Xhejms: Salihin nuk e kaloj dot, është një përbindësh golash

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 11, 2016 | 10:04

Xhejms: Salihin nuk e kaloj dot, është një përbindësh golash

Debutimi me gol dhe asist ka qenë perfekt për Xhejms Adenijin te Skënderbeu. Sulmuesi nigerian ishte goditja e madhe e merkatos së janarit dhe që në ndeshjen e parë ndaj Kukësit i përmbushi të gjitha pritshmëritë.xhejms Dje, në një intervistë për “Panorama Sport”, nigeriani ka folur rreth përshtatjes së shpejtë në sulmin e Skënderbeut, synimet e tij, titullin kampion, por jo vetëm.

Xhejms ka thënë ndër të tjera se heq dorë që tani nga “Këpuca e Artë”, pasi nuk e kalon dot Salihin. Autori i 10 golave në këtë kampionat është i bindur se Skënderbeu do të fitojë sërish titullin, duke mos i lënë asnjë shans Partizanit.

Keni bërë një debutim fantastik me Skënderbeun, ishte e pritshme për ju apo mendonit se nuk do ta nisnit me gol?

Të jem i sinqertë, nuk e kisha menduar asnjëherë se që në ndeshjen time të parë me Skënderbeun do të bëja një paraqitje kaq të mirë dhe madje të shënoja ndaj Kukësit.

U përshtatët shumë shpejt me ekipin, kush ua lehtësoi?

Unë kam punuar shumë që në ditën e parë, me qëllim që të kuptoj mënyrën e lojës së Skënderbeut. Jam përpjekur që çdo moment të kuptoja se çfarë lëvizje bënte Salihi, në mënyrë që të kishim një komunikim më të mirë në fushë. Mundohesha ta ndiqja në stërvitje në të gjitha lëvizjet, por të lehtë përshtatjen ma bëri fakti që trajneri na la të punonim gjithmonë bashkë në stërvitjet para ndeshjes me Kukësin.

Josa ju konfirmoi titullar pa ardhur mirë në skuadër. Njëfarë lehtësimi për ju ky besim i madh i trajnerit?

Jo, ka qenë më shumë presion për mua, sesa lehtësim, pasi e dija që po më jepej një mundësi e madhe dhe nuk duhet të zhgënjeja. Por, ma merr mendja se nuk është e vendosur se unë do të jem titullar i pazëvendësueshëm. Duhet që unë ta bind në stërvitje me ato që tregoj për të mbajtur vendin. Gjithsesi, ndihem i vlerësuar. Ndoshta ajo që e ka bindur më shumë trajnerin ka qenë fakti që vija nga një ekip i Superiores dhe e njoh shumë mirë kampionatin apo mënyrën e lojës.

Te Skënderbeu keni gjetur disa sulmues, ndiheni nën presion se mund ta humbni vendin në formacion?

Jo, aspak. Që në momentin që vendosa të vija te Skënderbeu, e dija se ishin pesë sulmues në ekip, por mua më pëlqejnë sfidat. Nuk më ka bërë aspak të dyshoj në këtë kalim fakti që sulmuesit e Skënderbeut ishin të shumtë në numër, por edhe cilësorë, pasi e dija që të tilla situata të bëjnë gjithmonë të preokupohesh dhe të japësh më të mirën.

Nga Laçi me synimet për Europë dhe Kupën, tashmë jeni në një klub që synon titullin e gjashtë radhazi. Si e shikoni rivalitetin për kreun?

Mendoj se po bëhet një luftë e fortë mes Skënderbeut dhe Partizanit, ku rivaliteti ka qenë i madh në këto javë të kampionatit. Po shikoj që edhe Tirana është fuqizuar shumë dhe bashkë me Kukësin besoj se do të jetë në garë deri në fund. Pra, nuk besoj se do të jemi vetëm ne dhe Partizani deri në fund, pasi ka edhe shumë pikë përpara.

Partizani ndjekës shkon në Shkodër, mendoni se pas Skënderbeut mund të ndalen edhe të kuqtë nga Vllaznia?

Unë e kam parë atë takim dhe Vllaznia ishte një ekip i mirë që luftoi kundër Skënderbeut, duke fituar me meritë. Besoj se edhe Partizani nuk do ta ketë të lehtë, por megjithatë do të përqendrohemi vetëm në punën tonë.

Në gjykimin tuaj, Skënderbeut i rrezikohet froni?

Nuk e thashë këtë. Unë që në momentin që pranova të vija në Korçë ishte një faktor që doja të shpallesha kampion dhe te Skënderbeu është vendi i duhur për të fituar titullin. Besoj se nuk do t’u japim mundësi ekipeve që të na marrin titullin. Një gjë e tillë arrihet vetëm me përqendrim dhe seriozitet në çdo takim.

Keni shkuar në kuotën e 10 golave, e synoni “Këpucën e Artë”?

Ky është një objektiv shumë madhor kur ke një kundërshtar si Salihi. Unë do të mundohem të shënoj sa më shumë gola që të jetë e mundur, por nuk besoj ta arrij Salihin. Ai është një përbindësh golash, por gjithsesi rëndësi ka që të dy trofetë do të jenë të Skënderbeut.

Të shtunën luani në Pukë, formalitet apo e mendoni ndryshe?

Nuk ka më ndeshje të lehta, kështu që e parashikoj të vështirë. Duhet të jemi të përqendruar dhe të luajmë mirë për të marrë fitoren. Besoj se do t’ia arrijmë, duke dalë me tri pikë ndaj Tërbunit.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"