Vora fitoi në Peshkopi, Arbëri i surprizuar nga trepikëshi. Kumbarçe: S’luajtëm mirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2024 | 23:15

Vora fitoi në Peshkopi, Arbëri i surprizuar nga trepikëshi. Kumbarçe: S’luajtëm mirë

Korabi u mund në shtëpi përballë Vorës në shifrat 1-2. Dibranët vinin në këtë takim me shumë mungesa, ku 5 titullarë ishin me gjendje gripale. Përpos mungesave, loja ishte e ekuilibruar dhe fati i ndeshjes u vendos në kohën shtesë për Vorën.

korabi vora

Ndeshja nisi si e barabartë nga të dy ekipet. Korabi tentoi i pari, por ishin miqtë ata që kaluan të parët në avantazh, ku në minutën e tetë realizon Shani për Vorën. Pas pësimit të golit, Korabi hidhet i tëri në sulm për të barazuar rezultatin. Në të 32-ën, kapiteni Sokol Mziu shënon një eurogol direkt nga goditja e këndit. Një gol i rrallë dhe pas barazimit, të dy ekipet provojnë të kalojnë në avantazh. Pjesa e parë u mbyll në shifrat 1-1. E dyta nis me ndryshime për vorakët. Raboshta dhe Prengaj i afrohen disa herë portës, por edhe Korabi provon me Çemën, Bucin dhe Mziun, por pa rezultat.

Në të 75-ën ka momente paniku në fushë, pasi futbollisti i Vorës Franklin Ntepe pëson një dëmtim  të rëndë pas një përplasjeje me një futbollist vendas. Afrikanit iu dha ndihma e parë në fushë për pesë minuta nga mjekët e të dyja skuadrave dhe më pas u shoqërua me ambulancë për në spitalin rajonal të Peshkopisë. Loja u ndërpre deri në ardhjen e ambulancës në stadium.

Më pas luhen minutat e mbetura, ku miqtë nga Vora në  minutën e dytë shtesë shënojnë golin e dytë dhe të fitores me anë të Xhebrahimit. Vendësit protestojnë te kryesori Prenga, pasi lojtarët e Vorës e godasin topin nga goditja e dënimit pa sinjalizuar gjyqtari. Vora doli fitimtare nga Peshkopia duke marrë tri pikë të çmuara. Për Korabin ishte një dështim në fushën e tij, duke lënë të pakënaqur tifozët dibranë.

Kumbarçe: S’luajtëm mirë

Shpend Kumbarçe, trajneri i Korabit, pas ndeshjes u shpreh: “Më vjen keq që nuk fituam. Ndonëse kishim 5 mungesa, skuadra nuk luajti mirë. Ndërsa kundërshtari diti të administrojë lojën dhe të kalonte i pari në avantazh. Megjithatë, lojtarët e Korabit reaguan dhe baraspeshuan rezultatin me Sokol Mziun. Ishte një supergol. Mziut, por dhe portierit Qyrani unë i vë notën 10 në këtë takim”.

Arbëri i surprizuar nga fitorja

Vora mori një trepikësh me vlera në Peshkopi. Klodian Arbëri, trajneri i Vorës, pas fitores me Korabin, për ”Panorama Sport” tha: “Nuk e kisha parashikuar që do të fitoja në Peshkopi, pasi Korabi ka një ekip të mirë. Por si duket, dibranët nuk ishin në ditën e tyre më të mirë dhe ne përfituam nga kjo. Arritëm të fitonim, por do të duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të përgatisim takimin e radhës.”

FATMIR ZHUZHI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"