Veliu dhe Idrizaj lihen jashtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 9, 2015 | 18:38

Veliu dhe Idrizaj lihen jashtë

Veliu-vesh-kepucet-e-sportit-ne-TurqiFLAMURTARI- Ernestino Ramela ka lënë në tribunë dy lojtarët që u aktivizuan në ndeshjen me Partizanin. Bëhet fjalë për Franc Veliun dhe Hektor Idrizajn. Kjo masë duket se është ndëshkuese karshi lojtarëve për problematikën e krijuar pas ndeshjes me të kuqtë e kryeqytetit.

Siç dihet, Flamurtari humbi 2-1 me Partizanin, por në përfundim të takimit drejtuesit e klubit akuzuan lojtarët se kishin toleruar, duke kërkuar zyrtarisht hetim nga prokuroria. Të pyetur në lidhje me këtë çështje, administratori Sinan Idrizi deklaroi se Veliu dhe Idrizaj janë lënë në stol për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore dhe kjo nuk ka lidhje me ndonjë masë të marrë për ndeshjen me Partizanin. Idrizi tha se masat ndaj lojtarëve do të merren pasi të flasin organet e drejtësisë.

Deklarata

“Nuk ka asnjë masë dhe nuk ka asnjë lojtar të pezulluar për çështjen e ndeshjes së Partizanit. Nuk kemi për të marrë asnjë masë pa pasur një raport të plotë të situatës dhe pa pritur përgjigjen e drejtësisë. Çështja është në prokurori dhe presim nisjen e hetimit. Po ashtu presim edhe ekspertët, të cilët do të ndihmojnë prokurorinë. Pasi të kemi një konkluzion rreth kësaj çështjeje dhe nëse provohet kjo, atëherë do të marrim masat tona ndaj lojtarëve deri në largimin e tyre përfundimtar nga futbolli”, tha Idrizi. Nga ana tjetër, edhe trajneri i portierëve, Luan Birçe, e justifikoi përfundimin në tribunë të Veliut dhe Idrizit me dëmtimin e tyre.

Birçe

“Veliu ka pasur traumë, e tregoi edhe në ndeshjen me Partizanin. Dytri herë ka dashur të dalë nga fusha, por për arsye të ndryshme vazhdoi. E njëjta gjë edhe për Idrizin. Por klubi ka shpallur një strukturë të re, që ka të bëjë me riformimin e tij. Kjo do të thotë se do t’u jepet më tepër minutazh lojtarëve që kanë ardhur dhe që nuk kanë pasur minuta. Kruja nga fillimi, Bregu, Metaj, pasi në fund të sezonit të jemi të drejtë me çdo lojtar. Ato që po përfliten lart e poshtë janë tashmë në prokurori dhe le të flasë prokuroria në kohën e duhur. Lënia në tribunë e Veliut dhe Idrizit nuk ka lidhje me këtë çështje”, tha Birçe. Reagimi – Nga ana tjetër, i pyetur nga “Panorama Sport” për këtë çështje, kapiteni Franc Veliu ka deklaruar se ka qenë i dëmtuar ndaj nuk është aktivizuar. “Nuk mund të aktivizohesha për shkak të një dëmtimi”, tha Veliu. Ndërkaq, mbrojtësi vlonjat nuk ka pranuar të komentojë deklaratat e administratorit Idrizi. “Nuk bëj asnjë koment për këtë çështje”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"