VOLEJBOLL FEMRA/ Tirana dominon Teutën, Lushnja shtang Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2022 | 22:35

VOLEJBOLL FEMRA/ Tirana dominon Teutën, Lushnja shtang Partizanin

Volejbolli i femrave ka nisur dje çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë, teksa janë luajtur dy takimet e para të vajtjes. Rezultati më befasues u shënua në palestrën e Farkës, aty ku Lushnja si skuadër pritëse, mori një fitore “të çmendur”, duke përmbysur Partizanin.

tirana

Ndonëse në dy sete disavantazh, myzeqaret kthyen gjithçka në favor të tyre, teksa triumfuan me rezultatin 3-2. Një rezultat i çuditshëm dhe krejtësisht i papritur, duke parë edhe diferencat mes skuadrave.

Për sa i përket kronikës së takimit, ndonëse me vështirësi Partizani doli triumfues në dy setet e para, respektivisht në shifrat 22-25 dhe 23-25. Kur dukej se do të kishim një sukses të pastër të kryeqytetaseve, Lushnja bëri befasinë e madhe. Fillimisht lagunaret ngushtuan në 1-2, teksa e fituan setin e tretë 25-17.

Ndërsa më pas vendosën baraspeshë në sete, duke triumfuar 25-21 në setin e katërt. Për të përcaktuar fituesin u nevojit seti final, por edhe aty vajzat e trajneres Erilda Allkanjari u treguan më të sakta, ku fituan 15-12 dhe kompletuan kështu përmbysjen, duke hedhur hapin e parë drejt kualifikimit.

LUSHNJA

Ndërkohë, në ndeshjen tjetër Tirana vazhdon marshimin, me një ecuri të shkëlqyer. Vajzat bardheblu likuiduan Teutën në Durrës me rezultatin e pastër 0-3.

Një takim pa shumë histori, në të cilin dominimi i Tiranës ishte i jashtëzakonshëm, gjë që pasqyrohet qartë edhe në diferencat e seteve 6-25, 16-25 dhe 14- 25 në favor të kryeqytetaseve. Sot në orën 15:00 do të luhen dy takimet e tjera çerekfinale: Elbasani-Skënderbeu dhe VllazniaBarleti. Në fundjavën e ardhshme do të vijohet me ndeshjet e kthimit.

TEUT

A.ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"