“Vetëm me Burrelin shkoi mirë, por prapë nuk shënuam dot”, Gjyla: S’do vijnë nga Franca, arbitrat ta fusin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2021 | 13:31

“Vetëm me Burrelin shkoi mirë, por prapë nuk shënuam dot”, Gjyla: S’do vijnë nga Franca, arbitrat ta fusin

Pasi morën pikën e parë në transfertë, në Lushnjë mendojnë se e thyen tersin. Këtë javë luajnë sërish jashtë dhe nga Burreli do t’u duhet që të marrin rrugën për në Shijak. I pret Erzeni i vendit të dytë dhe vështirësia dihet, e megjithatë Ilir Gjyla nuk i humb shpresat. Ai pret vetëm një gjë nga kjo ndeshje: gjykim korrekt. Mendon se janë penaloizuar disa herë dhe një lloj frike është krijuar. Gjatë deklaratës së dhënë për “Panorama Sport”, trajneri flet edhe për dëmtimet që po bëhen shqetësim.

Ilir Gjyla Lushnja

“Me Burrelin thyem akullin. Morëm pikën e parë, e cila na mungonte. Ishte një ndeshje që edhe mund ta fitonim, duke iu referuar rasteve të krijuara dhe asaj që dhamë në fushë. Në këtë sens, unë i quaj pikë të humbura. Ashtu sikundër i quaj edhe barazimet pa gola në fushën tonë.

E megjithatë, mua më ngroh loja. Ka diçka ama, sapo skuadra nis të konsolidohet, na shtohen mungesa. Monen nuk e kishim në Burrel, Zani luajti 50% për shkak të dëmtimit, Gjyla pastaj ka një muaj jashtë, pa përmendur ndonjë tjetër tek-tuk. Haxhiu këtë javë është stërvitur i distancuar.

Në përgjithësi, unë nuk i përmend këto gjëra. Më duket si formë për t’u larguar nga përgjegjësia, por këto janë fakte. Megjithatë, pak rëndësi ka, ne përgatisim 25 futbollistë.

E kam thënë dhe nuk i heq asnjë presje kësaj: këta kemi dhe me këta do të luajmë. Rezultate të mira? OK, por nuk shënojmë! Unë do të thosha rezultate të mira kur të shënonim. Nuk mund të fitosh tri pikë pa shënuar”, tha fillimisht numri një i pankinës verdhejeshile.

FINALIZIMI

Fantazimi vazhdon të jetë gangrenë për Lushnjën dhe kjo e merakos kreun e pankinës. Ai evidenton se në “Liri Ballabani” nuk ditën që të shënonin, edhe pse arbitrimi ishte korrekt. “Jemi ankuar për disa ndeshje, pasi gjyqtarët na kanë ngrënë hakun. Nuk na kanë dhënë 11-metësh, kur edhe ato ishin pjesë e lojës. Por me Burrelin shkoi mirë. Gjyqtari e mbajti shumë drejt dhe ne kishim raste. Atëherë bëje golin, që të fitosh… Po nuk bëre gol, nuk fiton. Dhe kjo është përgjegjësi jona, nuk është e gjyqtarit”, tha tekniku.

GJYKIMI

Gjyla pret që të shtunën ta mund kundërshtarin dhe nëse kjo ndodh, do t’i japë dorën. Megjithatë, ai thotë që në të gjitha kushtet arbitrat ta fusin. “Unë i kam pranuar gjithmonë gabimet tona, por edhe gjykimi bën të veten ama. Gjithsesi, le të përqendrohemi te ndeshjen e radhës. Luajmë me një nga skuadrat më të mira të kampionatit.

Kanë bërë blerje cilësore nga elita dhe po i japin tonin Kategorisë së Parë. Ne pastaj kemi futbollistë që nuk i ka njohur kush. Por, kjo nuk na tremb. E respektojmë Erzenin, po nuk i frikësohemi. Do të shkojmë të luajmë futboll. Ajo që kërkoj unë është që të mundem nga kundërshtari, me një gjykim të drejtë.

Le të më mundë kundërshtari dhe do t’i jap dorën. Unë hyj tek ata trajnerë, që u kam dhënë dorën edhe pse ma kanë futur gjyqtarët. U kam dhënë dorën pas ndeshjes.

Janë habitur vëzhguesi dhe delegati. Megjithatë, unë ua kam dhënë dorën dhe prapë do t’ua jap. Këta janë, nuk do të vijnë gjyqtarë nga Franca javën tjetër. Ta fusin prapë, po nuk u dhe dorën. Me një gjykim të drejtë, ta fitojë ai që e meriton”, përfundoi trajneri i Lushnjës.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"