Xhejms drejt operimit, Canka: Kalendar delikat, por Lushnja ia del në Elbasan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 31, 2024 | 13:39

Xhejms drejt operimit, Canka: Kalendar delikat, por Lushnja ia del në Elbasan

Lushnja ka mbyllur përgatitjet për ndeshjen me Elbasanin, që do ta luajnë sot në mbrëmje në orën 19:00, në “Elbasan Arena”. Fitorja me Vorën u dha qetësinë e duhur lushnjarëve, por skuadra e Maganit ka ende nevojë për pikë. Verdhejeshilët janë të pozicionuar në vendin e shtatë, me pikë të barabarta me Burrelin. Për momentin ndodhen 6 pikë larg nga zona “play off” dhe 4 pikë mbi zonën “play out”.

Canka

Në një prononcim për “Panorama Sport”, kapiteni dhe golashënuesi më i mirë i lushnjarëve, Mikel Canka flet për fitoren me Vorën, si dhe sposton vëmendjen te kjo betejë e radhës ndaj kryesuesve. “Fitorja me Vorën na qetësoi, por futbolli të mban të karikuar dhe sipas meje bëhet fjalë për vetëm dy-tri ditë. Kemi punë për të bërë dhe pikë për të marrë. Do të luajmë një transfertë shumë të vështirë në Elbasan dhe do të shkojmë për të dhënë më të mirën tonë atje. Kemi një kalendar të vështirë, sepse pas Elbasanit presim Bylisin. Duhet të jemi shumë të mobilizuar që në këto përballje të marrim rezultate pozitive”, tha kapiteni Canka, që para një muaji festoi 37-vjetorin.

Pavarësisht kësaj, Canka vijon të shënojë për Lushnjën duke shkuar në kuotën e 9 golave. Dopieta me Vorën ishte e treta për të këtë sezon. “E kam nisur shumë mirë kampionatin me një dopietë kundër Besës. Kam qenë vendimtar në 3-4 ndeshjet e para, por më pas pësova një dëmtim në gju. Kisha besimin se do të kthehesha aty ku e lashë. Në momentin e parë që u rikuperova isha po i njëjti, vendimtar para portës. Shpresoj të jem kështu deri në fund të kampionatit”, deklaroi kapiteni Canka.

MUNGESAT – Lushnja ka disa mungesa për ndeshjen me Elbasanin. Portieri Oltjan Haremi dhe mesfushori Henri Sulovari janë të skualifikuar. Andoni dhe Muça vijojnë të jenë të dëmtuar, ndërsa Disha është në dyshim. Një mungesë tjetër është edhe ajo e sulmuesit nigerian, Xhejms Ajinde, për arsye shëndetësore. Gazeta ka mësuar nga burime pranë klubit se ai pritet t’i nënshtrohet një operacioni në ditët në vijim.

lush

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"