Vllaznia shpallet kampione me të rinjtë, merr hak ndaj Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 2, 2017 | 11:23

Vllaznia shpallet kampione me të rinjtë, merr hak ndaj Tiranës

Vllaznia është shpallur kampione e Shqipërisë në basketboll për të rinj. Kuqeblutë arritën të fitojnë ndeshjen finale me Tiranën që u luajt në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Shkodranët dominuan këtë përballje ndaj bardhebluve duke arritur një fitore të merituar në shifrat 96-77.

vllaznia basketboll te rinjte

Shkodranët dominojnë që në periodën e parë, të cilën e fitojnë 29-16. Në të dytën ka më shumë rivalitet, ndërsa Tirana përmirëson në lojën e saj, por e ka të pamundur të barazojë apo të kalojë në avantazh. Perioda e dytë mbyllet 21-22 në favor të kryeqytetasve. Shkodranët kryesojnë 50-38 në pjesën e parë. Miqtë fitojnë edhe periodën e tretë 24-22 duke ngushtuar sërish diferencën.

Në 10-minutëshin e fundit është Vllaznia që bën kërdinë duke arritur që të fitojë me një diferencë të thellë në shifrat 24-15 dhe duke mos u lënë asnjë shans bardhebluve për të ngushtuar më shumë rezultatin. Në këtë mënyrë Vllaznia fiton me rezultatin e përgjithshëm 96-77 duke u shpallur kampione e Shqipërisë.

vllaznia tirana

Ndeshjet gjysmëfinale dhe finale të këtij viti u zhvilluan në Shkodër në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Vllaznia fillimisht arriti që të fitonte në gjysmëfinale me Kamza Basket, ndërsa Tirana mundi Superior Klima. Në finale, Vllaznia-Tirana shkodranët u “hakmorën” edhe për skuadrën e parë, e cila humbi në ndeshjet finale pikërisht ndaj Tiranës.

Atë që nuk e arriti skuadra e parë e bëjnë realitet të rinjtë, duke sjellë në Shkodër trofeun e sezonit. Tifozët e Vllaznisë kanë mbështetur masivisht skuadrën e tyre duke krijuar një atmosferë të ngrohtë. Tinaj me 30 pikë dhe kapiteni Rrashketa me 29 pikë të Vllaznisë janë pikëshënuesit më të mirë në këtë finale. Në radhët e Tiranës, Hysa shënoi 22 pikë, ndërsa Arifaj 17 pikë, duke qenë më të mirët në radhët e bardhebluve.

Trajneri Koka: Ky brez, garanci për të rriturit

Trajneri i Vllaznisë, Roland Koka, u shpreh i lumtur për triumfin. “Është titulli i 6-të kampion në 11 vite. Shpresoj të kem forcë e shëndet që të vazhdoj me këtë brez që është e ardhmja e basketbollit shkodran. Dua të falënderoj ata që më mundësuan të vijmë deri këtu, qoftë nga ana financiare, por edhe me mendimet e tyre dhe ata janë dashamirës, prindër apo edhe tifozë të ndryshëm.

Këta të rinj janë një garanci për ekipin e parë dhe do të jenë shumë shpejt të gatshëm duke qenë sërish pretendentë. Sa u përket të huajve që merr ekipi i parë në krahasim me këto talente që dalin çdo vit, kjo nuk më takon mua ta diskutoj, por atyre që drejtojnë shoqatën e basketbollit”.

Rrashketa: Uroj të bëhem pjesë e ekipit të parë

Kapiteni i Vllaznisë, Edison Rrashketa, pranoi se nuk e kanë pasur të lehtë fitimin e titullit. “Kemi punuar shumë dhe nuk e kemi pasur aspak të lehtë. Në skuadër ka djem të talentuar dhe besoj se të gjithë bashkë do të jemi një potencial për skuadrën e parë të basketbollit duke pretenduar edhe atje fitimin e titullit kampion.

Të gjithë djemtë kanë dhënë maksimumin e tyre gjatë gjithë sezonit dhe falë punës sonë të përbashkët arritëm në këtë ditë duke fituar titullin kampion. Dua t’i falënderoj të gjithë ata që na përkrahën dhe tifozët e mrekullueshëm që ishin sot për të na mbështetur në këtë sukses tonin. Patjetër që synimi ynë është që të shkojmë në skuadrën e parë”.

SENAD NIKSHIQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"