U transferua tek Elbasani, Festim Miraka tregon arsyet e kalimit te verdheblutë: Kisha oferta, më bindi projekti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 29, 2021 | 16:38

U transferua tek Elbasani, Festim Miraka tregon arsyet e kalimit te verdheblutë: Kisha oferta, më bindi projekti

Me afrimin e Festim Mirakës, Elbasani bëri “goditjen” më të bujshme në këtë merkato vere. Edhe pse një skuadër që do të militojë në Kategorinë e Dytë, verdheblutë kanë menduar të përforcohen me lojtarë që kanë milituar në Superiore dhe në të Parën. Gjithsesi, për portierin 33-vjeçar zgjedhja nuk ka qenë e lehtë, duke parë edhe ofertat në drejtim të tij. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, gardiani tregon arsyen pse pranoi ofertën e Arben Lazes dhe pohon se të gjithë së bashku do të bëjnë të mundur ngjitjen e skuadrës në Kategorinë e Parë.

FESTIM MIRAKA

“Së pari, jam i kënaqur që pas gjithë këtyre viteve do të kem mundësinë që të përfaqësoj ngjyrat e ekipit të qytetit tim, edhe pse tani militon në Kategorinë e Dytë. Të jem i sinqertë, kam pasur disa oferta gjatë kësaj periudhe, por pas bisedës që bëra me trajnerin dhe presidentin, më bindën për projektin që kanë.

Dua të jap kontributin tim në arritjen e objektivave dhe besoj se me përforcimet që janë bërë, ku nuk mungojnë as lojtarët me eksperiencë, do t’ia arrijmë qëllimit. I kemi të qarta synimet tona dhe tani të shohim përpara për t’i realizuar ato”, u shpreh në prononcimin e tij ish-portieri i shumë skuadrave në futbollin shqiptar. Më herët ai ka milituar te Besa, Pogradeci, Luftëtari, Burreli, Bylisi etj.

Me afrimet e bëra gjatë kësaj merkatoje, verdheblutë pritet që të jenë ndër pretendentët kryesorë për ngjitjen në të Parën, edhe pse përballë pritet të kenë gjithashtu skuadra me emër të madh, të cilat do të kenë pretendimet e tyre.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"