Vllaznia nis stërvitjen pas 3 ditëve pushim, Memelli pret Laçin për të testuar ekipin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 25, 2023 | 16:04

Vllaznia nis stërvitjen pas 3 ditëve pushim, Memelli pret Laçin për të testuar ekipin

Pas tri ditësh pushim që prej eliminimit nga Liga e Konferencës, Vllaznia është rikthyer dje në fushë për të vijuar përgatitjet për kampionatin, që do të fillojë më 19 gusht. Kjo periudhë trejavore do të shërbejë për marrjen e ngarkesave të duhura fizike për futbollistët dhe që në seancën e djeshme, trajneri Migen Memelli dhe ndihmësi i tij, Ndriçim Shtubina, kanë nisur “zborin”.

Vllaznia test miqesor

Në stërvitje ka munguar vetëm mbrojtësi Konstantin Çeshmedjiev, i cili nga burime në klub mësohet se ka kërkuar një ditë më tepër leje për shkak të një angazhimi familjar në Maqedoninë e Veriut. Një lajm i mirë për stafin teknik është fakti se asnjë lojtar nuk ka pasur probleme dëmtimesh këtë periudhë. Plani i stafit është që të rrisë ndjeshëm ngarkesën, në mënyrë që lojtarët të marrin formën maksimale fizike dhe të nisin kampionatin me ritmin e duhur.

Pavarësisht temperaturave të larta, mësohet se skuadra do të zhvillojë nga dy seanca në ditë. Nga ana tjetër, drejtuesit e klubit po shikojnë edhe mundësi të tjera për stërvitjen, duke e spostuar në një zonë që mund të ketë klimë më të mirë në këtë të nxehtë të madh. Një mundësi është që skuadra të qëndrojë disa ditë në zonën turistike të Razmës, aty ku ka një fushë të standardeve normale dhe kuqeblutë mund të kryejnë normalisht stërvitje. Megjithatë, ky vendim do të merret në ditët në vijim.

MIQËSORJA – Klubi shkodran ka konfirmuar se do të zhvillojë një ndeshje miqësore kundër Laçit në stadiumin “Loro Boriçi”, pikërisht nesër në orën 18:00. Ky test vjen vetëm pesë ditë nga ndeshja që shkodranët luajtën për turin e parë të Ligës së Konferencës kundër Linfildit, që përfundoi me fitoren 1-0 falë golit të Bekim Balajt, por nuk mjaftoi për kualifikimin. Ky test do t’i shërbejë trajnerit Memelli për të parë në tërësi gjendjen e skuadrës në këto momente, si dhe për të provuar ata lojtarë që nuk u aktivizuan ndaj Linfildit.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"