“Zbërthehet” drejtori i Flamurtarit, Ferko: Renditja provizore, shmangim gabimet në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2023 | 17:06

“Zbërthehet” drejtori i Flamurtarit, Ferko: Renditja provizore, shmangim gabimet në merkato

Alfred Ferko “zbërthen” planet e merkatos. Drejtori pohon se blerjet do të bëhen të kujdesshme, që të shmangen gabimet e disa muajve më parë. Qëllimi është që të ndërtohet një ekip konkurrues, që të mos diskutojë ngjitjen. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, ai flet edhe për largimet apo kundërshtarët.

alfred ferko

“Po mundohemi ta bëjmë me kujdes merkaton e dimrit. Do të afrojmë emra cilësorë, për të rritur cilësinë e lojës dhe mbi të gjitha realizojmë objektivin madhor. Kemi filluar me Idriz Bathën, që është një emër i njohur dhe ‘big’ në futbollin shqiptar. Me të u bë vërtetë një goditje e bukur dhe është një lojtar me shumë eksperiencë. Ai do ta ndihmojë shumë Flamurtarin. Po e shikojmë me kujdes.

Jemi duke folur me trajnerin dhe drejtuesit e tjerë për këtë pjesë. Po shikojmë çfarë na duhet dhe ku duhet të ndërhyjmë. Duhet të kemi idenë e qartë, se në cilat pozicione kemi nevojë. Duam që të krijojmë një ekip të fortë, fitues dhe konkurrues. Ideja është që të gabojmë sa më pak, në zgjedhjet që do të bëjmë. Duam që të afrojmë vetëm kualitete dhe jemi gati për ta nisur pjesën e dytë të sezonit. Rruga është e gjatë. Është një kampionat me shumë faza, kështu që do të mundohemi që të jemi sa më shumë konkurrues”, shprehet fillimisht drejtori sportiv i Flamurtarit.

LARGIMET – Duke folur për largimet, ai rrëfen se nuk iu përgjigjën pritshmërive të klubit dhe ishte ky shkaku që dolën nga lista. Paralajmëron se vendet e lëna bosh prej ikjeve, do të zëvendësohen nga kualitete. “Dikush do të largohej… Ecuria jonë deri tani nuk ishte ajo që ne mendonim. Në kësi kushtesh, e pamë të arsyeshme se duhet të bënim largime. Do t’i zëvendësojmë me lojtarë që kanë kualitet. I falënderojmë të gjithë ata që ishin pjesë e Flamurtarit dhe të shikojmë tani. Ne vazhdojmë rrugën tonë…”, shtoi Ferko.

KUNDËRSHTARËT – Ndalet edhe te synimet, duke saktësuar se klasifikimi është provizor dhe nuk i shqetëson. Beson fort se Flamurtari do të ngjitet më lart në tabelë. Ka edhe një mesazh për tifozët, të cilëve u kërkon që të jenë të duruar. “Kundërshtarët tanë njihen tashmë. Janë ata tashmë në vendet e para në klasifikim. Por më besoni, renditja është provizore. Pikët aty janë, ndaj ne do të vazhdojmë punën dhe luftën tonë. Falënderoj edhe tifozët që deri tani na kanë mbështetur dhe për çfarë kanë bërë deri tani për Flamurtarin. Por duhet që të kenë pak durim, sepse ditë më mira do të vijnë”, përfundon Ferko.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"