“Vllazni, po bie fizikisht”, Hysen Zmijani: Kam parë nënvlerësime në disa ndeshje, Tirana zhgënjim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2021 | 22:30

“Vllazni, po bie fizikisht”, Hysen Zmijani: Kam parë nënvlerësime në disa ndeshje, Tirana zhgënjim

Askush nuk e ka pritur këtë ecuri fantastike të Vllaznisë. E në momentin që kuqeblutë kanë tri javë pa një fitore, shumë kanë nisur edhe të kritikojnë. Por, një kampion me ADN fituesi, e di mirë që ky është momenti më së shumti për analizë dhe reflektim, por kurrsesi për të hedhur poshtë gjithçka ka treguar deri më tani skuadra e drejtuar nga Brdariç. Mjeshtri i Madh Hysen Zmijani është shprehur me nota të larta vlerësimi për paraqitjen e Vllaznisë. Po ashtu ai ka vënë theksin te loja premtuese e ekipit kuqeblu dhe tek ajo që ka shfaqur skuadra shkodrane në këto javë, mirëpo me shqetësim ai tregon edhe se çfarë ka vënë re që nuk shkon së fundmi. Si zhgënjim të deritanishëm në këtë pjesë të sezonit, në një intervistë për “Panorama Sport”, Zmijani shikon ekipin e Tiranës, ndërsa ka edhe këshilla të vlefshme për kuqeblutë në këtë rrugëtim fantastik të deritanishëm.

hysen zmijani

Zmijani, si e keni parë kampionatin deri më tani? Mendoni se renditja pas dy fazave është realisht ajo që kanë dhënë ekipet në fushë?

Mendoj se renditja e këtyre javëve i përgjigjet totalisht asaj që ekipet kanë dhënë në fushën e lojës. Ka pasur surpriza për mua dhe po ashtu edhe ekipe që kanë qenë larg pritshmërive.

Ju ka bërë përshtypje ecuria e Vllaznisë?

Normalisht që po, por kësaj here për mirë. Surpriza e kësaj Vllaznie ka qenë e bukur. As shkodrani më optimist s’e ka imagjinuar se pas dy fazave të para të ishte 6 pikë larg të tjerave. Me pak fat, mund të ishte edhe më mirë. Megjithatë, Vllaznia është surpriza më e bukur për ne. Ekipi që më ka befasuar me pikë dhe me lojë.

Cila skuadër ju ka zhgënjyer më tepër deri tani?

Ekipi që më ka zhgënjyer është pikërisht Tirana. Ajo ka qenë shumë larg asaj që unë prisja si kampione në fuqi. Në fillim për Vllazninë kam thënë që të jetë në 5 të parat, do të ishte shumë mirë. Tani në pozicionin që është na është rritur dëshira, pse jo, për titull.

Vllaznia ka një diferencë prej 6 pikësh nga ndjekësi më i afërt, Partizani. Cili ekip mendoni se i rrezikon më shumë shkodranët në luftën për titull?

Normalisht që një është Partizani, por në asnjë mënyrë nuk do të përjashtoja ekipin e Laçit, një nga skuadrat më të mira që kam parë. Lojtarë cilësorë, ku do të veçoja Obanorin dhe Nuabuezen. Po ashtu do ta vlerësoja edhe ekipin e Teutës që ka bërë gabime duke kërkuar të ruajnë barazimet dhe që nuk i kanë dhënë shumë pikë. Po ashtu do të vlerësoja nga stofi i lojtarëve që ka ekipi i Kukësit.

Humbja me Laçin sa e ndërlikon situatën dhe çfarë i duhet tani skuadrës për të qenë e sigurt drejt titullit?

Natyrisht që do të vinte edhe një humbje, por ajo që më bën shumë përshtypje nuk është humbja, por humbja e freskisë fizike të ekipit. Nëse jam i saktë, afro 9 apo 12 pikë i kemi arritur me gola të pasminutës së 90-të, ndërsa në takimet e fundit kam parë që edhe një nga më të mirët, mbrojtësi i majtë Isaevski, ka pasur shumë pasime gabim dhe jo freskinë e fillimit. Megjithatë, shpresoj që ekipi të marrë sërish formën fizike e ta kalojë sa më shpejt humbjen ndaj Laçit.

Zmijani

Cili lojtar i Vllaznisë mendoni se po bën liderin e ekipit këtë sezon?

Mendoj se te Vllaznia ka një grup pa gjeneral. Një grup mjaft harmonik dhe që janë të gjithë tepër të vendosur dhe bëjnë maksimumin për njëri-tjetrin. Te Vllaznia nuk di të veçoj njërin nga tjetri.

Çfarë i druheni më shumë në luftën për titull Vllaznisë?

Vllaznia duhet të bëjë më të mirën që të rritet fizikisht. Duhet të punohet në këtë drejtim. Nëse ekipi rritet fizikisht, atëherë do të luftojë deri në fund që të përballojë dy fazat e mbetura.

Në dukje dy ballafaqime të lehta si me Apoloninë e po ashtu me Skënderbeun. Cili është mendimi juaj për këto takime dhe çfarë i rekomandoni skuadrës?

Vllaznia është këtu ku është se ka bërë mirë me ekipet në dukje të vogla. Ajo ka bërë mirë punën ndaj tyre. Po ashtu do t’i thosha se nuk ka vend për të nënvlerësuar asnjë skuadër. Ndaj Kastriotit mund të them se Vllaznia la dy pikë pikërisht se e mori më lehtë se e mendoi takimin me këtë skuadër. Prandaj, në këtë drejtim duhet të bëjë më shumë kujdes.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"