi kërkon historinë dhe… milionat

Kukësi është gati të ribëjë historinë në Kupë, teksa pas pesë vitesh kthehet në finale për të pestën herë në historinë e tij. Më herët, në dy raste ia ka dalë të triumfojë dhe ta dërgojë trofeun në shtëpi, ndërsa në dy të tjerat është kënaqur me mbërritjen në finale.

devolli kukesi

Finalja e këtij viti është historike, sepse në një sezon “të vdekur” dhe të hedhur në “erë” në kampionat, kanë mundësinë ta mbyllin me trofe, të shkojnë në Europë dhe çfarë është më e rëndësishmja, të mbushin arkat. Kukësi kërkon ta fitojë këtë trofe edhe për ish-presidentin Safet Gjici, i cili ndodhet pas hekurave për shkak të problemeve me drejtësinë.

KUKËSI I DEVOLLIT Quajeni Kukësi i Bledar Devollit. Atëherë kur thuajse askush nuk e mendonte këtë sukses në situatën kur gjirokastriti mori përsipër të drejtonte skuadrën, pasi blutë ishin të fundit në kampionat dhe të pashpresë. Me zemër, grintë dhe pasion, me këto tri fjalë mund të përkufizohet Kukësi i Bledar Devollit. I mbushur me djem të rinj pa eksperiencë, me shumë lëvizje në merkato dhe probleme të brendshme, tekniku ia doli të bashkojë skuadrën, të mbajë gjallë shpresat për mbijetesën dhe ajo që është më e rëndësishmja, të shkojnë në finalen e Kupës. Të merrje Kukësin në situatën ku ndodhej, vetëm një “i çmendur” si Devolli mund ta bënte dhe të besonte se do të eliminonin fillimisht Partizanin dhe më pas Tiranën, për të tentuar ta mbyllin sezonin me një trofe. Edhe pse vitin e ardhshëm ekipi do të luajë në Kategorinë e Parë, gjasat janë që me pak ndërhyrje dhe me të në krye, kjo skuadër mund të ribashkohet shumë shpejt mes më të mirave.

TROFE PËR GJICIN Nëse ky vit ishte i vështirë për Kukësin, lidhet pak edhe me mungesën, qoftë fizike pranë skuadrës, por edhe morale dhe financiare të Safet Gjicit, ish-kryebashkiakut të Kukësit dhe presidentit të klubit, i cili për shkak të problemeve me drejtësinë ndodhet pas hekurave. Për këtë arsye, Kukësi luan mbi të gjitha edhe për të, që për më shumë se një dekadë bëri që skuadra e Kukësit të ngrihej në piedestalin më të lartë të futbollit shqiptar duke fituar një kampionat dhe dy Kupa. Prandaj, klubi i Kukësit në njëfarë mënyre e ka detyrim moral të bëjë maksimumin e mundshëm që për herë të tretë Kupa të vijë në verilindje.

MILIONAT Një trofe nuk ka vetëm vlerë simbolike, por mbi të gjitha vlen miliona. Së pari, merr një shpërblim nga FSHF-ja dhe së dyti i jep mundësinë të luajë në Kupat e Europës, aty ku blutë mungojnë për tri sezone. Për këtë arsye, blutë do ta tentojnë ta fitojnë këtë trofe. Edhe pse nga ana e klubit nuk është bërë ende e ditur, gjasat janë që lojtarët të marrin një premio për shkuarjen deri në finale, me synimin për t’i mbajtur të karikuar deri më 14 maj, kur do të sfidojnë ekipin më të mirë për momentin në futbollin shqiptar, kryesuesit e Egnatias dhe fituesit në fuqi në Kupës së Shqipërisë.

V.MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"