“Vllaznia u vendos në gjumë”, Doçi: Ja çfarë duhet të bëjë klubi për të luftuar për titull deri në fund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2023 | 23:38

“Vllaznia u vendos në gjumë”, Doçi: Ja çfarë duhet të bëjë klubi për të luftuar për titull deri në fund

Ish-mbrojtësi i Vllaznisë, Edmond Doçi, i cili prej vitesh është në detyrën e trajnerit të moshave në akademinë e klubit shkodran, gjatë një interviste për “Panorama Sport”, ka analizuar ecurinë e kuqebluve në dy fazat e para të kampionatit.

Edmond Doci

42- vjeçari ka analizuar edhe shkaqet që sollën humbjen e fundit në Ballsh, ndërsa bën apel për drejtuesit e klubit që të menaxhojnë më mirë situatat sa i përket euforisë që ka skuadrën në momente të veçanta pas disa fitoreve.

Edmond, u mbyllën dy faza. Mendoni se Vllaznia mund të kishte bërë më tepër apo renditja është pasqyrë reale e asaj që ka dhënë në fushë?

Normalisht që kishte mundësi për të marrë më shumë pikë. Mirëpo, duke marrë disa rezultate negative në fazën e parë, psikologjia e lojtarëve nuk ka qenë e duhura. Pastaj, një ekip i suksesshëm është që ka vazhdimësi me lojtarët që ka përzgjedhur të luajnë.

Megjithatë, kur ke shumë dëmtime, normalisht që vjen edhe mungesa e rezultateve. Mendoj se Vllaznia duhet të kishte shfrytëzuar më shumë gabimet që kanë bërë skuadrat e tjera në këto dy faza të para. Që të jesh një ekip pretendent, duhet të bësh shumë pak gabime. Prandaj kjo Vllazni duhet të kishte vlerësuar njësoj të gjitha skuadrat.

Ekipi tregohet i fortë me skuadrat pretendente, ndërsa vuan shumë me ato që në letër është favorite. Çfarë ndryshon sipas jush?

Kjo është një gangrenë që Vllaznia e ka vuajtur gjithmonë. Prandaj e theksova që duhet t’i vlerësojë të gjitha ekipet njësoj, sepse pikët janë të njëjta me çdo kundërshtar.

Të ndalemi pak te takimi i fundit në Ballsh, çfarë nuk shkoi sipas jush që ecuria pozitive e Vllaznisë u ndal nga Bylisi?

Fitorja në Kupë ndaj Bylisit e bëri që ta nënvlerësojë ndeshjen e kampionatit. Pastaj, edhe rezultatet pozitive që pati në këto ndeshjet e fundit, e vunë pak në gjumë skuadrën. Mendoj që drejtuesit duhet t’i administrojnë me mirë situatat dhe mos ta lënë ekipin që të kalojë në eufori. Pastaj duhet të ndalojnë edhe euforinë e rrjeteve sociale, sepse pas fitores së fundit sikur u liruan pak në deklarata. Edhe për këtë klubi duhet të ndalojë dhe të merret.

Të hënën me Erzenin, si e shikoni këtë ndeshje?

E shoh të fortë, por mendoj që Vllaznia do bëjë më të mirën, që t’i japi fund pretendimit të Erzenit për Kupat e Europës.

Ndaj shijakasve ka çaluar në dy ndeshjet e para, qoftë në Durrës dhe gjithashtu në Shkodër…

Kur ekipi ynë ka luajtur në maksimumin e tij, ka marrë gjithmonë rezultate pozitive. As që bëhet fjalë që ka forcën e duhur për të marrë fitoren këtë herë ndaj Erzenit.

Si një trajner kampion me moshat, ju ka bërë përshtypje performanca e të rinjve, si Alivoda, Smajli etj…?

Mendoj që po bëjnë një paraqitje të mirë. Kjo i ka bërë mirë edhe ekipit, sepse ka ulur me këmbë në tokë lojtarët e afruar nga merkatoja e verës. Është rritur konkurrenca për një vend në formacion tashmë, ndërsa në momente të veçanta ka pasur mundësi të shohim edhe ndonjë lojtarë tjetër të merrte pak minuta. Besoj se në vitet në vazhdim duhet të krijojmë bazën me lojtarë të rinj shkodranë.

Ku e shikoni Vllazninë në fund të këtij sezoni?

Nëse i marrin ndeshjet me vlerësimin e duhur, mendoj që do të jemi deri në fund pretendentë për titull. Shpresoj që në vazhdim ta kemi kontingjentin e plotë, sepse çdo gjë është në rrugën e duhur.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"