Turdiu: Ja e vërteta e sherrit në Ballsh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2014 | 9:10

Turdiu: Ja e vërteta e sherrit në Ballsh

TurdiuDinamo kthehet me këmbë në tokë pas sfidës së humbur në Ballsh. Të besuarit e Dritan Mehmetit, edhe pse krijuan volum të madh loje në pjesën e parë, nuk mundën të siguronin golat, çka tregon se janë rikthyer edhe njëherë problemet para portës për sulmin. Ndërkaq, pas daljes me karton të Turdiut në pjesën e dytë, blutë u shpërbënë, duke pësuar edhe golin tjetër, i cili vulosi humbjen e parë në këtë kampionat, çka i kushtoi lënien e kreut.
Turdiu – Sulmuesi kryesor i Dinamos, Erald Turdiu, në një bisedë për “Panorama Sport”, ka pohuar se nuk e ka gjuajtur me kokë Buzin dhe se ky lojtar e kishte ngacmuar gjatë gjithë ndeshjes. “Ishte ndeshje e vështirë, për vetë faktin se luanim në transfertë. Personalisht dua të them se nuk kam gjuajtur me kokë Buzin. Qendërmbrojtësi i Bylisit u ngjit pas meje gjatë gjithë takimit dhe më ngacmonte me të gjitha mënyrat. Në trupin tim kam shenja të çjerrash dhe goditjesh. Pra, ndaj meje u bë lojë e fortë. Në momentin që mora kartonin e kuq ishte çast nervozizmi dhe si unë e si lojtari tjetër po konfliktoheshim. Mirëpo, gjyqtari e pa të rrugës të më nxirrte vetëm mua kartonin e kuq. Megjithatë, edhe njëherë dua të saktësoj se nuk e kam bërë atë gjest”, përfundon Turdiu.
Mungesat – Pas kartonit të kuq, Erald Turdiu do të mungojë edhe në sfidën e radhës kundër Butrintit. Pra, Dinamos i duhet të bëjë pa sulmuesin kryesor, i cili ka shënuar 4 gola me mjaft vlera për blutë gjatë 7 javëve të para të kampionatit. Veç Turdiut, edhe kapiteni Erxhan Muça nuk do të jetë i gatshëm, pasi ka mbushur numrin tre të kartonëve të verdhë. Kështu, trajneri Dritan Mehmeti nga sot do të nisë të mendojë për sfidën e radhës që do ta zhvillojë në Tiranë ndaj sarandjotëve.
ERJON HAMITAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"