Yjet e Premier Ligës me pushime, shtëpitë i mbrojnë me… ushtarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2022 | 23:35

Yjet e Premier Ligës me pushime, shtëpitë i mbrojnë me… ushtarë

Me Premier Ligën që pushon këto dy javë pa asnjë aktivitet, shumë prej futbollistëve i janë drejtuar destinacioneve të ngrohta për të rikarikuar bateritë duke qenë se nuk ka më asnjë aktivitet deri në javën e parë të muajit shkurt. Një mes tyre është edhe Kristiano Ronaldo, i cili përshëndeti ndjekësit e tij në rrjetet sociale ditën e martë me një postim nga një vend ekzotik, i cili mbetet ende mister.

ronaldo

Duke shijuar lëngun e një arre kokosi dhe rrezet e diellit, sulmuesi i Mançester Junajtidit nuk e ka lënë aspak pas dore edhe regjimin e tij. Ai ka marrë me vete fizioterapistin Havier Santamaria, i cili e shoqëron që prej kohëve të tij te Reali i Madridit edhe kur futbollisti është me pushime. Shokët e skuadrës së portugezit, Herri Meguajër, Markus Rashford dhe Diogo Dalot iu drejtuan Dubait mbrëmjen e së shtunës, pak orë pasi përfundoi edhe ndeshja e fundit kundër Uest Hemit.

KOKËN PAS – “Daily Mail” raporton se shtëpitë e lëna bosh nga një numër i konsiderueshëm futbollistësh në Angli gjatë këtyre ditëve do të bëhen objekt grabitjesh. Por ata i kanë marrë masat për t’i shpëtuar surprizave të papritura ndërsa janë me pushime. Shumë prej tyre kanë punësuar ish-ushtarë të forcave elitare britanike për të ruajtur pasuritë e tyre.

Viktima e fundit e grabitjes u bë Viktor Lindelof, ku një bandë kriminale hyri për të vjedhur në banesën e tij ndërsa ai ishte në fushë me Mançester Junajtidin duke luajtur kundër Brentfordit. Familja e tij përjetoi momente tmerri, ndërsa gruaja dhe fëmijët u fshehën në një dhomë të panikosur. Ky ishte vetëm incidenti i fundit, ndërsa në dhjetor “viktimë” u bë edhe shtëpia e mbrojtësit të Mançester Sitit, Zhoao Kanselo, i cili u sulmua përpara familjarëve të tij dhe iu vodhën bizhuteritë.

Këto sulme që po bëhen gjithnjë e më të shpeshta ndaj yjeve të Premier Ligës kanë bërë që ata të rrisin vigjilencën për të mbrojtur veten, familjen dhe shtëpitë e tyre. Ata i janë drejtuar kompanive të sigurimit, shumë prej të cilave kanë të punësuar ish-ushtarakë të forcave elitare britanike. Situata e sigurisë është përkeqësuar aq shumë këto kohët e fundit, veçanërisht në klubet veriperëndimore të Anglisë, të cilat kanë diskutuar dhe ndajnë informacione për mënyrat sesi të luftojnë krimin. Futbollistët kanë blerë edhe qen roje të stërvitur, të cilët patrullojnë bashkë me ushtarët në perimetrin rreth shtëpisë.

Dy klubet e Mançesterit kanë folur me lojtarët në lidhje me këtë shqetësim, ndërsa Evertoni, Liverpuli dhe Bërnlej janë pjesë e klubeve të shqetësuara që vazhdojnë të diskutojnë për masat që duhen marrë për të luftuar krimin. Disa prej skuadrave janë aq të shqetësuara për sigurinë sa kanë vendosur që të mos i japin më informacion specifik mediave për lëvizjet e futbollistëve të tyre në transfertë.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"