Vanda Nara vesh kostumin e Juventusit, ndizet merkatoja për Mauro Ikardin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 5, 2024 | 17:04

Vanda Nara vesh kostumin e Juventusit, ndizet merkatoja për Mauro Ikardin

Emri i Mauro Ikardit vazhdon që të jetë në mes të shumë zërave të merkatos. Sulmuesi argjentinas, i cili ka ende dy vite kontratë me Gallatasarajin në Turqi, ka rigjetur atë formë të shkëlqyer, e cila josh shumë prej klubeve më të mëdha të Europës. Dhe normalisht që me rikthimin e verës dhe hapjes së dritares së transferimeve për sezonin e ardhshëm, emri i ish-kapitenit të Interit do të jetë në qendër të tratativave më të rëndësishme.

Capture

Madje, nëse zërat nuk rreshtin prej muajsh për dëshirën e një rikthimi të tij në Itali, në Serinë A, ka menduar Vanda Nara, bashkëshortjamenaxhere e Mauro Ikardit për të ndezur, madje për të tërbuar merkaton e kësaj vere. Pas bujës së bërë me imazhet seksi në videoklipin e fundit në të cilin ajo ka marrë pjesë, modelja dhe njëkohësisht moderatorja argjentinase ka vendosur që të ndezë imagjinatën e tifozëve bardhezi. Këtë herë jo me pamje provokuese, por thjesht duke veshur një prej tutave zyrtare të skuadrës bardhezi, teksa pozon me to në “Instagram”. Dhe kaq ka mjaftuar që duke qenë edhe menaxherja e bashkëshortit të saj, Vanda Nara, të ngrejë një këmbë jo një hipotezë të bujshme, por një mundësi ritakimi mes Ikardit dhe “Zonjës së Vjetër”, e cila ka më shumë sesa një dekadë që planifikohet.

bandicam 2024-04-05 16-57-49-747

Por nëse në vitin 2013 ishte më i shpejtë presidenti Masimo Morati për të arritur një akordi me Sampdorian dhe për ta bllokuar për tek Interi, ku qëndroi deri në 2019-ën, edhe në mes të viteve milanezë gjithmonë sulmuesi tashmë 31-vjeçar ka qenë një ide dhe një ëndërr e Juventusit, e cila rikthehet në modë, falë postimit të fundit të Vanda Narës. Dhe duke njohur bashkëshorten e tij, e cila edhe pse shpesh herë ka shumë qejf të ngacmojë fantazinë, por brenda saj ka gjithmonë një të vërtetë të madhe, ndoshta Vanda ka dashur që të japë një mesazh se mes Mauro Ikardit dhe Juventusit mund të ketë nisur një tratativë në prapaskenë.

Nëse ndjek logjikën, gjithçka duket e mundshme, duke qenë se Federiko Kieza në skadencë në vitin 2015 nuk po rinovon, ndërkohë që Mois Ken dhe Arkadiuzh Milik pas sezonit të tyre zhgënjyes mund të bëjnë gati valixhet në verë. Nga ana tjetër, Ikardi vazhdon të koleksionojë numra të rëndësishme, teksa në sezonin e kaluar ofroi 23 gola në 23 prezenca, ndërsa sivjet ka shkuar edhe më tej, ku përveç 24 realizimeve numëron edhe 11 asiste. Dhe në të tilla kushte mund të duket mëse normale se Vanda Nara poston dhe ekzalton mendjen e tifozëve të Juventusit, duke qenë se edhe bomberi prej 80 milionë eurosh, Dushan Vlahoviç, nuk udhëton në të tilla shifra.

bandicam 2024-04-05 16-58-54-080

NGËRÇI – I vetmi problem që mund të ndalojë Mauro Ikardin te Juventusi, pas provokimit të Vanda Narës në rrjetet sociale të saj, mund të jetë paga e futbollistit. Edhe pse Gallatasaraji e di që në rast të një oferte të rëndësishme nga ligat më të mëdha të Europës do ishte i detyruar ta lëshonte argjentinasin, sipas një klauzole në marrëveshjen e tij, vetë sulmuesi mund të reflektojë dhe shtyjë çdo ofertë, nëse nuk i afrohet 10 milionë eurove neto, plus bonuse që fiton te gjigantët e Stambollit. Në të tilla shifra Juventusi për një 31- vjeçar nuk mund të shtyhet kurrë lart, por ideja është që për Ikardin nevojitet një rrogë prej lojtari shumë të rëndësishëm, të paktën në nivelet e Dushan Vlahoviçit prej 7.5 milionë eurosh neto në sezon. Dhe në të tilla shifra, pa dyshim që Vanda Nara e para do të ishte ajo që do të shtynte për një rikthim në Serinë A.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"