“Vllaznia do rikthehet te fitorja”, Osmani: Mundim Laçin, luftojmë në të dy frontet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 13, 2024 | 11:12

“Vllaznia do rikthehet te fitorja”, Osmani: Mundim Laçin, luftojmë në të dy frontet

Tekniku i Vllaznisë, Qatip Osmani, ësh të shprehur i bindur se skuadra është plotësisht gati të kërkojë fitoren në ndeshjen e sotme me Laçin. Ai theksoi se Vllaznia do të tregojë vlerat më të mira për t’u rikthyer te fitorja. Trajneri i kuqebluve do patjetër që në fund të 36 javëve të kampionatit skuadra të jetë në dy vendet e para, për të pasur favorin e barazimit në “Final 4”. Kreu i stolit shkodran ndërkohë nuk lë mënjanë as Kupën e Shqipërisë dhe shpreh optimizmin se Vllaznia do të jetë konkurruese për të dy trofetë.

osmani

Osmani, si po e prisni ndeshjen me Laçin?

Ndeshja kundër Laçit është me shumë rëndësi për ne. Na vjen një ekip që në takimet e fundit ka treguar një lojë të mirë dhe ka marrë rezultate të mira, megjithatë objektivi ynë është vetëm fitorja, për shkak se duam të forcojmë pozitat në tabelë.

Duket se gara po bëhet interesante në këtë fund të kampionatit?

Ne e thamë edhe para takimit me Partizanit që për ne ishte e rëndësishme të mos humbin. I arritëm qëllimit. Janë edhe 6 takime dhe unë do të thosha se duhet që të jemi të kujdesshëm në ndeshjet tona. Janë edhe shumë pikë në lojë, kështu që është e rëndësishme që me Laçin të fitojmë.

Loja e mirë ndaj Partizanit a është një garanci për këtë ndeshje?

Nuk i ngjet loja-lojës, pasi edhe Laçi ka llogaritë e veta. Janë në një luftë, ku ata kërkojnë pikë dhe kanë më shumë besim tashmë. Ne duhet që të japim maksimumin dhe të tregojmë seriozitetin tonë për ta fituar këtë takim.

Keni tri ndeshje pa fitore, besoni se do të vijë kthesa këtë herë?

E rëndësishme është fitorja në këtë ndeshje, për ecurinë e kampionatit. Vendi i parë dhe i dytë kanë shumë rëndësi për “Final 4” dhe ne kemi si objektiv këto dy vende, kështu që duhet të fitojmë.

Skuadra do të jetë e plotë në këtë ndeshje?

Po. Kemi disa probleme me portierët, por mund të themi se Vllaznia është e plotë këtë herë.

Rikthehet Smajli, që ju ka munguar në këto ndeshjet e fundit?

Bëhet fjalë për një lojtar që ka qenë stabël në formacion. Dihen vlerat e tij tanimë dhe mund të them se është një plus i madh për ne ky rikthim.

Në krye të skuadrës së Laçit është një emër i njohur, shkodrani Armando Cungu, që e njeh lojën e Vllaznisë…

Po, e njeh lojën e Vllaznisë, por për më tepër është një ndër trajnerët më të mirë në Shqipëri. Sigurisht që në paraqitjet e fundit të Laçit u pa se ai ka futur në ekip një frymë dhe filozofi të re, që ka sjellë edhe rezultate. Duke njohur mentalitetin e kësaj kategorie dhe të Vllaznisë, për Laçin është një plus i madh.

Garë e fortë në krye, por edhe në fund, duket një kampionat mjaft i luftuar, apo jo?

Po, shumë interesant. Nëse analizojmë një kampionat që ende nuk është i sigurt as kreu i tabelës dhe as mbijetesa, e bëjnë atë tejet interesant. Deri në fund do të shkojë kështu. Kampionati ka peshën e vet, por shumë shpejt vjen edhe Kupa.

A po mendoni edhe për të?

Sigurisht që mendojmë edhe për Kupën. Nuk ka qetësi, pasi Vllaznia lufton në kampionat dhe kupë, do të mundohemi që në të dy garat të jemi konkurrentë seriozë.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"