Vladimir Klitçko nuk ka rivalë, Pulev bie KO

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2014 | 11:39

Vladimir Klitçko nuk ka rivalë, Pulev bie KO

KlickoVladimir Klitçko mbron titullin e kampionit të botës në peshën super të rënda në versionet WBA-IBF-WBO pasi mposhti bullgarin Kubrat Pulev me nokaut në raundin e pestë, në duelin e zhvilluar në Hamburg. 38-vjeçari Klitçko, i pamposhtur që nga viti 2004 kur humbte me nokaut teknik me Lemon Brujster, ka arritur deri tani në ringun profesionist 63 fitore, 54 prej tyre të mbyllura para kohe. Ndërsa vetëm 3 duele i ka përfunduar me humbje. Për gjigantin ukrainas, kjo ishte mbrojtja e 17-të në karrierë e titujve botërorë. Taktikat e sfidantit të Klitçkos nuk ka funksionuar pasi ukrainasi iu “shkarkua” që në raundin e parë duke e rrëzuar nokaut. Me shumë vështirësi, Pulev e shtyu ndeshjen deri në raundin e pestë për t’iu dorëzuar përfundimisht të majtës fatale të Klitçkos. Kjo është humbja e parë për boksierin 33-vjeçar ballkanas që numëron 20 fitore në ringun profesionist. Tashmë dy janë objektivat finalë të Klitçkos: riunifikimi i titullit, i cili kalon nga kampioni i versionit WBC Stivern dhe rekordin e Xho Luis. Ky i fundit në karrierën e tij ka arritur ta mbrojë me sukses kurorën e kampionit të botës plot 25 herë. Pra, për t’u bërë një legjendë e boksit profesionist, ukrainasit i mungojnë edhe 8 fitore të tjera. Veç rikonfirmimit si kampion i botës, Klitçko u shtoi financave të tij 4.55 milionë euro, ndaj 1.12 milionë që përfitoi humbësi i mbrëmjes së të shtunës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"