VIDEO / 50 vjet nga koha kur Gjermania na mundte 6-0 dhe bënte reklama çokollatash me Shqipërinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2017 | 23:54

VIDEO / 50 vjet nga koha kur Gjermania na mundte 6-0 dhe bënte reklama çokollatash me Shqipërinë

Shqipëri-RF Gjermane! Pikërisht më 8 prill të vitit 1967 e ka startin kjo përballje kur në Dortmund do të zhvillohet ndeshja e parë zyrtare. Një takim për Eliminatoret e Kampionatit Europian që ndonëse përfaqësuesja e humbet thellë, është një sfidë që mbart vlera historiko-sportive, por jo vetëm, pasi nuk do të mbyllet këtu. Nga prilli i ’67-ës ka kaluar gjysmë shekulli e për ta kujtuar atë 90-minutësh, dosieri i “Panorama Sport” e rikthen me Mikel Jankun, ish-portierin e kombëtares, që rrëfehet nga përgatitja, pragatmosfera, si e ndërtoi Boriçi formacionin ndaj nënkampionëve të botës me Tillkovskin, Bekenabuer e Overat.

Cilët ishin protagonistët e Dortmundit, rivaliteti Partizan-17 Nëntori dhe pse nuk u zëvendësua Janku pas golave të Gerd Mylerit? Për të ardhur te dhjetori i po atij viti, kur RF Gjermane do të vijë në Tiranë dhe pas barazimit 0-0 në “Qemal Stafa” do të eliminohet në mënyrë surprizë e të bujshme. Por, gjithçka rreth kësaj ndeshjeje do ta rezervojmë për pjesën dytë të dosierit, me të cilën do të takohemi në fund të këtij viti…

11

NË GRUPIN E 4-T ME RFGJ-në E JUGOSLLAVINË

Shqipëria është në grupin e 4-t të fazës eliminatore për Kampionatin Europian, edicioni i tretë i tij, finalet e të cilit do të zhvillohen në Itali në qershorin e 1968-ës. Bashkë me të janë edhe RF Gjermane nënkampione e botës, Jugosllavia, skuadër me futbollistë cilësorë, ku spikat sulmuesi Xhaiç, i preferuar nga shumë klube europiane. Për Shqipërinë, kjo është hera e dytë që merr pjesë në një kompeticion të tillë, kur dy vite më parë në grup ka Danimarkën e Greqinë (kjo tërhiqet nga turneu për motive politike): 0-4 në Kopenhagen dhe 1-0 në Tiranë.

Para takimit me RF Gjermane, të fundit kombëtarja e kishte luajtur në nëntorin e 1965 në “Qemal Stafa”, Shqipëri-Irlanda V. 1-1 me këtë formacion: Janku, Frashëri, Halili, Kasmi A. Mema, Shllaku, F. Andoni, R. Rragami, Zhega, M.Haxhiu, B. Rudi. Nuk luan Pano i dëmtuar.

3

PARTIZANI-KËLN, PËRBALLJA “NJOHËSE”

Partizani-Këln, në vitin 1964, është e para përballje me futbollin e Gjermanisë Perëndimore. Madje në Kupën e Kampioneve me klube. Një barazim 0-0 në “Qemal Stafa” dhe me Partizanin aktivizohen: Janku, Deliallisi, T.Vaso, F. Frashëri, O. Mema, Shllaku, Kraja, Bespalla, Ndini, Pano, Jashari. Trajner: L. Boriçi.

Ndeshja e kthimit më 23 shtator në Këln: 2-0 për gjermanët dhe Partizani luan thuajse me të njëjtin formacion. Nuk shkon në Gjermani Bespalla, madje vëllai i tij atje prej vitesh i takon futbollistët e Partizanit, të cilët “justifikojnë” Bespallën se i dëmtuar nuk ka udhëtuar me skuadrën. Nga këta futbollistë, në takimin e ’67-ës në Dortmund do të shkojnë: Janku, Frashëri (tashmë i 17 Nëntorit), Pano, ndërsa nga Këlni do të luajnë Ueber dhe Overat. Në prag të sfidës së 8 prillit, informacioni reciprok ishte i pakët, përveç Partizani-Këln, i zhvilluar dy vite me parë, që mund t’u shërbente kombëtareve për kohën, asgjë më shumë.

2

VITET E RIVALITETIT 17 NËNTORI-PARTIZANI

Janë vitet e rivalitetit ekstrem të dy skuadrave kryeqytetase, pasi është koha e shpërthimit të 17 Nëntorit, me një grup futbollistësh dhe lojë ndryshe, moderne, spektakolare. Kampionë dhe dominues të aktiviteteve futbollistike në vend, për ndeshjen e 8 prillit dyshja drejtuese Boriçi-Alla e ndërtojnë skemën taktike dhe lojën bazuar te kjo skuadër e në Gjermani në formacion janë 6 futbollistë nga 17 Nëntori: mbrojtësi Frashëri, mesfushorët A. Mema e Kazanxhi, sulmuesit e shpejtë anësorë Xhaçka, Ishka e goleadori Hyka. Ndërsa nga Partizani vetëm tre: Janku në portë, Rragami në mesfushë, Pano në sulm. Bizi i Vllaznisë në rolin e organizatorit dhe T. Vaso i Skënderbeut si mbrojtës i majtë.

4

PËRGATITJA, SHUMË E GJATË

Pasi është mbyllur faza e parë e kampionatit, në muajin janar skuadra kombëtare, nën drejtimin e trajnerëve Boriçi-Alla, grumbullohet në Vlorë, në Kampin e Punë- torëve. Stërvitje dy herë në ditë, dy takime miqësore në Tiranë me ekipin rumun Zhul Petroshan duke i fituar me rezultatin 1-0. Pastaj skuadra niset për një turne miqësor dyjavor në Egjipt, luan tri takime: 1 fitore dhe 2 barazime.

Shkruhet se është përfaqësuesja e qytetit të Tiranës, por realisht është skuadra kombëtare që përgatitet për ndeshjen e 8 prillit. Kthimi nga Egjipti është i lidhur me rifillimin e kampionatit, faza e dytë pikërisht në fund të muajit mars. Pastaj nisja më 6 prill për në Dortmund. Besim Fagu ishte shoqërues, dy trajnerët, masazhatori Ali Kastrati, mjeku I. Feta dhe pak lojtarë rezervë, ndër ta K. Dinella e L. Vorfi.

Ndërkohë, situata politike në vend është e tensionuar: në nëntorin e ’66-ës humb jetën në portin e Durrësit Adem Reka dhe për vlerësimin e aktit të tij organizohen aktivitete masive, pelegrinazhe, ndërsa në shkurtin e 1967-ës Enver Hoxha, me anë të një letre, u drejtohet komiteteve të partisë në rrethe “mbi luftën kundër fesë e paragjykimeve fetare”, duke filluar kështu fushatën për prishjen e kishave e xhamive.

5

DEBUTIMI, SI RRALLËHERË

Ndeshja e Dortmundit ndaj RFGJ-së ka edhe debutimet historike të disa futbollistëve shqiptarë: Debutojnë T, Vaso. J. Kazanxhi, N Xhaçka, S. Hyka, B. Ishka dhe talenti i madh Sabah Bizi, kur është vetëm 19 vjeç. Skënder Halili, kolona e mbrojtjes dhe titullar në ndeshjet e kombëtares, është përjashtuar, madje i burgosur për motive banale, një hakmarrje e Ministrisë së Brendshme (pse ai nuk qëndroi te Dinamo). Nuk është Zhega, shënuesi i golit të barazimit ndaj Irlandës së Xhorxh Bestit.

Iljaz Çeço, edhe ky i munguar në këtë sfidë, kujton: “Pas golit me Irlandën, Zhega u përplas me shtyllën dhe për një kohë të gjatë kishte shqetësime në kokë, por që nuk e morën në Dortmund ishte edhe ‘ndëshkimi’ i Ministrisë së Arsimit për mungesat që kishte bërë si student në fakultet për shkak të grumbullimeve të gjata”. Nuk janë gjithashtu as Rudi, M. Haxhiu, Kasmi e Andoni, protagonistë ndaj Irlandës.

Si në miqësoret ndaj rumunëve të Petroshian, turneut egjiptian edhe në Dortmund, kapiten është portieri Mikel Janku, pasi Shllaku ka probleme shëndetësore dhe nuk udhëton me përfaqësuesen. Kjo do të jetë edhe ndeshja e dytë e Boriçit në stol, që pas humbjes së kombëtares 4-1 në Belfast në majin e ’65-ës ka zëvendësuar Z. Konçin dhe nën drejtimin e tij skuadra merr një rezultat befasues 1-1 me Irlandën në Tiranë dhe tani në Dortmund. Nga nëntori i ’65-ës deri në prillin e ’67-ës asnjë takim i kombëtares, zyrtar apo miqësor, përveç turneut në Egjipt.

6

NDAJ SHQIPËRISË, BEKENBAUER & CO

Pas takimit dramatik në Uembli, Angli-Gjermani 4-2, me golat e realizuar nga Haller e Ueber që barazon 2-2 në sekondat e fundit të 90 minutave, në tetorin e atij viti, Gjermania nënkampione e botës zhvillon vetëm një miqësore me Turqinë në fund të atij viti që e fiton 2-0 dhe direkt takimi zyrtar në prill të ’67-ës, në Dortmund ndaj Shqipërisë. Për herë të parë në historinë e dy shteteve një përballje e tillë, por që nuk do të jetë as edhe e fundit.

Për sfidën e 8 prillit trajneri Schon ka në formacion thuajse bazën e botërorit anglez me 6 lojtarë: H. Tillkovski (Borussia D.), W. Schulz (Hamburg), W. Weber (Këln), H. D. Hottges (Werder B), F. Beckenbauer (Bayern M), W. Overath (Këln). Nuk aktivizohen Shnelinger i Milanit, Haller i Bolonjës, pasi kanë probleme me klubet italiane, Zeler i Hamburgut, Held dhe Emmerich të Borussia D. Ndërkohë janë debutues: B. Patzke (Munih 1860), Bernd Dorfel (Hamburg), Lothar Ulsass (Eintracht B), Gerd Myller (Bayern M), Johannes Lohr (Këln).

8

E PARA ZYRTARE PËR GERD MYLERIN

Janë vitet që në Bundesligë dominojnë Këln (kampionia e parë e Bundesligës e krijuar në vitin 1963-1964), Verder Bremen, Mynich 1860, Eintraht, që janë skuadrat kampione në atë periudhë. Për pasojë, edhe ekipi kombëtar ka në përbërje lojtarë nga këto klube, pasi Bajern Mynihu kishte disa sezone që endej në Regionalliga. Gerd Myler luan me ekipin e vendlindjes TSV Nordlingen dhe në sezonin 1963-1964 shënon 51 gola në 31 ndeshje, kur është vetëm 19 vjeç. I spikatur e për të rikthyer Bajernin në elitë, drejtuesit e marrin në klubin bavarez dhe në kampionatin 1965-1966 është titullar me Bajernin në Bundesligë. Ndeshjen e parë me përfaqësuesen e zhvillon me 12 tetor të vitit 1966 në miqësoren Turqi-RF Gjermane 0-2, por nuk realizon, për të ardhur me 8 prill në ndeshjen e parë zyrtare me kombëtaren ndaj Shqipërisë ku shënon 4 gola.

Skeda

REKLAMA GJIGANTE TE “KICKER”

Është një fakt interesant kur pas ndeshjes, në njërën nga faqet e “Kicker-Sportmagazin”, revista sportive më e njohur në Gjermani dhe me famë në botë, e specializuar kryesisht me futbollin (e krijuar në vitin 1920, me dalje të hënë e të enjte), publikoi pas takimit një reklamë gjigante ku i bëhej publiciteti i çokollatës së njohur “Mars”. Dhe në qendër të saj organizatorët kishin zgjedhur e vendosur tre futbollistë të takimit RF Gjermane-Shqipëri: Gerd Myler e në krah të tij dy shqiptarët, Josif Kazanxhi e Ali Mema.

1

NGA E PARA, TEK AJO E DHJETORIT…

Kjo ishte ndeshja e parë, RF Gjermane-Shqipëri 6-0. Nga prilli 1967, disa prej protagonistëve fatkeqësisht janë ndarë nga jeta, si trajnerët Boriçi e Alla, masazhatori Ali Kastrati, futbollistët J. Kazanxhi, Pano e Ishka. Ndërkohë, pas kthimit në Tiranë, shtypi sportiv nuk e komentoi shumë takimin, por në mjediset sportive pati polemika se i kujt ishte faji për humbjen e thellë, i grupit tiranas apo atij partizanas? Sidoqoftë, kohë nuk kishte, pasi kalendari do të vijonte me ndeshjet: 3 maj Jugosllavi-RF Gjermane; 14 maj Shqipëri-Jugosllavi; 7 tetor RF Gjermane-Jugosllavi; 12 nëntor Jugosllavi-Shqipëri dhe e fundit 17 dhjetor Shqipëri-RF Gjermane. Pra, të gjitha takimet në harkun e një viti të mbushur me surpriza jo vetëm sportive:

10

Takimet me Jugosllavinë, përjashtimi i Partizani-17 Nëntorit dhe refuzimi i kampiones Dinamo për të luajtur me gjermanët e Eintraht të Brundeshvajgut. Në shtator nuk ka kampionat, pasi FSHF ndryshon formulën, ndërsa situata politike tejet e tensionuar lidhet me Shkurte Pal Vatën tërmetin e nëntorit, Revolucioni Kinez dhe publiciteti në stadium për elektrifikimin e vendit që habiti gjermanët.

Këto ishin disa nga ngjarjet, të cilat e paraprinë sfidën historike të mesditës së 17-dhjetorit në “Qemal Stafa”. Pikërisht ajo datë do të jetë edhe takimi i dytë me dosierin në 50-vjetorin e përballjeve Shqipëri-RF Gjermane. Sigurisht me të tjera detaje, histori, ngjarje, protagonistë e foto të rralla.

INTERVISTA / Janku: Myler shënoi 4 gola, por nuk e njihnim fare

Mikel Janku, si portier e kapiten, e rikthen këtë përballje duke iu referuar kujtesës, ato çfarë kanë lënë gjurmë tek ai nga Dortmundi largët i ’67-ës. Si e kujtoni atë sfidë?

Kishim tre muaj që përgatiteshim. Qëllimisht, u shty faza e dytë e kampionatit, nuk kishte kupë, luajtëm dy miqësore me një klub rumun dhe turneu i Egjiptit. Në Dortmund ishim dy ditë përpara. Kryem një seancë stërvitje në një aneks të stadiumit dhe në mbrëmje, në një holl të vogël të hotelit, trajnerët Boriçi dhe Alla bënë analizën, duke përcaktuar disa pika kryesore ku pritej rreziku i kundërshtarëve, të dëmtuar nuk kishim dhe formacioni dihej.

Pse dihej?

Për faktin se rregullorja nuk lejonte zëvendësime e për këtë motiv me skuadrën udhëtonin pak lojtarë, 2 apo 3 rezervë, madje qëllonte edhe vetëm një futbollist, kjo edhe për mundësi ekonomike. Në stol qëndronte vetëm portieri, në këtë rast Dinella, i cili mund të luante nëse portieri, pra unë do të dëmtohesha dhe vetëm me aprovimin e mjekut të fushës mund të kryhej zëvendësimi. Janë vitet kur skuadrat e fillonin dhe e mbaronin lojën me të njëjtët futbollistë.

7

Sa informacion kishit për kundërshtarin?

Nga çfarë mund të kishim parë gjatë botërorit anglez në ato pak televizorë të kohës, njihnim portierin Tillkovski, Schulz, Bekenbauer shumë i ri, si dhe Weber, Overat, të cilët i kishim takuar me Këlnin. Nuk do të luanin mbrojtësi Shnelinger, sulmuesi Haller, si dhe Uve Zeler, ndërsa për Gerd Mylerin nuk kishim asnjë informacion.

Po ndeshja?

Kishte interes për takimin që u zhvillua në mesditë, pa reflektorë në një stadium të vogël ku spektatorët thuajse ishin të gjithë në fushë, në një terren të rënduar e me baltë. Ne ishim me fanella të kuqe, uniformë e bërë në trikotazh me stemën në mes. Në mbrojtje u rreshtuam me Frashërin, T. Vason në krahë, ndërsa Kazanxhi, A. Mema, ndonëse mesfushorë, u vendosën në qendër të saj; mesfusha përbëhej nga Rragami, Bizi, Hyka si dhe Ishka e Xhaçka me dalje në sulm kur skuadra kishte topin.

Pano me numër 10 luajti në krahun e djathtë, një pozicion që ishte edhe vendosje spontane e tij. Me fillimin e lojës, skuadra jonë ka patur dy raste ku veçoj atë pas 1-0 me Xhaçkën, që i vetëm me Tillkovskin, goditi, por një mbrojtësi largoi topin nga vija e portës. Mund të barazonim, çka i tensionoi gjermanët. Pastaj një tjetër mundësi, por Tillkovski pret diagonal. Ndërsa kundërshtarët goditën edhe dy shtylla, njërën në pjesën e dytë nga Bekenbauer me gjuajtje jashtë zone.

9

Myler dhe katër golat…

Ai realizoi katër gola, tre prej të cilëve nga afër, edhe për pakujdesi të mbrojtjes, terrenit, tipike të stilit të tij, njërin kujtoj me kokë në pjesën e dytë, ndërsa të fundit me 11-metërsh duke goditur lart në të majtën time. Penalltia ishte një faull ndaj Lohr që po dilte jashtë vijës fundore, për të cilën mbrojtësit tanë protestuan. Para ekzekutimit të saj pas portës vërshuan fotografë, gazetarë, tifozë. Ndërsa Lohr dy golat i shënoi me gjuajtje nga distanca, jashtë zone: të parin goditje ballore, të dytin nga një pozicion diagonal. Me Lohr jam takuar shumë vite më vonë në Tiranë, kur unë punoja si gazetar sportiv dhe ai shoqëronte ekipin gjerman. Kujtoj se në darkën zyrtare në Dortmund, Bekenbauer i tha Panos: “Je lojtar shumë i mirë”.

Në ndeshjen e dhjetorit ju nuk luajtët, përse?

Po, është e vërtetë. Ka një detaj të veçantë në lidhje me zëvendësimin tim me Dinellën. Ishte një ide e Boriçit, që si zakonisht para sfidave decizive rezervonte surpriza të mëdha, por do t’jua tregoj kur të vijë dhjetori…

Nga UVIL ZAJMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"