Xhani: Partizanit i takon kryeqyteti, Tirana nuk duhet ta diskutonte

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2017 | 18:48

Xhani: Partizanit i takon kryeqyteti, Tirana nuk duhet ta diskutonte

Albert Xhani, ish-presidenti i Partizanit, e ka cilësuar joserioze situatën e krijuar së fundmi për stadiumin mes Tiranës dhe të kuqve. Ai thotë ekskluzivisht për “Panorama Sport” se Partizani e ka vendin në kryeqytet dhe se bardheblutë duhej që të kishin vepruar me kohë si klub i madh.

xhani

“Është në nderin e Tiranës që Partizani të luajë në kryeqytet, aty ku u takon të luajnë dy klubet më të lavdishme të Shqipërisë. Pavarësisht se Partizani ndeshjet më të mëdha, por edhe ku ka pasur më shumë fat, i ka zhvilluar në ‘Qemal Stafa’, sot i takon që të luajë në stadiumin ‘Dinamo’.

Mendoj se të mëdhenjtë mbeten të mëdhenj edhe kur janë rivalë. Një klub me staturën e tyre nuk kish pse diskutonte nëse do hapte dyert apo jo. Rivaliteti është në fushë, jashtë saj ka vetëm respekt. Jemi me fat që jetojmë në kohën e këtyre dy klubeve të mëdha dhe, e përsëris, se i madhi mbetet i madh, pavarësisht momentit”, ka deklaruar Xhani.

Muzaka

Nuk mund të mos komentonte edhe situatën e ish-beniaminit të tij, Gjergj Muzaka, i cili u divorcua nga Tirana me një sërë polemikash. Albert Xhani u prek tej mase kur, dy vite më parë, Muzaka u prezantua te Tirana dhe deklaroi publikisht se kishte qenë gjithë kohën tifoz i Tiranës. E, megjithatë, ai e vlerëson mesfushorin si një nga më të mirët e kampionatit, por thotë se do ishte bërë kapiten vetëm te Partizani.

“Gjergji është një futbollist i madh dhe një djalë i mirë, por lider nuk u bë dot kurrë. Mendimi im i pandryshuar është që lider bëhesh aty ku lind dhe rritesh dhe jo në vend tjetër. Muzaka është ndër më të mirët e kampionatit shqiptar dhe unë nuk e kam fshehur asnjëherë vlerësimin për të, por ama lider nuk u bë dot kurrë”, deklaroi Xhani.

I pyetur nëse ka ndër mend apo jo të rikthehet aktiv në futbollin shqiptar në të ardhmen, Xhani refuzoi të jepte një përgjigje, duke u mjaftuar vetëm me çështjen e stadiumit dhe atë të Muzakës.

Armand Halili

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"