VIDEO/ Vllaznia në katër më të mirat e Kupës, shënon katër herë në kohët shtesë dhe kalon Erzenin me goleadë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 6, 2024 | 23:56

VIDEO/ Vllaznia në katër më të mirat e Kupës, shënon katër herë në kohët shtesë dhe kalon Erzenin me goleadë

Vllanzia është bërë skuadra e katërt gjysmëfinaliste e Kupës së Shqipërisë, pasi ka mundur sot me shifrat 6-1 Erzenin pas kohëve shtesë.

vllaznia

Shkodranët duhej të përmbysnin humbjen 2-1 të ndeshjes së parë ndaj shijakasve dhe bënë gjithçka mirë në pjesën e parë, ku shënuan dy herë me Malën e Balajn si dhe e panë veten në superioritet numerik, pasi Atanda la miqtë me 10 lojtarë pas një kartoni të kuq.

Por autogoli i Stojanoviç në pjesën e dytë të ndeshjes, hapi plotësisht kualifikimin dhe bëri që shijakasit të kontrollonin gjithçka mirë, duke detyruar sfidën të zgjidhej nga kohët shtesë.

Aty, ekipi shkodran ishte i papërmbajtshëm teksa realizuan tre gola me brazilianin Gomesh dhe një tjetër me Balajn, për të vulosur kualifikimin me fitoren e thellë 6-1.

VLLAZNIA 6-1 ERZENI
13′ Mala, 45’+1′, 108′ Balaj, 98′, 115′, 120’+1′ Gomesh / 63′ (ag) Stojanoviç

NGJARJET KRYESORE:

120’+3’ Mbyllet ndeshja me fitoren 5-1 të Vllaznisë.

120’+1’ GOOOL VLLAZNIA! Pas një goditje dënimi, Gomesh me kokë shënon golin e tij të tretë personal. (VIDEO)

120’ Jepen 2 minuta shtesë.

120’ Portieri Juka hyn në fushë në vend të Mëhidrit të dëmtuar në radhët e Vllaznisë.

115’ GOOOL VLLAZNIA! Kundërsulm i shpejtë i Çobës nga e djathta, pasimi i tij në qendër mbërrin të Gomesh i cili gjuan dhe tund rrjetën. (VIDEO)

113’ Harkim i gjatë nga e djathta e sulmit të Vllaznisë në shtyllën e dytë ku Delaj gjuan me kokë, por sheh sferën të largohet nga mbrojtësit para se të kalonte vijën fatale. (VIDEO)

112’ Hakaj dhe Mala i lënë vendin në fushë Jagos dhe Delajt.

109’ Maliqi ndëshkohet me karton të verdhë, ndërsa më pas i bën vend në fushë Blazeviç.

108’ GOOOL VLLAZNIA! Aksion i vrullshëm i shkodranëve në krahun e majtë, Hakaj gjen në zonë Balajn i cili nuk gabon dhe shënon golin e katërt për ekipin e tij. (VIDEO)

107’ Harkim spektakolar nga e majta i Malës, topi kalon mbi kryqëzimin e shtyllave. (VIDEO)

106′ Nis pjesa e dytë shtesë.

105’+1’ Mbyllet pjesa e parë shtesë.

105’ Jepet 1 minutë shtesë.

104’ Kacbufi mbyll hapësirat për Malën i cili kishte hyrë në zonë nga e majta, duke e shoqëruar derisa çon sferën jashtë.

101’ Kadriu dhe Migone i lënë vendin në fushë Alidemës dhe Mëllugjës në radhët e Erzenit.

98’ GOOOL VLLAZNIA! Harkim perfekt i Smajlit nga e djathta, Gomesh kërcen dhe me një gjuajtje me kokë gjen golin për shkodranët. (VIDEO)

95’ Harkim nga e majta e sulmit shkodran, Gomesh me kokë gjuan por nuk gjen portën mike. (VIDEO)

92’ Pas një harkimi në zonë, Juriç provon me kokë, por çon lehtë topin në duart e Hasanbelli.

91’ Nis pjesa e parë shtesë e ndeshjes.

90’+5’ Mbyllet gjithçka me shifrat 2-1 për Vllazninë, duhen kohët shtesë për të përcaktuar ekipin e kualifikuar.

90’+5’ Një aksion nga e majta e sulmit shkodran gjen Malën në zonë, devijimi i tij përfundon në duart e Hasanbellit. (VIDEO)

90’+3’ Zeka në kundërsulm shfaqet para portierit, por ndalet nga Mëhidri në dy kohë.

90’ Jepen 5 minuta shtesë.

90’ Hakaj kroson nga e majta, Hasanbelli grushton dhe çon topin në këndore.

88’ Erzeni rrezikon me anë të Marzuk, duke detyruar Smajlin t’i heqë topin nga këmbët në momentet e fundit para Mëhidrit.

86’ Alba ndalon në mënyrë të parregullt Çobën dhe ndëshkohet me karton të verdhë.

83’ Gruda dhe Alivoda i lënë vendin Bruno Gomesh dhe Salës në radhët e Vllaznisë.

78’ Vllaznia harkon në zonë pas një goditje dënimi, Hasanbelli spastron zonën me një grushtim.

74’ Zeka niset i vetëm në kundërsulm nga e djathta, i afrohet zonës por pason gabim për Marzuk, duke çuar sferën te Mëhidri.

71’ Hasanbelli gabon në një aksion të shkodranëve duke mos kontrolluar topin, vendasit tentojnë portën e tij me Hakajn nga e majta por gardiani kthehet në pozicion dhe mbërthen sferën.

69’ Çoba merr vendin e Boshnjakut në radhët e Vllaznisë.

63’ GOOOL ERZENI! Aksion i gjatë i shijakasve, me Maliqin i cili nga e djathta pason në qendër ku Stojanoviç gabon duke devijuar sferën në rrjetën e vet. (VIDEO)

57’ Mihana i lë vendin në fushë Marzuk në radhët e Erzenit.

53’ Vllaznia qarkullon topin në këto minuta, duke u munduar që të gjejë një tjetër hapësirë për të shënuar golin që do të vuloste kualifikimin.

47’ Balaj pason për Grudën dhe e nxjerr para portës, diagonalja e tij përfundon jashtë. (VIDEO)

46’ Pjesa e dytë nis me zëvendësime te Erzeni pasi Asani dhe Osmanllari largohen nga fusha duke i bërë vend Peposhit dhe Zekës

45’+5’ Mbyllet pjesa e parë me rezultatin 2-0 për Vllazninë.  

45’+4’ Pas një goditje dënimi nga e djathta, topi devijohet para Mëhidrit dhe përfundon jashtë në këndore.

45’+1’ GOOOL VLLAZNIA! Mala gjen një korridor i cili nis Balajn drejt portës dhe ky i fundit nuk gabon i vetëm para Hasanbellit. (VIDEO)

45’ Jepen 5 minuta shtesë.

41’ Mala ekzekuton goditjen e dënimit, duke gjetur një përgjigje të rrufeshme të Hasenbelli i cili kalon sferën mbi traversë. (VIDEO)

40′ Pas 2 minutash pritje, gjyqtari Orlando Kuka sinjalizohet për të parë pamjet me VAR. Pasi verifikon pamjet, ai anulon të verdhin që kishte dhënë më parë dhe jep të kuq për Atandan, pasi e vlerëson si lojtar të fundit. (VIDEO)

36’ Atanda ndëshkohet me të verdhë pas një faulli ndaj Grudës.

35’ Kahrimanoviç provon me një goditje dënimi, topi shkon jashtë ngjitur me shtyllën në të majtë të Mëhidrit. (VIDEO)

31’ Karton i verdhë edhe për Grudën pas një faulli ndaj Maliqit.

27’ Ndëshkohet me karton të verdhë Osmanllari.

27’ Pas një goditje nga këndi, Hasanbelli detyrohet të grushtojë me vështirësi mes futbollistëve shkodranë në zonën e tij.

23’ Përgjigjet nga ana tjetër Erzeni me një gjuajtje të fortë që grushtohet nga Mëhidri.

22’ Tjetër top nga thellësia për Grudën në të majtën, ai kontrollon mirë në zonë dhe shmang një mbrojtës, por pastaj gabon gjithçka me gjuajtjen e tij. (VIDEO)

15’ Balaj shfaqet në të djathtën dhe lëshon një gjuajtje që devijohet jashtë, aksioni bëhet i pavlefshëm për pozicion jashtë loje.

13’ GOOOL VLLAZNIA! Top në thellësi në të majtën për Grudën i cili është i vetëm në fundore, ka kohën e mjaftueshme të gjejë Malën në qendër dhe ky i fundit nuk gabon duke çuar topin në rrjetë. (VIDEO)

10’ Pas zhvillimit të një tjetër goditje nga këndi, topi shkon te Asani i cili nga e majta lëshon një gjuajtje që përfundon jashtë, jo shumë larg kryqëzimit të shtyllave të portës së vendasve. (VIDEO)

8’ Në një goditje këndi për Erzenin, topi harkohet në zonë, por devijimi i futbollistëve shijakas nuk gjen portën.

1′ Starton sfida në “Loro Boriçi”!

FORMACIONET ZYRTARE:

VLLAZNIA: Mehidri, Smajli, Stojanoviç, Juriç, Hakaj, Krymi, Alivoda, Boshnjaku, Malaj, Balaj, Gruda.

Trajner: Qatip Osmani

ERZENI: Hasanbelli, Dakaj, Kacbufi, Atanda, Alba, Migone, Kadriu, Kahrimanoviç, Maliqi, Asani, Mihana.

Trajner: Alfred Deliallisi

WhatsApp Image 2024-03-06 at 5.04.47 PM

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"