VOLEJ/ Tirana në gjysmëfinalet e Ligës Gjergj Kastrioti, “serenatë” korçareve për Shën Valentin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2024 | 11:21

VOLEJ/ Tirana në gjysmëfinalet e Ligës Gjergj Kastrioti, “serenatë” korçareve për Shën Valentin

Liga Gjergj Kastrioti e volejbollit për femra ka mbyllur dje zyrtarisht fazën e grupeve, me Tiranën që ka siguruar biletën e fundit kualifikuese për në gjysmëfinalen e aktivitetit mbarëkombëtar Shqipëri-Kosovë.

tirana volej femra

Për të kaluar mes katër më të mirave vajzave bardheblu u duhej një fitore 3-0 ose 3-1 në ndeshjen e fundit në kryeqytetet kundër Skënderbeut, ndërsa korçaret e kishin siguruar kualifikimin dhe vendin e parë në Grupin A.

Kështu, Tirana e realizoi me sukses misionin, teksa triumfoi me rezultatin 3-1 ndaj një kundërshtari që natyrshëm nuk ishte në mobilizimin e tij maksimal.

Ndonëse ishin korçaret e Orlando Kojës ato që e nisën më mirë ndeshjen, duke fituar setin e parë, vajzat e Hasan Gurabardhit përmbysën gjithçka për ta mbyllur me festë në sallën “Farie Hoti”.

Një Tiranë që në këtë pjesë të dytë të sezonit e ka rritur ndjeshëm nivelin, kjo edhe falë një merkatoje dimri tepër aktive. Duke kaluar te setet, Skënderbeu e filloi më mirë, duke gabuar më pak dhe duke u treguar më i qartë në lojë. Korçaret e komanduan setin e parë nga fillimi e deri në fund për ta fituar në shifrat 22-25.

Në setin e dytë Tirana arriti të reagonte menjëherë, ndërsa miket u fikën. Vajzat bardheblu shpërthyen, duke e fituar setin thellë 25-11, për të barazuar në 1-1.

Fraksioni i tretë nisi me rivalitet, por më tej Tirana bëri diferencën, për të fituar 25-18, duke përmbysur në 2-1. Seti i katërt sheh vajzat bardheblu në avantazh gjatë të gjithë kohë, me kryeqytetaset që fitojnë 25-20 dhe vulosur suksesin 3-1 në një hark kohor prej 1 ore e 43 minutash.

Më pas në parket kishte vend për festën e merituar të Tiranës, që kualifikohet për në gjysmëfinale, aty ku do të gjejë përballë një “kockë” të fortë si Drita, me ekipin gjilanas që e mbylli Grupin B në vend të parë, me pikët të plota dhe pas lëshuar asnjë set.

Ndërkohë në gjysmëfinalen tjetër do të kemi derbin e skuadrave shqiptare, ndërmjet Skënderbeut, që është fitues dy herë radhazi në këtë event dhe Partizanit. Për sa i përket fazës finale, ajo do të zhvillohet më datat 1-3 mars në Korçë.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"