Volej “Challenge Cup”/ Erzeni-Allianz Milano luhet edhe për tërmetin. Sako falënderon italianët: Bënë gjest fisnik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 18, 2019 | 16:25

Volej “Challenge Cup”/ Erzeni-Allianz Milano luhet edhe për tërmetin. Sako falënderon italianët: Bënë gjest fisnik

Erzeni në volejboll për meshkuj, pasi elimi noi Partizanin, është përpara dy takimeve historike në Kupat e Europës. Sot dhe nesër në orën 20:00, shijakasit do të përballen në raundin e tretë të “Challenge Cup” me skuadrën italiane, “Allianz Poëervolley” Milano. Siç dihet të dyja ndeshjet do të zhvillohen në Itali, pasi skuadra milaneze, duke parë situatën e krijuar nga tërmeti në vendin tonë, u bëri kërkesë shijakasve që të luhen në shtetin fqinj, me shpenzimet që do të paguhen nga italianët.

Sako-470x276

 

Madje edhe biletat e këtyre takimeve do të shkojnë në ndihmë të personave që janë prekur nga tërmeti. Trajneri i Erzenit, Arben Sako, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport,” komenton duelin me italianët, të cilin e konsideron më shumë se një duel sportiv, por nuk harron të duartrokasë gjestin e tyre.

Si vjen Erzeni në këtë sfidë të dyfishtë?

Ne jemi të mobilizuar si dhe jemi stërvitur seriozisht për t’i përballuar këto takime, pavarësisht se janë ndeshje shumë të vështira, duke parë nivelin që ka volejbolli italian. Por unë dua fillimisht të ndalem te gjesti i bërë nga skuadra italiane dhe tifozëria e saj, i cili është gjest shumë domethënës, pasi të gjitha biletat e të dyja ndeshjeve siç dihet tashmë do të shkojnë për të dëmtuarit nga tërmeti në zonën e Shijakut. Kjo na bën shumë mirënjohës ndaj kësaj skuadre dhe të gjithë popullit italian.

Si po i pret ekipi këto takime?

Gjatë kësaj periudhe kemi qenë të angazhuar në Kupën e Shqipërisë, ku i kemi fituar të gjitha takimet duke u kualifikuar si vend i parë në grup. Kështu që kemi qenë gjatë gjithë kohës në aktivitet, ku nuk i kemi ndërprerë për asnjë moment stërvitjet. Synimet tona për në Europë janë modeste, por në rang kombëtar i kemi objektivat e qartë, të cilët janë fitimi i kampionatit dhe i kupës.

erzeni

Sa i njihni kundërshtarët italianë?

Është një ekip të cilin e njoh dhe e kam studiuar në disa ndeshje që i kam parë nëpërmjet televizionit. Është një skuadër që aktualisht ndodhet në vendin e pestë në kampionatin italian dhe ka një nivel shumë të lartë. Bëhet fjalë për një skuadër që ka në përbërje 6 lojtarë të huaj mjaft cilësorë, nga Serbia apo Holanda si dhe lojtarë të kombëtares së Italisë. Ne do të bëjmë maksimumin tonë ndaj këtij ekipi, por sigurisht që do të jetë shumë e vështirë, pasi kemi përpara pretendentët kryesorë për të fituar “Challenge Cup”.

Cili do të jetë objektivi i skuadrës suaj në këto ndeshje?

Do jenë sfida ku do të ballafaqohet volejbolli shqiptar me atë ndërkombëtar, por këto takime nuk do të kenë vetëm vlerë sportive. Gjej rastin që nëpërmjet kësaj interviste të falënderoj stafin dhe presidentin e skuadrës Allianz Milano, që bënë të mundur që ne t’i zhvillojmë të dyja ndeshjet atje. Siç dihet, tërmeti ka lënë edhe pasoja në anën psikologjike jo vetëm të skuadrës sonë, por në të gjithë popullin e Shijakut, të cilin dua ta falënderoj pasi edhe në ato ditë aq të zymta, gjeti kohën për të na mbështetur në ndeshjet që kishim ndaj Partizanit. Por kjo sfidë përveç anës sportive, do të nxjerrë në pah edhe anën njerëzore që kanë të dy popujt dhe dua t’ju njoftoj që janë shitur të gjitha biletat për këto takime.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"