BASKETBOLL MESHKUJ/ Gjysmëfinalet, Teuta “asfalton” Vllazninë në ndeshjen e parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 26, 2024 | 10:24

BASKETBOLL MESHKUJ/ Gjysmëfinalet, Teuta “asfalton” Vllazninë në ndeshjen e parë

Teuta e ka filluar me një fitore bindëse në shtëpi fazën “play off”, duke kaluar me sukses ndeshjen e parë gjysmëfinale ndaj Vllaznisë, takim i vlefshëm për kampionatin kombëtar të basketbollit për meshkuj. Durrsakët dominuan totalisht ndaj shkodranëve në sfidën e luajtur mbrëmjen e djeshme në “Ramazan Njala”, duke dalë me triumfin treshifror 103-73. Plot 30 pikë diferencë janë treguesi më i mirë për superioritetin e bregdetarëve në këtë takim.

teuta vllaznia basket

NDESHJA – Kristi Gorea dha shkëndijën e parë, me kapitenin e durrsakëve që hapi serinë e koshave me një gjuajtje të saktë për 3 pikë. Teuta e kontrolloi mjaft mirë lojën në periodën e parë, duke e fituar 10-minutëshin 25- 18. Bregdetarët e rritën edhe më shumë ritmin në çerekun e dytë, duke treguar rendiment të lartë në sulm dhe një fazë mbrojtëse solide. Kështu vendësit e morën periodën e dytë 29-15, duke shkuar në pushimin e madh me avantazhin 54-33. Gjysma e dytë e ndeshjes nuk ndryshoi asgjë për shkodranët, teksa Teuta e thelloi edhe më tej avantazhin, duke i fituar edhe dy periodat e radhës 24- 19 dhe 25-21, për të vulosur suksesin treshifror 103-73. Durrsakët hedhin kështu hapin e parë drejt finaleve, duke marrë raundin e parë në një seri gjysmëfinalesh me 5 takime, ku për tu kualifikuar duhen 3 fitore.

Për sa u përket paraqitjeve individuale, katër lojtarë të vendësve shënuan mbi 18 pikë. MVP u shpall Patrick Bacon me 34 pikë, 12 kërcime dhe 4 asistime. Paraqitje super edhe nga Kristi Gorea me dopietë dyshifrore, 18 pikë e 11 kërcime, duke i shtuar edhe 5 asistime. Brandon Lawani regjistroi 18 pikë dhe 8 kërcime, ndërsa Jay Small e mbylli me 20 pikë e 7 kërcime. Për Vllazninë rendimentin më të lartë e kishte i zakonshmi Craig Saab, autor 21 pikëve dhe 6 kërcimeve. Më 28 prill do të luhet gjysmëfinalja e dytë në Shkodër, ndërsa një ditë më herët, më 27 prill Tirana dhe Besëlidhja do të zhvillojnë aktin e dytë në “Feti Borova”, me lezhjanët që kanë fituar takimin e parë në “Asllan Rusi”.

skeda

kalendar

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"