VOLEJ/ Geni në sport, djemtë e Alketa Doçit në gjurmët e familjes. Dy talentet, pjesë e kombëtares franceze

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 2, 2021 | 23:42

VOLEJ/ Geni në sport, djemtë e Alketa Doçit në gjurmët e familjes. Dy talentet, pjesë e kombëtares franceze

Talenti dhe stërvitja siç dihet janë dy nga faktorët kyç për një karrierë të suksesshme në të gjitha sportet. Por, shumë i rëndësishëm mbetet edhe geni familjar. Një histori shumë e bukur dhe e veçantë vjen nga familja Doçi në volejboll, që ka nxjerrë emrat të mëdhenj të sportit të rrjetës, si Adriani, Alketa apo Bledari, të cilët kanë veshur fanellën e ekipit tonë kombëtar. Por, tradita me sa duket nuk do të ndalet këtu. Ish-lojtarja e mirënjohur e Dinamos, Alketa Doçi, është bashkëshortja e Hubert Henno-s, një prej volejbollistëve më të mëdhenj francez, ndërsa rrugën e çiftit tani po e ndjekin edhe dy djemtë Hilir dhe Mathis, të cilët janë pjesë e kombëtareve të moshave të Francës.

MAR

Një histori e veçantë, kjo e familjes së volejbollistëve, të cilës i ka kushtuar një artikull në faqen zyrtare edhe Konfederata Europiane e Volejbollit (CEV). Ndonëse vetëm 15 vjeç, Mathis aktualisht po merr pjesë në kualifikueset “WEVZA” të Kampionatit Europian U-17 me Francën, teksa sfidat po zhvillohen në Itali. Skuadra fituese e këtij turneu siguron një vend për në fazën finale të Europianit që do të mbahet këtë verë në Shqipëri. Të mërkurën, Mathis zhvilloi një ndeshje fantastike, teksa shënoi 8 pikë për skuadrën e tij, me Francën që shpartalloi Holandën me rezulatatin 3-0, në takimin e vlefshëm për Grupin A. Volejbollisti i talentuar, duket sa i ka trashëguar më së miri cilësitë e prindërve, sidomos në stilin e lojës së babait, teksa regjistroi statistikën mbresëlënëse 54% të pritjeve pozitive në ndeshjen kundër Holandës.

Kjo nuk mund të quhet aspak befasi, pasi Hubert Henno ishte një nga lojtarët më të mirë në botë të gjeneratës së tij në pozicionin e liberos. Ai ka pasur një karrierë të jashtëzakonshme, me shumë tituj të fituar në kampionatet elitare të volejbollit në Europë. Gjithashtu, edhe Hilir, djali i madh i Alketës dhe i Hubert luan për kombëtaren franceze të të rinjve, duke konfirmuar edhe një herë se në volejboll ka një rol shumë të madh edhe geni familjar. Në një prononcim për faqen zyrtare të CEV-it, Hubert Henno ka theksuar se ai nuk ka ushtruar aspak presion mbi fëmijët e tij për të qenë pjesë e volejbollit. Por, duke parë aftësitë e tyre në parket duket e pashmangshme, që përpara do të kenë një karrierë të madhe. Koha do ta tregojë se ku do t’i dërgojë ky udhëtim dy talentet e volejbollit francez, të cilët kanë të dhëna të shkëlqyera. Mathis aktualisht po bën maksimumin në kualifikuese, pasi shpreson që të sigurojë një biletë për në atdheun e nënës së tij, në Shqipëri, aty ku këtë verë do të zbarkojë volejbolli i moshave, teksa do të mbahet Kampionati Europian U-17.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"