Matematikisht kanë mundësi shpëtimi në Berat. Kapiteni Canka jep garanci për mbijetesën e Lushnjës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 8, 2024 | 13:11

Matematikisht kanë mundësi shpëtimi në Berat. Kapiteni Canka jep garanci për mbijetesën e Lushnjës

Lushnjarët kanë mbyllur përgatitjet për ndeshjen me Tomorin, që do ta luajnë sot në orën 16:00 në Berat. Skuadra e drejtuar nga trajneri Gugash Magani do të luajë 90 minutat e fundit të kampionatit të sezonit të rregullt dhe mundësitë e Lushnjës për mbijetesë direkte janë thjeshtë matematike.

canka

Me përfundimin e kampionatit, lushnjarët presin të dalin edhe zyrtarisht në “play out”. Mbijetesa e verdhejeshilëve pritet të kalojë nga ndeshja shtesë. Lushnjarët morën vetëm një pikë, në dy ndeshjet e fundit pa realizuar gol, duke humbur vendin e 7-të dhe të 8-të, si dhe mundësinë për të siguruar mbijetesën me përfundimin e sezonit të rregullt. Në ndeshjet e fundit lushnjarëve u kanë munguar dy golashënuesit më të mirë të skuadrës, Mikel Canka dhe Xhejms Ajinde, që së bashku kanë shënuar 16 gola ose 45% të gola të skuadrës. Ajinde, autori i shtatë golave, mungon që nga ndeshja me Flamurtarin. Nigeriani kaloi me sukses një operacion dhe i ndjek ndeshjet nga tribuna.

Ndërsa kapiteni Canka, që është dhe shënuesi më i mirë i skuadrës me 9 gola, nuk ka luajtur në dy ndeshjet e fundit. “U dëmtova në Burrel në pulpën e këmbës së majtë dhe për këtë arsye nuk kam luajtur. Barazuam me Kastriotin dhe tani ne do të luajmë një ndeshje shtesë, për qëndrimin në Kategorinë e Parë. Bëmë një ndeshje shumë të mirë dhe ta shikosh nga jashtë, një futbollist vuan shumë. Kemi luajtur mirë dhe kemi pasur një përkrahje shumë të madhe nga publiku, që e falënderojmë. Kam bindje se do të rikuperohem për ndeshjen shtesë. Besoj se koha për t’u rikuperuar do të më mjaftojë. Do të bëj gjithçka që të jem në një ndeshje kaq të rëndësishme, ku luhet i gjithë sezoni ynë”, tha kapiteni Canka për “Panorama Sport”.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"