VOLEJBOLL MESHKUJ/ Liga Gjergj Kastrioti mbyll sfidat e ditës 5. Partizani, Tirana dhe Peja në fazën finale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2024 | 17:55

VOLEJBOLL MESHKUJ/ Liga Gjergj Kastrioti mbyll sfidat e ditës 5. Partizani, Tirana dhe Peja në fazën finale

Liga Gjergj Kastrioti e volejbollit të mesh kujve ka zhvilluar të shtunën dhe të dielën ndeshjet e ditës së katërt e të pestë për grupet A dhe B, teksa janë mësuar edhe tri skuadrat të kualifikuara për në gjysmëfinale, të cilat janë Partizani, Tirana dhe Peja. Ndërkohë, shumë pranë kualifikimit është edhe Ferizaj, ndërsa Vllazninë e mban në lojë vetëm matematika.

1321435465

GRUPI A – Takimet e këtij grupi u zhvilluan me grumbullim në palestrën e Farkës. Kështu të shtunën në sfidën hapëse të ditës së katërt, Ferizaj mori një sukses të rëndësishëm, teksa mposhti Vllazninë me rezultatin 1-3 (25-21, 18-25, 19-25, 18-25).

Ndonëse ishin shkodranët ata që e filluan më mirë, skuadra kosovare rikuperoi gjithçka duke realizuar përmbysjen në një takim që zgjati 1 orë e 43 minuta. Më tej Partizani mposhti Skënderbeun e Kosovës në shifra të pastra 0-3 (16- 25, 25-27, 23-25), ndeshje që zgjati 1 orë e 35 minuta.

Të dielën ishte radha për sfidat e ditës së pestë, teksa të kuqtë e Ylli Tomorrit vijuan formën e mirë, duke likuiduar Ferizajn me rezultatin 0-3 (16-25, 25-27, 23-25), për të hipotekuar edhe kualifikimin mes katër më të mirave të kompeticionit.

Në përballjen tjetër Vllaznia mposhti Skënderbeun e Kosovës në shifrat 3-2 (25-23, 22- 25, 25-21, 18-25, 15-6). Një takim tepër interesant, që zgjati mbi 2 orë, ndërsa në fund festuan shkodranët, duke dalë me 2 pikë.

Tashmë pas pesë ndeshjesh, Partizani kryeson me 10 pikë, në vend të dytë renditet Ferizaj me 9, ndërsa më pas vijnë Vllaznia e treta me 6 pikë dhe Skënderbeu që mbyll tabelën në kuotën e 5 pikëve.

11

GRUPI B – Sfidat e dy ditëve të radhës në Grupin B u mbajtën të shtunën dhe të dielën në palestrën “Karagaqi” në Pejë.

Nga ky grup kanë dalë edhe dy skuadrat e kualifikuara, teksa do të luhet vetëm për vendin e parë. Kështu Tirana dhe Peja kanë prerë biletat për në gjysmëfinale, aty ku do të kenë mundësinë të luftojnë për trofeun.

Bardheblutë dhe pejanët u përballën të shtunën, teksa skuadra nga Kosova fitoi me rezultatin e pastër 3-0 (25- 15, 25-21, 25-22) në një ndeshje që zgjati 1 orë e 19 minuta.

Ndërsa po të shtunën, Erzeni mposhti Dritën me rezultatin 3-0 (25-21, 25-23, 25-18). Skuadrat u rikthyen në parket në më pak se 24 orë, me Tiranën që arriti të reagonte mjaft mirë, duke thyer Dritën në shifrat 3-0 (25-16, 25-19, 25- 18). Skuadra e Arben Sakos u shfaq dominuese, duke futur në kasafortë 3 pikët, për t’u kthyer me biletën e kualifikimit nga Kosova.

Më tej në parket zbritën Peja vendëse dhe Erzeni në një takim që vendoste fatet e kalimit në “Final 4”. Pejanët u treguan më të saktë, duke i mbyllur llogaritë me rezultatin 3-0 (25-23, 25-20, 25-18), në një takim që zgjati 1 orë e 16 minuta, për ta mbyllur me festë para publikut të tyre.

Tashmë kanë mbetur për t’u zhvilluar edhe ndeshjet e ditës së gjashtë, takime që do të vendosin vetëm vendin e parë. Kujtojmë që ky është edicioni i tretë i aktivitetit të përbashkët në volejboll ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.

Tirana u shpall kampione në edicionin e parë në vitin 2022, ndërsa sezonin e kaluar triumfoi Erzeni i Shijakut, skuadër që tashmë e ka dorëzuar zyrtarisht kurorën.

22

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"