VIDEO/ Erzeni ndal vrullin “europian” të Laçit, i merr pikë në transfertë kurbinasve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2023 | 23:58

VIDEO/ Erzeni ndal vrullin “europian” të Laçit, i merr pikë në transfertë kurbinasve

Laçi dhe Erzeni janë ndalur sot në një barazimin 1-1 në fushën e kurbinasve që më shumë u ka hyrë në punë shijakasve të cilët luftojnë për të qëndruar larg zonës së ftohtë.

bandicam 2023-05-07 16-51-39-079

Skuadra e Stavri Nicës po ecte më një ritëm mbresëlënës në javët e fundit duke kërcënuar ekipet që kishte më sipër në renditje dhe po rrezikonte seriozisht vendin e tretë të Egnatias. Pas një supergoli të Bibos në pjesën e parë të ndeshjes, u duk se kjo ecuri e ekipit kurbinas do të vazhdonte edhe sot.

Por shijakasit luajtën më mirë në fraksionin e dytë të lojës duke kërkuar dhe gjetur golin e barazimit me Nonaton. Të dy palët më pas kërkuan me ngulm edhe golin e fitores, por askush nuk ia doli të gjente rrjetën, duke mbyllur ndeshjen me pikë të ndara.

LAÇI-ERZENI 1-1

26′ Bibo / 58′ Nonato

NGJARJET KRYESORE:

90’+6’ Mbyllet ndeshja me barazimin 1-1.

90’+3’ Goditje dënimi e kurbinasve pranë zonës, me Babatunde i cili tenton direkt portën, por kalon sferën mbi kryqëzimin e shtyllave.

90’ Jepen 5 minuta shtesë.

90’ Enk merr vendin e  Alan në radhët e Erzenit.

88’ Alla nuk largon topin nga thellësia të Osmanllarit dhe Nonato vihet në kontroll të tij. Sulmuesi rrotullohet dhe gjuan drejt portës, por sheh sferën të devijohet në këndore.

87’ Peposhi dhe Ademi i lënë vendin në fushë Kovaçit dhe Osmanllarit në radhët e shijakasve.

85’ Sulme dhe kundërsulme nga të dy ekipet në këto minuta, por ata arrijnë pranë zonës pa gjuajtur në portën kundërshtare.

81’ Spahiu shpërdoron mundësinë e artë për të shënuar golin e avantazhit. Pasi merr një pasim nga e majta, ai gjuan jashtë katërkëndorit edhe pse i vetëm në zonë.

79’ Bibo del nga fusha e lojës për t’i bërë vend Babatunde në radhët e kurbinasve.

76’ Qato nga e majta nis një top të gjatë në shtyllën e dytë, Xhika del mirë dhe kontrollon para Guindos.

72’ Ademi tenton me një roveshatë por nuk gjen topin, Nonato më pas provon me një kthesë të shpejtë pa gjetur katërkëndorin e Selmanit.

72’ Ndryshime edhe te Erzeni me Sadikin i cili merr vendin e Mehmetit.

67’ Barjamaj hyn në fushë në vend të Shkurtajt te kurbinasit.

61’ Qato merr vendin e Mazrekajt në radhët e Laçit që ka humbur rrjedhshmëri në lojën e tij.

60’ Mazrekaj ka në dispozicion një goditje dënimi ballore për të provuar të majtën e tij, por nuk gjen katërkëndorin me tentativën.

58’ GOOOL ERZENI! Pas një aksioni të gjatë të insistuar nga shijakasit, gjuajtja e Mehmetit devijohet në shtyllë nga Sleeani, Nonato vjen me shpejtësi dhe shtyn sferën në rrjetë duke barazuar shifrat.

56’ Kadriu nga e djathta lëshon një gjuajtje të fortë, por ndalet nga Selmani. Më pas është Allai cili largon sferën duke shpëtuar portën.

52’ Tenton edhe Kahrimanoviç nga jashtë zonës, sfera devijohet dhe ndalet në duart e Selmanit.

49’ Kundërsulm i shpejtë i shijakasve me Nonaton i cili shfaqet në pozicion ballor dhe tenton portën nga jashtë zonës, duke mos gjetur katërkëndorin, ndërsa kishte shokë të skuadrës me të cilët mund të kombinonte.

46’ Nis pesa e dytë pa zëvendësime në radhët e dy ekipeve.

45’+1’ Mbyllet pjesa e parë me avantazhin 1-0 të Laçit.

45′ Jepet 1 minutë shtesë.

44’ Nonato mundohet të kthejë topin nga e djathta drejt qendrës, por sipas gjyqtarit nuk ka mbajtur sferën brenda kufijve të zonës.

37’ Goditje këndi e Erzenit, topi pasi largohet nga zona përfundon në këmbët e Kahrimanoviç i cili provon me të majtën me një shënjestër tërësisht të gabuar.

34’ Spahiu gjuan në portë nga e majta, Xhika nuk kontrollon mirë sferën dhe Shkurtaj ndjek aksionin duke e çuar sferën në rrjetë. Por sulmuesi sinjalizohet në pozicion jashtë loje dhe goli anulohet.

30’ Tani kurbinasit tentojnë të qetësojnë lojën për të administruar avantazhin duke qarkulluar sferën gjatë para se të kërkojnë Guindo dhe Shkurtaj si pikat e referimit në sulm.

26’ GOOOL LAÇI! Guindo ul topin për Bibon i cili gjuan nga jashtë zonës dhe me një predhë mposht Xhikën.

21’ Shkurtaj shfaqet në zonë dhe pason për Guindo, Xhika largon sferën me këmbë e më pas sulmuesi sinjalizohet për pozicion jashtë loje.

20’ Top në thellësi për Kadriun i cili hyn në zonë nga e djathta por pastaj nuk ia del të kontrollojë mirë para Selmanit.

16’ Mazrekaj provon me një goditje dënimi të harkojë topin në qendër për shokët e skuadrës, por mbrojtja mike largon sferën.

11’ Alan provon portën me një goditje dënimi nga distanca, pa gjetur katërkëndorin e kurbinasve.

5’ Presing i Laçit në minuta e parë, skuadra kurbinase tenton portën me anë të Shkurtajt, por sfera fluturon mbi traversë.

1’ Nis takimi mes Laçit dhe Erzenit!

FORMACIONET:

LAÇI: Selmani, Roganoviç, Alla, Velkoski, Ziko, Manellari, Bibo, Spahiu, Mazrekaj, Shkurtaj, Guindo
Trajner. Stavri Nica

ERZENI: Xhika, Peposhi, Kriviçiç, Iljazi, Leao, Mehmeti, Kahrimanoviç, Alan, Kadriu, Nonato, Ademi
Trajner. Xhevahir Kapllani

ERZENI LACI

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"