Xhafaj: Në Vlorë nuk dinë t’i vlerësojnë talentet, bëjnë merkato vetëm në numra

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 26, 2017 | 14:09

Xhafaj: Në Vlorë nuk dinë t’i vlerësojnë talentet, bëjnë merkato vetëm në numra

Ish-sulmuesi vlonjat, Daniel Xhafaj, është shprehur kundër largimit të lojtarëve vendas nga skuadra e Flamurtarit për sezonin e ardhshëm.

Xhafaj Flamurtari

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai është shprehur se dikush në klub ka alergji nga futbollistët vlonjatë, ndërkohë që thekson se për momentin merkato është bërë në numër, ndërsa në cilësi do të mbetet për t’u parë në fushën e lojës.

Xhafaj

 

Ai gjithashtu shton se skuadra do të shihet në momentin që do t’i duhet të menaxhojë situatat e vështira, pasi, kur rezultatet janë pozitive, nuk ka probleme.

Daniel, Flamurtari ka bërë shumë blerje në këtë merkato, si e vlerësoni këtë fakt?

Po, e kam ndjekur merkaton që Flamurtari ka bërë. Mund të them se klubi ka bërë merkato në numër, por cilësia mbetet për t’u parë në vazhdim. Koha do të tregojë gjithçka.

Janë larguar edhe shumë lojtarë vendas. Si e shihni një lëvizje të tillë?

Po, çfarë të them për sa i përket kësaj pyetjeje! Nuk e di kush ka alergji prej futbollistëve me origjinë nga Vlora. Por një gjë është fakt. Me largimin nga Vlora, u bëjnë nder sepse kudo ata shkojnë spikasin dhe tregojnë vlerat më të mira të tyre. Me sa duket, specialistët nuk dinë t’i menaxhojnë si duhet talentet dhe shembulli konkret është Dejvi Bregu.

Do të thotë se është gabuar në këtë drejtim?

Pozitiv është fakti që në stafin teknik është Taqo Bifsha. Ai e do me zemër Flamurtarin dhe kjo është pozitive.

Ekipi ka një grup të ri, mendoni se do të përshtaten shpejt me lojën e njëri-tjetrit?

Po, është e vërtetë që duan pak kohë që të përshtaten. Kjo do të mbetet për t’u parë. Por faktori kohë nuk duhet mohuar. Lojtarët kanë nevojë për kohë.

Sa larg do të shkojë kjo skuadër?

Nuk e di çfarë objektivash ka klubi. Mbetet për t’u parë menaxhimi i mirë i situatave të vështira. Atëherë arrihen objektivat, sepse kur ekipi arrin rezultatet e duhura çdo gjë shkon mirë.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"