Xhaferi zbulon planin, Vllaznia mbetet në ajër: Duhet bashkëpunim me bashkinë, por të presim mbijetesën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 14, 2020 | 11:49

Xhaferi zbulon planin, Vllaznia mbetet në ajër: Duhet bashkëpunim me bashkinë, por të presim mbijetesën

Biznesmeni Alban Xhaferi, personi që ka nënshkruar marrëveshjen me drejtuesit e Bashkisë së Shkodrës për sponsorizimin e klubit të Vllaznisë, ka sqaruar pozicionin që do të ketë në të ardhmen dhe kontributet që do të japë te klubi kuqeblu. Megjithatë, ai nuk është i qartë për mënyrën se si do të funksionojë klubi, dhe situata duket sërish e paqartë për të ardhmen. Xhaferi shpjegon se cila do të jetë pesha e tij në vendimmarrjen e klubit të Vllaznisë për vazhdimësinë e klubit.ALBAN XHAFERI

Z. Xhaferi, si pritet që të funksionojë klubi në të ardhmen?

E kam thënë dhe e ritheksoj se momentalisht jemi të fokusuar te mbyllja e këtij sezoni, pastaj do të merremi vesh edhe për të tjerat. Por dua të them se klubi do të funksionojë sërish si sh.a., që do të drejtohet me një bashkëpunim dypalësh: me një grup pune mes Bashkisë dhe firmës që unë operoj. Në këtë bashkëpunim do të shikohen procedurat e tjera dhe mënyra se si do të gjejmë gjuhën e përbashkët.

Sa do të jetë investimi juaj dhe sa ai i Bashkisë?

Momentalisht nuk bëhet fjalë për shuma, por unë do të thosha se bashkia do të jetë sërish pjesë e klubit dhe unë do të kem përqindjen time në këtë mbështetje. Gjithçka do të varet nga objektivat që do të vëmë ne si grup drejtues për këtë ekip. Kemi të bëjmë me rregulla biznesi dhe do të shikojmë se si do të ecin punët dhe pastaj do të bëjmë investimet tona.

Po për sa i përket vendimmarrjes?

Mbetet për t’u parë. E thashë edhe më lart se në radhë të parë do të shikojmë të mbyllim dhe të mbijetojmë në Kategorinë Superiore, pastaj të shikojmë të tjerat.

Po nëse ekipi bie?

Kjo nuk ka qenë e parashikuar në marrëveshje, por them se do të ketë një shtesë në marrëveshje ku do të përcaktohet edhe kjo si një pikë. Nuk është njëlloj investimi si në Kategorinë e Parë dhe si në Superiore.

Alban Xhaferi

Kush do të jetë vendimmarrësi në klub?

E thashë edhe më lart që do të ketë bashkëpunim. Në një sh.a, nuk ka president, pasi në raste të tilla ky emër është thjesht prestigjioz. Edhe sikur të kem 70% të aksioneve, sërish do të jetë një administrator që do të drejtojë ekipin.

Do të jetë një administrator që do të përzgjidhet nga ju, apo do të administrohet nga dy persona?

Për mua nuk kanë rëndësi emrat, por them se e drejta për të administruar dy lloj parash (në rastin konkret të Bashkisë dhe ato që do të investohen nga ana jonë) do të kërkojë një administrator. Nuk preferoj të them emra tani, por duhet të ketë një emër të pëlqyer nga të gjithë.

Po për sa i përket borxhit?

Nuk kemi bërë asnjë veprim në këtë drejtim. Nuk është pjesë e kësaj marrëveshjeje. Ne do të financojmë këtu sipas rregullave të biznesit. Do të bëjmë më të mirën për këtë klub, duke hedhur hapat e duhura.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"