U infektua me COVID-19, Ilir Gjyla tregon sikletin: Virusi më kapi mushkëritë, ja pasojat që më ka lënë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2020 | 12:15

U infektua me COVID-19, Ilir Gjyla tregon sikletin: Virusi më kapi mushkëritë, ja pasojat që më ka lënë

Ilir Gjyla e fitoi betejën me COVID-19. Dy jav ët e fundit nuk kanë qenë aspak të lehta për trajnerin, por tashmë ndihet shumë më mirë. Prej të martës ka zbarkuar edhe në stërvitje, duke rimarrë “frenat” e Lushnjës.

iLIR gJYLA

Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, 52-vjeçari rrëfen eksperiencën e hidhur me këtë virus. E ka vuajtur jo pak faktin që e la pankinën bosh, megjithatë lehtësimi më i madh i ka ardhur prej punës që kanë bërë bashkëpunëtorët e tij dhe rezultatet që ka marrë ekipi në 180 minutat e fundit.

Keni munguar në dy ndeshjet e fundit, por skuadra ia ka dalë. I lumtur?

Unë kam komunikuar me trajnerët gjatë gjithë kohës, por nuk kam drejtuar unë nga distanca. Është meritë e Çukos dhe Gaxhelit, pasi kanë qenë ata në këto 180 minuta. Nuk mund t’i mohoj meritat e tyre.

U bë dita e dytë që e stërvitni ekipin, pasi u shëruat nga COVID-19…

Prej dy ditësh jam rikthyer. Nuk dua ta provojë askush këtë eksperiencë, pasi është e hidhur. Virusi më preku mushkëritë, por nuk kalova formën më të rëndë. Psikologjikisht të rrëzonte poshtë. Megjithatë, u mundova që me forcë ta përballoja. Tani e kam kaluar.

Në këto momente, cila është gjendja juaj shëndetësore?

Gjendja ime është e mirë, i vetmi problem është djersitja. Pasojë që ta lë virusi. Nuk jam në 100 për qind të kondicionit tim, jam pak i pafuqishëm.

Pas barazimit me Tomorin erdhi fitorja në Cërrik me Elbasanin. Jeni i kënaqur nga ecuria e ekipit?

Po. Jam shumë i kënaqur. Edhe pas ndeshjes komunikova me “Skype” me futbollistët. Vetëm pas asaj përballjeje, pasi më herët nuk kisha gjendjen…

Elbasani nuk kishte asnjë pikë para kësaj sfide, e bëri kjo më të lehtë?

Ju thoni që Elbasani nuk kishte asnjë pikë, por ka qenë ndeshja që iu frikësova më shumë.

Pse kishit frikë nga kjo përballje?

Sepse rregullorja thotë “luaj aty ku ke fushën”. Por, ky është i treti vit rresht që ndaj verdhebluve, kjo nuk ndodh. Prej tri sezonesh që drejtoj Lushnjën në Kategorinë e Parë, nuk kemi luajtur asnjëherë në Elbasan. Kemi luajtur në Cërrik dhe mirë që nuk u tha mendja elbasanasve që ta luanim në Belsh. Edhe mund të ndodhte. Madje, e kam edhe me kolegët që duan të përfitojnë nga…

Nga çfarë duan të përfitojnë?

E quajnë Lushnjën si të njerkës. Dhe, më vjen keq që duan të përfitojnë të gjithë. Qofshin presidentë këta… Unë shtroj një pyetje: A do të ketë mundësi ta luajë dot Elbasani një ndeshje tjetër në Cërrik? Apo, hajde se po gjejmë Lushnjën dhe po luajmë në Cërrik. Nuk dua të përfitojnë.

Ju a e patë ndeshjen?

Jo. Nuk e pashë. Dhe isha në vështirësi. Deri kur përfundoi ndeshja, unë e di se çfarë kam hequr. Përpos problemit me virusin, e kisha mendjen te ndeshja. Megjithatë, dolëm me sukses dhe jam shumë i kënaqur.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"