Vucaj, flirt me vlonjatët: Dua të rri edhe një vit, nuk do të humbim çdo ndeshje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 11, 2015 | 12:00

Vucaj, flirt me vlonjatët: Dua të rri edhe një vit, nuk do të humbim çdo ndeshje

Vucaj dhe Mici te Flamurtari

Erjon Vucaj nuk bën polemika për lënien në stol. Edhe pse vetë administratorit Sinan Idrizi i bëri përshtypje kjo gjë dhe i kërkoi llogari trajnerit Ramela, shkodrani i vlonjatëve thekson se nuk është i shqetësuar dhe se gjithçka është zgjedhje e trajnerit, ndaj nuk pranon të komentojë një vendim të tillë.

Gjatë një bisede me “Panorama Sport”, Vucaj deklaroi se nuk ka asnjë problem me stafin teknik, por ky vendim, sipas tij, mund të merret vetëm si pasojë e aktivizimit të lojtarëve të rinj të akademisë.

“Ato janë vendime të trajnerit dhe nuk më takon mua që t’i komentoj. Thjesht i respektoj këto vendime. Mirëpo, edhe dua të theksoj se kam pasur një komunikim me trajnerin dhe kemi gjetur konsensus mes palëve. Mosdhënia e minutave për ne lojtarët që kemi luajtur gjatë gjithë kohës në formacion, ndoshta ka ardhur për shkak të aktivizimit të lojtarëve të rinj. Politika e klubit është që t’u jepet hapësirë edhe të rinjve dhe ky është edhe shkaku që ne ndoshta aktivizohemi më pak. Dua të theksoj se si me trajnerin Ramela, ashtu edhe drejtuesit e klubit, marrëdhëniet i kam shumë të mira dhe nuk ka vend për diskutim për këtë çështje”, ka thënë Vucaj.

E ardhmja

Mesfushori Erjon Vucaj shpreh dëshirën e tij për të qëndruar edhe sezonin e ardhshëm te Flamurtari. Ai thekson se ka një kontratë me Flamurtarin, të cilën dëshiron që ta respektojë atë deri në fund, por sipas tij pjesa tjetër u përket edhe drejtuesve të klubit. “Unë kam një kontratë me Flamurtarin dhe dua që ta respektoj deri në fund. Dëshira është që të qëndroj sa më gjatë në Vlorë. Pra, dua që të jem këtu edhe për sezonin e ardhshëm, pasi Flamurtari është një klub i madh dhe me emër. Mirë- po, nuk varet vetëm nga unë, janë edhe drejtuesit në këtë mes. Gjithsesi, unë jam i gatshëm të vijoj të jap kontributin tim këtu sa më gjatë”, thotë Vucaj.

Objektivi

Duke u ndalur te situata aktuale e Flamurtarit, mesfushori Erjon Vucaj theksoi se çdo ndeshje duhet të shikohet si finale. “Nuk ka ndeshje të lehta për Flamurtarin. Të gjitha takimet janë të vështira dhe duan përqendrim maksimal. Duhet ta vlerësojmë shumë ndeshjen me Apoloninë, do të jetë e vështirë. Deri në fund, të gjitha ndeshjet që do të luajmë duhet të jenë si finale. Nuk na tolerohen më gabimet. Kemi dalë nga objektivat, por kjo s’do të thotë që të shënojmë humbje radhazi”, përfundoi Vucaj.

Përgatiti: Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"