Veliu i telefonon Idrizit, zbardhet biseda

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 12, 2015 | 14:31

Veliu i telefonon Idrizit, zbardhet biseda

Veliu kryen ushtrime ne stervitje

Franc Veliu telefonon Sinan Idrizin. Kapiteni i Flamurtarit, i pezulluar tashmë prej një kohe relativisht të gjatë, mësohet se ditët e fundit ka kërkuar shpjegime nga administratori Idrizi.

Lajmi konfirmohet për “Panorama Sport” nga burime konfidenciale pranë klubit vlonjat.

Duke qenë se drejtuesi i klubit gjatë kësaj kohe ka qenë në Turqi për çështje pune dhe është kthyer në Vlorë vetëm të dielën në darkë, Veliu e ka telefonuar Idrizin dhe e ka pyetur se çfarë do të bëhet me të ardhmen e tij. Mësohet se kapiteni Veliu gjithashtu i ka thënë Idrizit se gjatë gjithë kohës ka bërë maksimumin te Flamurtari.

“Nuk e kuptoj këtë situatë?! Edhe sa do të zgjasë, të paktën të marrim shpjegime. Unë jam një lojtar profesionist dhe, në fakt, nuk mund që ta pranoj këtë gjë. Di që kam dhënë më të mirën dhe maksimumin tim për Flamurtarin, duke i qëndruar besnik kësaj skuadre që më rriti, por edhe unë kam dhënë aty kontributin tim. Nuk më duket e drejtë që të mos stërvitem me ekipin e parë, në një kohë që jam i qetë dhe i pastër me ndërgjegjen time. Unë e dua këtë fanellë dhe në asnjë mënyrë nuk e kam tradhtuar atë, për çka jam i qetë. Derisa do të vazhdojë kjo?!”, mësohet se kjo ka qenë fjala e Veliut gjatë bisedës telefonike me Idrizin. Ndërkaq, nuk dihet me saktësi se çfarë i ka pohuar Idrizi Veliut, por mësohet se i ka thënë të presë derisa të kthehet në Vlorë për të diskutuar.

E ardhmja

Franc Veliu, me shumë gjasa, nuk do të jetë më pjesë e Flamurtarit për sezonin e ri. Mbrojtësi vlonjat pritet të largohet. Pavarësisht se më parë e ka konfirmuar edhe vetë një divorc të mundshëm me kuqezinjtë për një eksperiencë jashtë vendit, burimet gjithnjë e më shumë flasin për një kalim të Veliut te Tirana sezonin e ardhshëm. Mbrojtësi vlonjat, së bashku edhe me Polizoi Arbrin, po stërviten aktualisht në mënyrë individuale me trajnerin e ekipit të paratërinjve, Gentjan Mezanin.

Të dy, si Veliu dhe Arbri, me shumë mundësi, janë shumë pranë largimit. Burimet pranë klubit vlonjat pohojnë për “Panorama Sport” se administratori Idrizi është kthyer nga Turqia të dielën në darkë dhe do të shikohet, ndoshta këtë javë, nëse do të zhvillojë ose jo një takim me kapitenin Veliu. Më shumë se sa aktivizimi, për shkak se kanë mbetur vetëm dy javë nga përfundimi i kampionatit, Veliu kërkon që të stërvitet me ekipin e parë dhe të mësojë shkaqet e vërteta të “persekutimit”.

Heshtja

Edhe pse Veliu dhe Arbri tashmë janë lojtarë të pezulluar nga Flamurtari, palët e kanë pranuar vetëm në heshtje këtë gjë. Asnjë prej zyrtarëve të klubit nuk ka pranuar të flasë zyrtarisht për këtë çështje. Por as futbollistët nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Të kontaktuar disa herë gjatë kësaj periudhe nga gazeta, si Veliu edhe Arbri nuk kanë folur për të vërtetën e pezullimit, por e kanë justifikuar këtë fakt si të dëmtuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"