Valbona mbyll vitin pa asnjë humbje, Progni: Ngjitemi si kampionë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 24, 2023 | 13:48

Valbona mbyll vitin pa asnjë humbje, Progni: Ngjitemi si kampionë

Valbona theu rekorde. Rikthimi në Kategorinë e Dytë ka shkuar përtej çdo parashikimi. Mbyllën fazën e parë, duke ruajtur kolonën e humbjeve “0”.

progni valbona

Janë vetëm 2 pikë të lëna në 10 ndeshje të luajtura (këtu nuk llogaritet ajo ndaj Shënkollit, e përjashtuar nga gara), pas atij barazimi me Ilirinë. Si për të treguar se janë “top”, kanë supergolavarazh. E kanë gjetur plot 29 herë rrugën e rrjetës dhe pësuar vetëm 9 gola. Kjo ecuri nuk vjen krejt rastësisht, pasi është produkt i investimit madhor të drejtuesve të këtij klubi. Kanë jo vetëm një infrastrukturë për t’u pasur zili, por edhe një skuadër ku nuk mungojnë emrat “big”. Në krye të kësaj liste është padyshim Gerhard Progni, CV-ja e të cilit nuk ka nevojë për komente. Kapiteni ka ditur që ta bëjë diferencën dhe dëshmia më e mirë janë 18 golat e shënuar. Kapiteni e ka shijuar këtë kampionat dhe me bindje e thotë që në fund të sezonit, do të realizojnë misionin.

Gjatë një deklarate të dhënë për gazetën “Panorama Sport”, tropojani shprehet: “Ka qenë një kampionat shumë i bukur për Valbonën. Në 11 takime, nuk humbëm asnjë ndeshje dhe nuk janë pak. Dihet që ne kemi pretendime madhore dhe mendoj se jemi në rrugën e duhur. Dëshira jonë është që të luajmë në Kategorinë e Parë dhe e them me bindje se do të shkojmë si kampionë atje. Të gjitha mundësitë janë, dhe pse të mos ndodhë. Ne kemi treguar se jemi skuadër e pamposhtur. Me këto rezultate, ndoshta dhe më të mira, do ta mbyllim dhe fazën e dytë. Unë e kam deklaruar disa herë, pse erdha në shtëpi. E para, se këtu më rreh zemra dhe e dyta, dua t’i çoj sa më lart”, ka përfunduar 37-vjeçari.

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"