“Turi” i transfertave, Idrizi ka një mesazh për Flamurtarin: Unë flas për profesionistët, jo për mercenarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 29, 2023 | 9:25

“Turi” i transfertave, Idrizi ka një mesazh për Flamurtarin: Unë flas për profesionistët, jo për mercenarët

Sinan Idrizi kërkon pikët maksimale në dy ndeshjet e radhës që Flamurtari ka në transfertë, fillimisht të dielën ndaj Burrelit në orën 14:00, e më pas kundër Korabit javën tjetër. Gjatë një bisede për “Panorama Sport”, Idrizi është i prerë kur thotë se tashmë kërkon rezultatet, si në transferta, ashtu edhe në shtëpi.

SINAN IDRIZI

“Unë nuk pres nga transfertat, por kam mesataren e artë, që duhet të jetë mbi 2 pikë apo 1 pikë për ndeshje. Unë nuk bëj as analizë teknike, as taktike, dua që të jem racional, gjakftohtë dhe të shikojë çfarë kanë pikët. Nuk pres unë, as nga transfertat, as nga këto ndeshje që luajmë brenda fushës sonë. Ne tani duhet të kemi pikët. Kjo është më e rëndësishmja”, u shpreh fillimisht kreu i klubit vlonjat.

PRESIONI – Idrizi thekson se nuk e vendos skuadrën nën presion. “Një ekip profesionist nuk ka nevojë që ta mbash në presion. Një ekip profesionist bën punën dhe çdo lojtar duhet të mbajë përgjegjësitë e tij. Drejtuesit mbajnë përgjegjësitë ndaj ekipit, ndaj qytetit, ndaj kësaj që përfaqësojnë dhe kaq. Unë nuk kam çfarë presioni të bëj. Do të thuash ti që lojtari mercenar as nuk do t’ia dijë fare! Unë nuk flas për mercenarë, por për profesionistët. Ne sot e kemi ekipin profesionist dhe kjo është gjëja më kryesore”, shton presidenti.

STAFI – Në fund ai zbulon se nuk ka ndërmend të vendosi as gjoba, teksa tregon edhe një rast se si ka falur stafin teknik, kur duhet ta kishte gjobitur. “Shumë shkurt… Është histori rrogash sot për shembull. Do t’i vëmë gjobë për një histori pakujdesie që ka pasur stafi, jo. Unë nuk e kam në praktikë pjesën e gjobave. Më thonë zemërbutë dhe histori të tilla. Nëse nuk ke të bësh me ekip profesionist, nëse nuk ke të bësh me drejtues që nuk e njohin historinë e ekipit, këto janë problemet.

Unë nuk vendos gjoba. Por ishte një rast që duhet të vihej gjobë për një gjë, për një gabim që kanë bërë pjesëtarët e stafit të Flamurtarit. Unë nuk e praktikoj. Për mua gjoba më e madhe është mosrealizimi i objektivit”, përfundon Idrizi, duke lënë të kuptohet se në skuadër duhet ta kenë të qartë se Flamurtari kërkon me patjetër ngjitjen në elitë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"