Zbardhet dosja “Çinari”, si FIFA dënoi Partizanin. Aneksi në kontratën e lojtarit merr në “qafë” të kuqtë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 22, 2020 | 0:25

Zbardhet dosja “Çinari”, si FIFA dënoi Partizanin. Aneksi në kontratën e lojtarit merr në “qafë” të kuqtë (E PLOTË)

Partizani i sezonit të ri ndodhet peng i dënimit të dhënë nga FIFA për federimin e Erald Çinarit në verën e 2018- ës. “Panorama Sport” në mënyrë ekskluzive e ka raportuar që më 16 korrik lajmin e ndëshkimit të “demave”, pasi Partizani kishte humbur gjyqin me Istran. Asokohe gazeta paraqiti kronologjinë e çështjes “Çinari”, ku dinamika e ngjarjeve, me intriga, mashtrime dhe transferime sa në një klub në një tjetër ishte i denjë për një skenar filmi.

Partizani Cinari

Së fundmi, FIFA në faqen e saj ka zbardhur vendimin e plotë dhe të argumentuar të çështjes “Çinari”. Në këtë vendim gjyqi jepet me saktësi dëmshpërblimi që kanë kërkuar kroatët e Istras, kronologjia e plotë e kalimit të Çinarit nga një ekip në tjetrin dhe letërkëmbimet mes klubeve, pagesa e 20 mijë eurove nga spanjollët e Alavesh në një llogari fantazmë në Itali për Vllazninë deri te federimi i shkodranit me të kuqtë.

Në konkluzionin përfundimtar, Dhoma e Zgjidhjeve së Konflikteve në FIFA ka konsideruar pjesërisht të mirëqenë pretendimet e Istras, që është paditësi në këtë rast, ndërsa Erald Çinari është i padituri numër një, Partizani i padituri numër dy, ndërsa Vllaznia ka qenë në këtë proces si pjesë ndërhyrëse ku ka paraqitur në gjyq vetëm kontratën që ka pasur me lojtarin, gjë e cila solli edhe bllokimin e transferimit në Spanjë dhe Kroaci dhe më pas e shiti.

Në pjesën hyrëse të dosjes sqarohet se Partizani ka pagur 40 mijë euro te shkodranët për kartonin e Çinarit, kur dihet se më 29 korrik 2018 Vllaznia kishte fituar gjyqin me sulmuesin në DHZK-në pranë FSHF-së.

erald cinari

PRETENDIMET E ISTRAS

-Më 7 shkurt 2019, paditësi (Istra) paraqiti një kërkesë para FIFA-s kundër lojtarit dhe Partizanit për shkelje të kontratës. Paditësi ka deklaruar se lojtari me autorizimin e tij, pas disa javësh stërvitje, në gusht u kthye në Shqipëri për arsye familjare, por disa javë më vonë ka mësuar se ai ka nisur të luante me Partizanin duke mos ua komunikuar zyrtarisht për përfundimin e njëanshëm të kontratës.

Pas shumë argumentesh dhe provash të paraqitura në proces, në fund Istra ka kërkuar që të dëmshpërblehej nga paditësit me shumën 220 mijë euro, të cilën e justifikojnë kështu: 150,000 euro është shuma që do t’i ishte paguar lojtarit; 20,000 euro për shumën e paguar nga Alavesh për lëshimin e lojtarit; 50,000 euro për shkelje të kontratës gjatë periudhës së mbrojtur. Gjithashtu kanë kërkuar sanksione për lojtarin dhe Partizanin si përgjegjës dhe ata të paguajnë kostot e procesit.

cinari bardhi

POZICIONI I LOJTARIT

Erald Çinari ka kundërshtuar kërkesën e paditësit dhe për transferimin e dështuar tek Alavesh është informuar nga Vllaznia. Lojtari ka pohuar se i ishte thënë se do të huazohej për një vit dhe mori një kontratë të cilën kërkoi që t’ia përkthenin se ishte në spanjisht dhe kroatisht, por nuk iu realizua kjo gjë. Çinari ka njoftuar klubin kroat ku ishte huazuar se duhej të kthehej te Vllaznia, pasi nuk po i jepnin dokumentet dhe më pas ka firmosur me Partizanin. Lojtari ka pohuar se gjithnjë kartoni i tij në atë kohë ka qenë në pronësi të Vllaznisë. Çinari nuk bëri ndonjë kërkesë të veçantë për lehtësim në këtë proces.

POZICIONI I PARTIZANIT

Roli që ka pasur Partizani në këtë proces ka zënë një hapësirë të madhe në vendimin e argumentuar nga FIFA. Të kuqtë kanë sqaruar gjithë rrugën që kanë ndjekur nga blerja e kartonit të lojtarit te Vllaznia, deklarata e palëve se nuk kanë probleme me të tretë. Partizani ka argumentuar se e ka marrë të pastër kartonin e lojtarit, pasi nuk kishte nënshkruar me palë të tretë. Pasi është vënë në dijeni nga FIFA për kërkesën në fjalë, Partizani ka kontaktuar me FSHF-në, e cila i ka komunikuar se nuk ka pasur asnjë kërkesë nga ndonjë federatë ndërkombëtare për lirimin e lojtarit nga 1 qershori31 gusht 2018.

FAKSIMILE CINARI

Kështu që Partizani nuk ka pasur mundësi që ta faktojë se lojtari ka firmosur me ekip tjetër, pasi ka qenë vetëm një raportim në mediat spanjolle që Çinari është bashkuar me një ekip spanjoll. Partizani është i mendimit se kërkesa e paditësit është plotësisht e papajtueshme, pasi transferimin e kanë bërë nga Vllaznia, ndaj pretendimet duhet të jenë ndaj atyre që ua kanë blerë kartonin dhe jo ndaj Partizanit. Në fund, Partizani pretendoi se kishte vepruar me kujdes maksimal në lidhje me negociatat me Vllazninë. Partizani nuk e ndien veten përgjegjës dhe as nxitës që lojtari të largohej nga Kroacia.

POZICIONI I VLLAZNISË

Vllaznia, nga ana e saj, nuk bëri parashtresa thelbësore. Ajo është mjaftuar vetëm në paraqitjen e kopjeve të kontratës së punës me lojtarin dhe marrëveshjen e transferimit të lojtarit te Partizani.

ARSYETIMI I DHZK NË FIFA

Dhoma duke mbajtur parasysh faktet në lidhje me transferimin e lojtarit në Alavesh, vëzhgoi se çështja nuk ka prova të mjaftueshme në mbështetje të fakteve që rrethojnë lojtarin, marrëdhënie me një klub të tillë që palët i sollën përpara. Në veçanti, dokumentacioni në dispozicion u konstatua nga Dhoma të ishte me mungesa dhe jo në përputhje. Si pasojë, Dhoma ishte e paqartë nëse ekzistonte një transferim i tillë. Duke analizuar faktet, e ka quajtur transferim të dështuar, pasi nuk ekzistonte kontrata e punës për të luajtur në Alavesh.

Më pas janë analizuar pretendimet e paditësit, Istra, dhe dy të paditurve, Erlad Çinari dhe Partizani, duke pranuar por edhe anashkaluar pjesërisht argumente dhe pretendime të palëve. Dhoma u pajtua me faktin se lojtari kishte shkelur kontratën me paditësin pa shkaqe të drejta. Dhoma kujtoi se ishte detyrë e Partizanit që të interesohej dhe të pyeste më gjerë për çështjen dhe të mos mjaftohej duke pyetur vetëm FSHF-në. Dhoma vuri në dukje se përmbajtja e klauzolës së futur në aneksin e marrëveshjes së transferimit, demonstron se Partizani e dinte, të paktën në njëfarë mase, se mund të mbajnë përgjegjësi për punësimin e lojtarit duke krijuar një garanci për vete duke i transferuar pasojat te lojtari dhe Vllaznia. Gjithsesi, Dhoma ka pranuar se Partizani është pronari i lojtarit, ndërsa Vllaznia mban përgjegjësi vetëm për transferimin e Çinarit te të kuqtë.

VENDIMI PËRFUNDIMTAR

1. Kërkesa e NK ISTRA 1961, është pranuar pjesërisht.

2. I Padituri 1, ERALD CINARI, duhet t’i paguajë Paditësit brenda 30 ditëve nga data e njoftimit të këtij vendimi kompensimin për shkeljen e kontratës në shumë prej 83,150 euro.

3. I Padituri 2, FK PARTIZANI, është përgjegjës bashkërisht dhe veçmas për pagesën e lartpërmendur.

4. Çdo kërkesë tjetër e paraqitur nga Paditësi është refuzuar.

5. Paraqitësi i kërkesës është drejtuar të informojë të Paditurin 1 dhe të Paditurin 2, menjëherë dhe drejtpërdrejt, mundësisht në adresën e postës elektronike, të llogarisë përkatëse bankare të cilës i Padituri 1 dhe i Padituri 2 duhet të paguajnë shumën e përmendur më sipër.

6. I Padituri 1 dhe i Padituri 2 sigurojnë dëshmi të pagesës së shumës së duhur në përputhje me pikën IV.2. te FIFA në adresën e postës elektronike [email protected], e përkthyer siç duhet në një nga gjuhët zyrtare të FIFA (anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht).

7. Nëse shuma e lartpërmendur nuk është paguar brenda afatit të sipërpërmendur, çështja aktuale do t’i paraqitet, sipas kërkesës, Komisionit Disiplinor të FIFA për shqyrtimin e tij.

8. Një kufizim prej katër muajsh për të luajtur në ndeshjet zyrtare i imponohet të Paditurit 1, ERALD CINARI. Ky sanksion vlen me efekt të menjëhershëm që nga data e njoftimit të vendimit aktual. Sanksionet sportive mbeten të pezulluara në periudhën midis ndeshjes së fundit zyrtare të sezonit dhe ndeshjes së parë zyrtare të sezonit tjetër, në të dyja rastet përfshirë Kupat kombëtare dhe kampionatin si dhe pjesëmarrjet ndërkombëtare për klube.

9. I Padituri 2, FK PARTIZANI, do të ndalohet të regjistrojë lojtar të ri kombëtar ose ndërkombëtar, për dy periudhat e njëpasnjëshme të regjistrimit të lojtarëve në merkato.

10. Asnjë kosto procedurale nuk u imponohet palëve.

ILIR CARA-PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"