“Vjet ishim 7 pikë para”, Resuli: Kthehemi te fitorja me Lushnjën, gjithçka për elitën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 16, 2023 | 9:43

“Vjet ishim 7 pikë para”, Resuli: Kthehemi te fitorja me Lushnjën, gjithçka për elitën

Flamurtari kërkon sot kthesën në kampi onat, teksa në orën 13:30 luan kundër Lushnjës në stadiumin e Vlorës.

RESULI

Kuqezinjtë e drejtuar nga Dritan Resuli vijnë pas një humbjeje në transfertë kundër Vorës dhe sot janë të “dënuar” të bëjnë autokritikë, për t’u mos u shkëputur nga grupi i skuadrave pretendente për ngjitjen në Superiore. Në intervistën për “Panorama Sport”, trajneri Dritan Resuli theksoi se i di vështirësitë e takimit ndaj Lushnjës, por sipas tij, sot duhet vetëm maksimumi i pikëve. Trajneri mendon se janë të gjitha mundësitë për të arritur objektivin, ndërsa kujton kampionatin e shkuar, ku në këtë periudhë, Flamurtari ishte në krye dhe 7 pikë i shkëputur nga rivalët, ndërsa tani është 7 pikë mbrapa.

Resuli beson te ngjitja. Resuli, si është përgatitur skuadra për ndeshjen me Lushnjën?

Ditët që kemi pasur në dispozicion i kemi shfrytëzuar, si për të bërë analizat e ndeshjes që kaluam, por edhe për të përgatitur takimin për sot. Me Lushnjën është një ndeshje e vështirë. Nuk janë më ato takime që kanë nisur sezonin, pasi ekipet kanë ndryshuar. Kështu që na mbetet akoma për të dhënë detyrat e fundit për marrjen e maksimumit.

Mendoni se skuadra do të reagojë pas humbjes kundër Vorës?

Unë jam i bindur që ekipi do të reagojë, pasi shikoj potencialin. Nëse do t’i kthehemi pak ndeshjes së shkuar dhe do të shikojmë rezultatin, asnjë gjë nuk na jep të drejtë. Por interpretimi që ne bëmë në atë ndeshje dhe si rrodhën minutat në vijim, mendoj se ne nuk e meritonim që të kishim atë rezultat.

Keni rezerva për gjykimin?

Nuk po merremi me punën e arbitrimit. Ne shikojmë punën tonë dhe jemi të bindur se çfarë po bëjmë te objektivi që ne kemi. Është një situatë që nëse do t’i referoheshim diferencës së pikëve edhe në kampionatin e shkuar në këtë kohë dhe në këto pozita, Flamurtari ka qenë 7 pikë para në krye. Sot jemi 7 pikë mbrapa dhe çdo gjë është e lejueshme për ta mbajtur kokën lart dhe për të shkuar përpara.

Pritshmëritë janë të mëdha, mendoni se në këtë moment i bëjnë mirë kritikat skuadrës?

Patjetër që kritikat nga njerëzit specialistë të futbollit dhe ata që janë dashamirës të Flamurtarit na ndihmojnë dhe motivojnë më shumë. Flamurtari po i mungon Superligës, por ne e kemi marrë përsipër të realizojmë këtë objektiv madhor. Po punojmë që të arrijmë aty sa më shpejt, pasi Flamurtari duhet të shkojë ku e ka vendin.

Ju shqetësojnë mungesat në këtë ndeshje?

Në fakt kemi dy mungesa të rëndësishme, por ne i kemi zëvendësuar. Organika është e plotë dhe lojtarët janë të gatshëm për të bërë më të mirën, në mënyrë që sot ndaj Lushnjës të marrim tri pikët.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"