VIDEO/ “Më 15 tetor inauguroj stadiumin, kam folur me Dukën”, Gjici inspekton nga afër punimet: Investim 10 milionë dollarë! Na duhen 3 fusha stërvitje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2021 | 15:00

VIDEO/ “Më 15 tetor inauguroj stadiumin, kam folur me Dukën”, Gjici inspekton nga afër punimet: Investim 10 milionë dollarë! Na duhen 3 fusha stërvitje

Kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici, i cili është njëkohësisht dhe presidenti i nderit të klubit të futbollit, inspektoi ditën e sotme nga afër punimet që po kryen në impiantin e stadiumit “Zeqir Ymeri” në Kukës. Gjatë një bashkëbisedimi me inxhinierët përgjegjës, Gjici zbuloi se më 15 tetor, është menduar të inaugurohet ky impiant modern, i cili duket se po merr formë.

Gjici

“Deri në fund të muajit, punë ndërtimore nuk do të ketë asnjë këtu. Ai i mbaroni të gjitha punët ndërtimore deri në fund të këtij muaji ju? Nuk e di unë dua që të mbarojnë punimet deri në fund të këtij muaji. Kam folur me Dukën, më 15 tetor, unë inauguroj stadiumit të përfunduar me të gjitha, me fushë me gjithçka. Vazhdoni pra, mos pushoni nga mëngjesi deri në darkë”, dëgjohet teksa shprehet Gjici gjatë bashkëbisedimit me inxhinierët që po merren me ndërtimin e stadiumit.

Ndërkohë në një prononcim për mediat, pas inspektimit të punimeve, presidenti i nderit të klubit të futbollit të Kukësit u shpreh:

“Jam shumë i kënaqur mbi të gjitha me cilësinë e punimeve. Kjo ka shumë rëndësi. Me kohën, nuk jam shumë i kënaqur, sepse e vuajmë shumë, klubi e vuan shumë mosluajtjen e ndeshjeve në fushën e vetë, prandaj ka pasur rezultate të dobëta vitin e kaluar. U bënë 3 sezone që po luajmë jashtë. Duam veç cilësisë, që të ketë organizim mes grupeve. Po të ishin të gjithë grupet të organizuar, do t’i kishin dhënë finon e fundit stadiumit.

Është një investim i jashtëzakonshëm për Kukësin, që ka ardhur falë këtij ekipi që kemi sot. Kurrë nuk do të vinte ky investim në Kukës. Falë mbështetjes së kryeministrit Rama dhe presidentit të FSHF-së, të dy bashkë kanë bërë të mundur që 10 milionë dollarë të futem në këtë stadium. FSHF është e gatshme të na japë veç fushës së stërvitjes, edhe 2 fusha të tjera. Ne si Bashki kemi problemet tona sa i përket fondeve.

Ne do bëjmë dhe akademinë, na duhen 3 fusha stërvitje. Mezi kemi gjetur rërën në Burrel. Janë bërë analizat 1 muaj e gjysëm. Shumë shpejt do të vijë dhe rëra dhe do të fillojë montimi i stolave. Për 1 javë 10 ditë i montojmë të gjitha. Duhet të jemi përditë këtu. Iu kam thënë të gjithëve që të rijnë non stop te stadiumi. Fusha do 20 ditë kohë që të luajnë. Është porositur dhe një autobus i ri, që kur të vijnë të luajnë këtu, të vijnë me autobus të ri”, u shpreh ndër të tjera Gjici.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"