Video / Gabim i rëndë i Vllaznisë në shtëpi, largohet vendi i katërt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2017 | 17:50

Video / Gabim i rëndë i Vllaznisë në shtëpi, largohet vendi i katërt

Vllaznia ka humbur një mundësi të artë për të rimarrë vendin e katërt në renditjen e Superiores pasi është ndalur në shtëpi përballë Korabit të vendit të fundit të renditjes. Dibranët, edhe pse kanë mbyllur çdo diskutim për mbijetesën, pasi kanë rënë matematikisht, kanë respektuar kampionatin duke luftuar për një pikë që tregon se ky grup lojtarësh ka përbërje cilësore.

Në fakt, ndeshja është dominuar nga Vllaznia, e cila ka arritur të krijojë raste të shumta për shënim në pjesën e parë, por arriti të gjente golin e avantazhit vetëm në fundin e këtij fraksioni të lojës, pas realizimit të Gurishtës.

Por me fillimin e pjesës së dytë, kur shkodranët po planifikonin të diktonin një ritëm më të ulët, u goditën shpejt nga Prençi i cili shfrytëzoi daljen e gabuar të Selimajt në një goditje nga këndi për të vendosur baraspeshën.

Më pas, Korabi u mblodh thuajse i tëri në prapavijë, për t’u mbrojtur nga sulmet e Vllaznisë që provoi në çdo mënyrë të shënonte dhe shpërdoroi disa raste të arta sidomos me Bakajn i cili goditi edhe shtyllën.

Në fund, barazimi 1-1 nuk kënaq shkodranët pasi i lë në vendin e pestë dhe i jep mundësinë Luftëtarit që në rast fitoreje nesër ndaj Skënderbeut, të shkëputet edhe më shumë.

vllaznia korabi

MINUTË PAS MINUTE

90’+4’ Mbyllet në barazimin 1-1 ndeshja në Shkodër.

90’-2’ Kundërsulm i shpejtë i Korabit që arrin deri në zonën e Vllaznisë, vetëm një grushtim i saktë i Selimajt ndaj gjuajtjes së Kaloshit shpëton Vllazninë nga një humbje e bujshme në shtëpi.

90’+1’ Në goditjen vijuese nga këndi, Bicaj e Gurishta nuk arrijnë të shtyjnë topin në rrjetë, edhe pse sfera vërtitet pranë vijës fatale.

90’ Harkim nga krahu i djathtë i sulmit të Vllaznisë, Bakaj gjuan me kokë por godet përsëri shtyllën e portës së Korabit. I pafat fantazisti i Vllaznisë.

85’ Luhet praktikisht vetëm pranë zonës së rreptësisë së Korabit, me Vllazninë që provon në çdo mënyrë të gjejë golin e fitores por deri tani është bllokuar më së miri nga prapavija kundërshtare dhe portieri Prençi, në një formë të shkëlqyer.

80’ Tjetër mundësi e mirë e Vllaznisë për të shënuar. Bakaj gjuan drejt portës, vetëm pak hapa larg saj, por godet shtyllën pingule dhe më pas mbrojtja e Korabit largon rrezikun.

72’ Cungu bën edhe lëvizjen e fundit, duke hedhur në fushë Mulemo i cili pozicionohet si mesfushor i majtë për të rritur forcën sulmuese të ekipit të tij.

66’ Një tjetër goditje nga këndi për Vllazninë sjell rrezikun e radhës në katërkëndorin e Korabit, me Bicajn që nuk arrin këtë radhë të shtyjë sferën në rrjetë, pak hapa larg portës.

65’ Bakaj provon edhe me kokë të kalojë Prençin, por ky i fundit kalon topin mbi traversë me një devijim të lehtë.

63’ Tjetër kombinim mes Bakajt dhe Kalajës, ku ky i fundit në pozicion diagonal provon të mposhtë Prençin. Devijimi i portierit çon topin mbi traversë duke ruajtur portën nga një gol i dytë.

59’ Kalaja ul mirë topin për Bakajn i cili është i vetëm në zonë, por gabon me gjuajtjen e tij me të djathtën e cila është shumë e fortë dhe kalon mbi traversën e dibranëve.

53’ Kalaja futet në fushën e lojës në vend të Shtubinës dhe pas pak sekondash ka mundësinë të dërgojë topin ën rrjetë në pozicion ballor, por shpërdoron para Prençit.

49’ Barazon Korabi me Prençin. Pas një goditje nga këndi, Prençi me kokë dërgon sferën në rrjetë duke shfrytëzuar një dalje të gabuar nga portieri Selimaj. 1-1

46′ Rifillon ndeshja në Shkodër.

45′ Mbyllet pjesa e parë e ndeshjes.

44’ Në goditjen e katërt nga këndi, vjen edhe goli i avantazhit i Vllaznisë. Bakaj harkon në zonë dhe Gurishta me kokë dërgon topin në rrjetë. 1-0

39’ Çinari merr fundoren në krahun e djathtë duke e kthyer në qendër, por mbrojtja e Korabit largon rrezikun.

32’ Duke mos pasur mundësi të gjejë hapësira, Bakaj provon në pozicion ballor në hyrje të zonës, por edhe ai nuk ka saktësinë e duhur për të dërguar topin në kuadrat.

30’ Hebaj provon me një gjuajtje me kokë në shtyllën e parë, pas një harkimi nga e majta, por nuk arrin të kthejë sferën në rrjetë, me topin që përfundon jashtë.

23’ Vllaznia mbetet përsëri në kontroll të plotë të ndeshjes, por ka rënë disi ritmi i minutave të para, pasi dibranët arrijnë të mbyllin më mirë hapësirat në prapavijë.

12’ Vazhdon “rrethimi” para portës së Korabit. Çinari provon me një gjuajtje të fortë me të majtën, por goditja e tij grushtohet nga Prençi. Aksioni vazhdon dhe topi përfundon në këmbët e Hebajt, por ky i fundit nuk arrin të gjuajë në portë.

7’ Një mundësi shumë e mirë shënimi për Vllazninë, me një top që kalon mbi mbrojtjen dhe Çinarin që shfaqet i vetëm para Prençit. Por devijimi i mesfushorit nuk është i saktë dhe sfera përfundon jashtë kuadratit ngjitur me shtyllën.

3’ Shumë kërkuese Vllaznia në minuta e para, duke sulmuar me agresivitet mbajtësit e topit të kundërshtarëve, në kërkim të një goli të shpejtë.

1′ Korabi luan topin e parë nga qendra.

Vllaznia-Korabi 1-1
44′ Gurishta / 49′ El. Prençi

Vllaznia: Selimaj, Gurishta, Vrapi, Bicaj, Pjeshka, Tafili, Gocaj (72′ Mulemo), Çinari (65′ Kruja), Shtubina (52′ Kalaja), Bakaj, Hebaj

Trajner: Armando Cungu

Korabi: En. Prençi, Shabani, Zefi, El. Prençi, Arifaj, Çangu (77′ Murrja), E. Kaloshi, Kaja (59′ Jubani), Gavazaj, Hoxhaj, Peposhi (56′ Marinaj)

Trajner: Ermal Nexhipi

KV: Pjeshka / Çangu

Gjyqtar: Elidon Hala

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"